opinions, analysis and interviews

Visar Zhiti - Poet - (al)

  • visar

poezi  e shkruar mbas kenaqesise qe i dha leximi i projektit "100 hapa drejt europes" te fate velaj

 

100 hapa drejt Europes

100 hapat e nje kenge

100 hapa 

drejt Endrrës,

ecën zemra kështu,

kumbojnë të rrahurat e saj, i dëgjon?

            Si takat mbi pllakat e rrugës,

            si dora mbi një tastierë…

Si trenat? Rendin nëpër Europë, 

bashkohen dëshirat me duart 

dhe bota e dashuruar

            i ngjan një puthje të bardhë agimesh.

Ecën ëndrra...

befas ti ndjen flatra mbi supe,

               dhe të vjen të fluturosh.

Nga erdhi ky Fat-i-mirë

                   me 100 Vela të bardha,

që u bënë 100 pëllumba,

të cilat u shndërruan

në 100 palë këpucë fëmije - ecin vetë 

                            mbi bulevard,

rriten këpucët, 

bëhen të mëdha sa frymëzimet, 

njerëzimi ecën drejt dashurive të tjera 

                     më të mënçura

dhe qielli i përbashkët i Europës,

valavitet si një traktat i kaltër, 

                       që vazhdon në të tjera kontinente.

Buzët e këngës u ngjyen me diell, 

me shijen e puthjes prapë, 

dhe ecin ëndrrat, ngjisin shkallët 

                  për tek zemra.

Edhe 100 hapa të tjera si vitet e shekullit.

Ku po shkon? - pyet dashuria. 

Tek ty,

tek vetja. Tani jemi më shumë se bota.

Rome, 17 Qershor 2009