opinions, analysis and interviews

gazeta shqip-17 maj 2013-interviste

Interviste me gazeten "Shqip" me rastin e hapjes se expos "Europa eshte kulture" ne galerine e qytetit Durres, me 9 Maj 2013

 

Arti dhe politika/ Eurodeputeti Hannes Swoboda, kreu i PS-së, Edi Rama, artisti i njohur Klaus Joachim Keller dhe emra të tjerë të artit europian vijnë në qytetin e Durrësit, në ekspozitën “Europa është kulturë”. Çfarë reflektojnë grafikat e Ramës dhe Europa ku duam të mbërrijmë. Fate Velaj sjell një rrëfim për artin dhe Europën…

 

 

Eurodeputeti Hannes Swoboda ka gjetur gjithnjë kohë pas përfshirjes së tij në politikë të mbajë gjallë pasionin e madh për pikturën dhe fotografinë. Gjuha politike dhe ajo çfarë ndodh sot me politikën në Europë është bërë padashur pjesë e krijimeve të tij artistike. Një artist nuk mund ta shmangë dot atë çfarë është përreth tij dhe ndonjëherë një vepër flet më qartë se një gjuhë diplomatike… Hyrja e artistëve në politikë është një rast i njohur në historinë e politikës botërore. Me një shpirt më të ndjeshëm, ata gjithnjë kanë krijuar një profil ndryshe politik, duke qenë gjithnjë prodhues dhe gjithnjë në qendër të vëmendjes. Një artist është gjithnjë në kërkim dhe në arenën e një politike të mbushur me ngjyra jo të bukura, ata mundohen të gjejnë ngjyrën e duhur për t’i dhënë më “shumë diell” kohës.

Veprat e realizuara nga Swoboda ekspozuar në Galerinë e qytetit të Durrësit, në ekspozitën “Europa është kulturë” flasin vetëm me një vështrim. Pak më tej, disa grafika të bëjnë të qëndrosh gjatë bri tyre, për të kuptuar gjuhën përmes ngjyrave që artisti ka vendosur në një fletë formati të zakonshme. Janë grafikat e një tjetër politikani europian, Edi Ramës. Nën kontekstin e titullit të kësaj ekspozite, grafikat e Ramës duket se flasin shumë. Të krijuara në një çast pune, në to Rama duket sikur ka hedhur të shkuarën dhe të ardhmen e Shqipërisë së tij. Për artistin Fate Velaj, i cili është ideator dhe pjesëmarrës në këtë ekspozitë, grafikat e Ramës janë unikalë për stilin që mbartin. E konceptuar si një bashkëbisedim mes artit për Europën, tablotë e vendosura në këtë ekspozitë na sjellin një “Europë të kuqe”, si e kuqja që ka dominuar epoka të tëra në historinë e artit botëror. Më poshtë, Velaj sjell një rrëfim për artin dhe Europën ku duam të mbërrijmë…

 

 

“E kuqja në dhomën e gjumit”, një cikël pikturash nën këtë temë të realizuara prej jush vijnë sërish në ekspozitën “Europa është kulturë”. Cila është ndjesia që përcillni përmes së kuqes dhe raporti i kësaj ngjyre me Europën?

Cikli im i pikturave me titull “E kuqja në dhomën e gjumit” erdhi pas sukseseve të ciklit të mëparshëm, atij me titull “Kujtime nga e ardhmja”, për të cilin unë shkruaj se: …mbaj mend fare mirë se diku kam lexuar që Mathias Claudius ka thënë se ‘Kush bën një rrugëtim ka dhe çfarë të tregojë’. Sot, të bësh një rrugëtim është më se normale dhe se për ta realizuar atë ka dhe shumë mënyra.

Ka dhe një rrugëtim tjetër, që është ai që bën në vetvete, që për mendimin tim është dhe më i bukuri. Kur mbyllesh në vetvete dhe me mendimet e tua fillon një rrugëtim, kërkon gjithmonë të zgjedhësh atë rrugë që ka dhe perspektivën më të madhe. Gjatë kohës që jam në Vlorë ose në Vjenë, shpeshherë më ndodh që miqtë, duke më parë të humbur në vetvete, më pyesnin se çfarë jam duke menduar.

Përgjigjja ime në këto raste është: “po pikturoj…”. Udhëtoj në të ardhmen time, takoj në vende të ndryshme njerëz që dikur s’i kam njohur, përjetoj situata të tjera, dhe…

Realizimi i veprave të artit janë thirrjet në kujtesë të fragmenteve e përjetimeve, imagjinatë situatash dhe takimesh të kryera gjatë këtyre udhëtimeve të çuditshme, që diku dhe dikur do të vijnë në jetën time…

Mendimet e para mbi ciklin “The red in the bedroom” (E kuqja në dhomën e gjumit) më erdhën mbasi lexova romanin “L’amour fou” (Dashuri e çmendur) të André Breton.

Gjatë realizimit të këtyre veprave nuk kam dashur kurrë të hyj në detaje. Bile kjo as që më ka interesuar ndonjëherë. Gjithmonë kam dashur të analizoj atmosferën…dhe në këtë rast, atë “brenda dhomës së gjumit”…

Aty ndjen aromën e gjithçkaje …të mallit, të së bukurës, të xhelozisë e frikës…dëshirës, e pasionit… dhe mbi të gjitha të dashurisë…

Ekspozita ka qenë e lirë dhe mbi të gjitha, unë nuk ju kam kërkuar artistëve të sjellin vepra të specifikuara, por jua lashë në dëshirë të sillnin në ekspozitë ato vepra që për ta janë dhe domethënëse për karakterin e tyre artistik. Për sa i përket pyetjes suaj se në ç’raport qëndron e kuqja ime me paletën shumëngjyrëshe europiane, atëherë më duhet të them se kam përdorur një nga ngjyrat që në atë periudhë kohore të realizimit të veprave më doli nga zemra. Unë jam artist dhe frymëzimin tim e marr kudo dhe nga çdo gjë. Në ndërtimin e ekspozitës në Durrës me temë “Europa është kulturë”, mendova se ky cikël veprash do të qëndronte më mirë në një kontekst me artistët europianë, të cilët në veprat e tyre kishin paraqitur ndjenjat e tyre nga ngacmime të marra diku e nëpër kohë, në jetën e tyre. E kuqja është një ngjyrë që në periudha të ndryshme të kohës artistike europiane ka dominuar epoka të tëra të historisë së artit botëror. Fakti që dhe miqtë e mi, artistë me famë botërore si Hermann Nitsch i cili është artisti i vetëm i gjallë në botë që njëkohësisht ka tre muze dedikuar atij si ai në Mistelbach, Vjenë e Napoli e ku pikturat e tij janë vetëm të kuqe, apo dhe Adolf Frohner etj., tregon se e kuqja është trend dhe se në ekspozitën për Europën duhet të ishte prezente.

 

Pjesa më e madhe e artistëve pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë personazhe politikë, apo nga jeta akademike. A është politika një vend ku prodhohet art?

Artistët të cilët i përzgjodha për këtë ekspozitë janë një përzierje mes artit, kulturës dhe politikës. Vetë titulli i ekspozitës “Europa është kulturë”, është dhe vërtetimi i saj. Në të marrin pjesë artistë nga vende të ndryshme të Europës dhe në ato vende ata janë personalitete të pakundërshtueshme, e që kanë dhënë një ndihmesë të madhe në thellimin e prodhimtarisë artistike, por kanë eksportuar dhe emrin e tyre nëpërmjet veprave të realizuara, nëpër botë.

Kështu kemi Aurel Vlad nga Bukureshti, që është një nga skulptorët më të shquar europian, e që në Bukuresht është dekani i Fakultetit të Skulpturës në Akademinë e Arteve.

Robert Kabas, një nga artistët më të shquar në Austri, e që në Shqipëri është prezent edhe me një vepër monumentale siç është “The fish” në “Europa bulevard – 100 hapa drejt Europës” në Pogradec. Një artist tjetër është dhe Klaus Joachim Keller nga Gjermania, e që është një figurë artistike-kulturore e rrallë, mbasi ka studiuar në Richard Strauss Konservatorium për muzikë në Mynih, pastaj në Universitetin e Vjenës për violonçel e më në fund ka studiuar edhe Universitetin e Vjenës për pikturë. Artistët e tjerë vijnë nga Sllovenia me Zora Stancic, Italia me Rossana Berti Garzelli, Bullgaria me Nadja Dimitrova, Kosova me artistin e shquar Naim Spahiu, Maqedonia me Osman Demirin, e Turqia me Sinasi Bozattli, i cili ka studiuar në Universitetin e Artit në Ankara për të mbërritur tek artistët nga Durrësi, si Shpresa Beqiri, Elio Bajrami si dhe ikona e artit durrsak Nikolet Vasia.

Në këtë ekspozitë u paraqitën dhe vepra arti të miat, si dhe grafika të realizuara nga Edi Rama e piktura e fotografi nga eurodeputeti Hannes Swoboda.

Unë përfaqësoj bindjen time të plotë se politikanët europianë vijnë nga hapësira kulturore. Faktin që Hannes Swoboda është vjenez, ku ajri i qytetit është i tejmbushur me nota muzikore, me Mozart e Strauss, me Beethoven e Schubert e valset e famshme vjenezë me pikturat e famshme të Gustav Klimit e Egon Schielle, i kanë lënë gjurmët e tyre thellë në mushkri dhe që ai i paraqet, në mënyrën e tij në telajo apo fotografi. Me Hannes Swoboda, kam hapur ekspozitë edhe në Vlorë, edhe në Tiranë, edhe në Athinë, vitin e kaluar së bashku me Edi Ramën në një ekspozitë me të njëjtin titull si kjo në Durrës, edhe në Kajro, Vjenë, etj. Vendosja në një hapësirë artistike, siç është një ekspozitë e artistëve dhe politikanëve, është që të ngremë ura të bashkëpunimit mes artit dhe politikës, ose siç mund t’i them më ndryshe të politikave kulturore. Nëpërmjet artit dhe kulturës, politika njeh shpirtin e vërtetë të një populli dhe në rastin e Shqipërisë, ku politika është matanë koncepteve dhe ideve europiane del detyra e artit si avangardë e shoqërisë të marrë këtë shqetësim popullor, e të paraqesë një Shqipëri ndryshe nëpërmjet shpirtit dhe ngjyrave të dala prej saj.

 

Sa jemi europianë?

Shqipëria është europiane jo vetëm gjeografikisht por edhe shpirtërisht e kulturalisht dhe me bindje të plotë, gjatë gjithë punës sime, në dhe për Europën, kam kujtuar shprehjen e famshme të Paul Valéry, se “absolutisht europiane është gjithçka që vjen nga tre burimet: Jerusalem, Athinë e Romë”. Duke qenë se gjeografikisht Shqipëria ndodhet në rrjedhën e këtyre tre burimeve, ka bërë që ajo prej këtyre prurjeve të “ngopet shpirtërisht”, e si pasojë edhe “fryrjet dhe derdhjet në det”, i ka pasur europiane, nga të cilat sot kemi pasuri e krijimtari të shumta, pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare. Ashtu siç kanë përfituar edhe shtete të tjera në Europë, që dhe ato u “ngopën” nga këto tre prurje, e që në rrjedhën e viteve krijuan fizionomitë e tyre unike. Arti e kultura i jep Shqipërisë, dhe jo vetëm asaj, por të gjitha shteteve, identitetin e tyre, e që së bashku përbëjnë identitetin e përbashkët europian. Unë përfaqësoj këtu bindjen time të thellë që, Unioni Europian përpara se të jetë një union i fuqishëm ekonomik e politik mbi të gjitha është një union vlerash, një union social e kulturor. Vëmendja, besimi dhe respekti për njëri-tjetrin janë cilësitë e veçanta që demonstron ky union dhe që përbëjnë bazën e domosdoshme për bashkimin dhe bashkëjetesën harmonike të saj.

Krijimi i politikave kulturore të cilat janë të orientuara drejt së ardhmes së përbashkët europiane janë të një rëndësie të veçantë në këtë kohë të tranzicionit final (për të cilën unë ndoshta gabohem kur e cilësoj të tillë d.m.th final, por zemra ma do që të jetë i tillë). Politikat kulturore duhet ta kenë si bërthamë të tyre principiale qëllimin se si ne me bindje të plotë, do të krijojmë ingranazhet për transmetimin e ideve, në rrugën që tashmë kemi zgjedhur për të vajtur, në “Europë”, duke u bërë kështu promotorë të një rilindjeje të re shpirtërore, e cila për mendimin tim, fillon që nga librat e shkollave; pra duke vendosur nëpër tekste jo vetëm të kaluarën e lavdishme nacionale e internacionale, që shpeshherë ka qenë e dhimbshme dhe e përgjakshme por, në to të pasqyrohet dhe e ardhmja e përbashkët dhe perspektiva europiane. Në këtë mënyrë “ideja Europë”, që për shumë nga ne është aq joshëse, të jetë e ankoruar fort në ndërgjegjen e secilit, përpara se ai (dikush) të bëhet vendimmarrës. Nxënësve të shkollave duhet t’u bëhet e qartë se nuk je vetëm tiranas, durrsak apo vlonjat, por mbi të gjitha je shqiptar i kontinentit europian. “Europa nuk fillon në Bruksel apo në Strasburg: Europa fillon te pragu i derës së shtëpisë tënde” – do të dëgjoja unë të thoshte Hans Gert Pöttering, president i Parlamentit Europian, në një debat mbi identitetin europian.

Shqipëria mund të japë një ndihmesë të madhe në pasurimin e jetës kulturore europiane, pasi fuqia e Europës nuk qëndron vetëm tek ekonomia por dhe te mundësia që ajo i jep dialogut të kulturave, dhe hapësirën e nevojshme që ato kërkojnë për t’u takuar, pastaj ta shikojnë njëra-tjetrën nga i njëjti këndvështrim. Në bërthamën e tyre, këto kultura vijnë nga e njëjta origjinë, gjë që do ta konstatonte përpara 400 vjetëve edhe Voltaire, i cili do të thoshte se: “…4/5 e kulturave të popujve të Europës është e njëjta gjë…”. Shqipëria paraqitet në arenën ndërkombëtare me dy pamje: atë të arritjeve të suksesshme individuale në fushën e artit e kulturës, si dhe atë të papërgjegjshme nëpërmjet partive politike të përfaqësuara nga drejtuesit e tyre. Ky antagonizëm i thellë është i dëmshëm dhe në këtë mënyrë i papranueshëm dhe për përmirësimin e këtij imazhi del një detyrë imediate për korrektimin dhe krijimin e axhendave efikase në fushën e politikës së jashtme, atë të integrimit nëpërmjet kulturës.

 

Le të flasim pak për grafikat e kreut të opozitës shqiptare, Edi Rama, pjesë e kësaj ekspozite. Çfarë përfaqësojnë ato?

Me artin e Edi Ramës isha njohur në një ekspozitë në Galerinë e Arteve para disa vitesh, d.m.th aty nga viti 2005-2006. Por më nga afër, d.m.th me një ballafaqim të plotë me veprat e tij, e pata vitin e kaluar, kur në Athinë, në galerinë “Melina Mercouris” hapa ekspozitën “Europa është kulturë” me vepra të realizuara prej meje, Edi Ramës, Hannes Swoboda e Robert Kabas, si dhe disa profesorë të Akademisë së Arteve në Athinë. Grafikat e realizuara nga Edi Rama janë diçka unikale për sa i përket realizimit të tyre, mbasi ato janë si të themi një “work in progress” , pasi ato janë të realizuara në zyrë, gjatë “orarit të punës”, ku Rama hedh në letër grafikisht shqetësimet, dëshirat, ëndrrat dhe shpresat e ditës së sotme apo ato të së nesërmes. Shumë nga grafikat janë të realizuara edhe gjatë një bisede me një person i cili ka kërkuar takim me Edi Ramën dhe ndërsa ai i tregon se përse ka ardhur, në të njëjtën kohë Rama e dëgjon dhe duke i kthyer përgjigje hedh në letër përgjigjen e tij. Pra, kemi një përgjigje fonetike e ndërlidhur me një përgjigje vizuale. Kjo është ajo që e bën unikal Edi Ramën me artin e tij. Fakti që ai është shumë i angazhuar në punën e tij, nuk e lejon atë të futet në studio e të krijojë tablo të përmasave të mëdha, gjë për të cilën unë jam i bindur se i vlon zemra të ngjyejë duart e penelat në tubetet, kovat me bojëra e të spërkasë telajot disa metra të mëdha…

 

Si e shihni Ramën si artist?

Unë kam hapur disa ekspozita me Edi Ramën dhe kemi qenë prezentë në shumë ngjarje artistike. Edi Rama si artist duhet parë në një kënd më të gjerë. Artistët e sotëm nuk janë “zanatçinjtë” e djeshëm. D.m.th njerëz që hyjnë në mëngjes e dalin në darkë nga studioja. Ata janë persona publikë e ku roli i tyre nuk është vetëm ai i realizimit të veprave, por edhe i përgjegjësisë për të marrë mbi vete edhe atë të ideatorit, korrektues të shoqërisë. Koncepti im i parë si strategji europiane ka qenë “arti përmirëson kohën” e që bëri stacione në Vjenë, Shkup, Salsburg, Wells etj. Edi Rama ka treguar si artist të përmirësojë kohën. D.m.th marrëdhëniet mes njerëzve dhe hapësirën ku ata jetojnë. Për sa i përket asaj se si e shikoj unë Ramën si artist, më duhet të them se unë isha në Muchen, Gjermani më 17 janar të këtij viti ku Edi Rama hapi një ekspozitë të madhe dhe elita e artit dhe kulturës bavareze foli me respekt për artin e tij.

 

Cila është filozofia e kësaj ekspozite?

Kjo ekspozitë është vazhdim i një filozofie të ngritur prej meje qysh në vitin 2001 dhe që ka bërë stacione në disa vende të rëndësishme europiane. Qëllimi ishte një ballafaqim i artit të realizuar këtu me atë të realizuara në studio europiane si një bashkëbisedim ndjenjash e ngjyrash mes tyre. Futja brenda e personave me status politik bëri këtë ekspozitë të veçantë e që dallon nga të tjerat mbasi bëhet me shumë fjalë për një relacion mes artit dhe politikës ose siç mund t’i themi i një dialogu mes artit të krijuar nga akademikët me ata të politikës. Kjo shpeshherë është dhe e nevojshme mbasi politika dhe personat që e bëjnë atë janë njerëz që vijnë nga hapësira e tjera përpara se të hyjnë në politikë e kështu ne, ju ofrojmë atyre një hapësirë tjetër, ndryshe nga ajo e mbyllur në salla plenare e shpeshherë dhe të zymta duke ju dhënë larminë e ngjyrave të artit tonë.

 

A e reflekton arti sot krizën që përjeton politika apo shoqëria?

Arti në Shqipëri përjeton një nga ditët më të vështira. Shkurtimi i fondeve për artin dhe kulturën, buxheti i NTKR-së që është më i vogël se i një departamenti për kulturën në seksionin e kulturës në Bashkinë e Vjenës, mosbërja prezent e artit dhe kulturës shqiptare në ekspozita kolektive me temë “Shqipëria është kulturë” në muze e galeri europiane, mosnxjerrja e katalogëve të artit bashkëkohor ku Shqipëria ka artistë të shkëlqyer etj., si këto bëjnë atë që Shqipëria emrin ta vërë vetëm nga iniciativa vetjake të disa shqiptarëve të mirë e të talentuar që po na nderojnë nëpër botë dhe këtu më duhet të them me zë të lartë emrin e Anri Salës, këtij gjeniu që po mahnit botën aq sa dhe Franca, ka vendosur që në Bienalen e Venecias të paraqesë vetveten me djalin nga Tirana. Zbatimi në praktikë i disa orientimeve për marrjen fryteve të dëshiruara, mund të bëjë që t’i afrohemi më shpejt qëllimit të përcaktuar. Disa nga pikat e nevojshme janë: Instalimi i një seksioni mbi politikat dhe strategjitë kulturore në Ministrinë e Jashtme, siç është në Vjenë apo në Berlin… e cila që nga krijimi i saj nga Willy Brand konsiderohet si shtylla e tretë e politikës së jashtme të shtetit, duke e konsideruar kulturën si eksportin nr.1 të Gjermanisë.

Mbajtja e kontakteve dhe përmirësimi i tyre me të gjitha institucionet artistike kulturore e politiko-kulturore nëpër botë. Gjetja e partneriteteve të reja dhe bërja e qartë e rëndësisë dhe ndihmesës që ka dhënë dhe jep arti e kultura shqiptare në historinë botërore, si dhe opsionet që ajo ofron e krijon për thellimin e dialogut ndërkulturor si bazë e një bashkëjetese paqësore në kohët e sotme. Nxitja në vend e aktiviteteve artistike që kanë si bazë nxitjen e dialogut rajonal e ndërajonal, të vlerave të përbashkëta kulturore si: festivalet teatrore, muzikore të traditës popullore, ato të muzikës së lehtë, ekspozitave në fushat e paraqitjes së trashëgimisë apo të artit bashkëkohor. Mbështetja e iniciativave dhe projekteve që kanë si bazë strategjike paraqitjen në institucionet më prestigjioze të artit, kulturës e politikës europiane të Shqipërisë si një vend i orientuar drejt Europës, pa lënë asnjëherë pas dore krijimin e infrastrukturës dhe mbajtjen në stadin më të lartë të institucioneve aktuale të artit e kulturës, duke ua krijuar mundësinë artistëve e kulturbërësve të krijojnë vepra të një cilësie të lartë. Dhe këtu unë kam parasysh: – mundësimin e hyrjes së internetit gratis në të gjitha atelietë apo studiot e tjera të kulturës – marrjen përsipër të disa shpenzimeve për atelietë artistike, si dhe printimin e katalogëve për artistet që arrijnë të paraqiten në institucionet europiane të kulturës. Në këtë mënyrë ata do ta kenë mundësinë të paraqiten dinjitoze në studiot, galeritë, muzeumet ndërkombëtare, e jo të vënë me një tufë fotografish në xhepa. – ndërtimi i një platforme interneti, website nën moton: “Shqipëria është kulturë” ku të prezantohen “creme de la creme” e arritjeve në fushën e artit e të kulturës. – Mundësimin dhe mbështetjen e kolonive artistike për ardhjen e artistëve ndërkombëtarë në Shqipëri, të cilët do të krijojnë vepra arti të frymëzuara nga peizazhi, kultura dhe tradita vendase, dhe botimi i katalogëve me veprat e krijuara në këto koloni, të cilat ata do t’i paraqesin nëpër vendet e tyre e më gjerë. Mundësimin e organizimit të: ditëve të kulturës shqiptare nëpër shtetet anëtare të BE-së etj., aktivitete të rëndësisë së veçantë. Këto ishin disa ide të miat mbi atë se si duhet të orientohen politikat kulturore në të ardhmen dhe si ato do të vihen në shfrytëzim të integrimit europian të vendit. Siç thashë janë ide mbi të ardhmen dhe nëse unë do t’i kthehesha kujtesës, atë të kohës së realizimit të ciklit tim të pikturave me temë “Kujtime nga e ardhmja” patjetër që do të më kujtohen dhe disa ide të mikut tim, Kancelarit austriak, Alfred Gusenbauer, i cili në këtë kuadër do t’më shkruante se “…normalisht është në kundërshtim me rrjedhojën e çdo lloj arsyetimi që të kesh “memories from the future”. Deri më sot, kjo kategori të menduari i përkiste vetëm Hollywood-it. Por, fakt është se secili prej nesh në mënyrë individuale ose kolektive krijon idetë e tij mbi të ardhmen dhe njëkohësisht farkëton plane për të nesërmen ose të pasnesërmen…” Më tutje ai do të vazhdonte se “tashmë, në shumë nga vendet e Europës Juglindore ekziston një perspektivë europiane… Bashkimi Europian duhet që në vitet e ardhshme të bëhet për të gjithë një realitet dhe po aq normal sa u bë Vjena shtëpia e Fate Velajt. Detyra e artit është dhe duhet të jetë që këtë proces të europianizimit ta mbajë mbi shpatulla dhe mbi të gjitha ta shohë atë me sy kritik. Arti nuk përben vetëm realitetin, por ai e rikrijon atë…”. Realizimi i veprave të artit dhe kulturës është një “work in progres” dhe burimi i tyre janë ndjenjat që burojnë nga shpirti. Këtu mua më duhet të sjell në vëmendje një europian të madh, Jacque Dellors, i cili në Parlamentin Europian do ta lëshonte thirrjen “une ame pour l´europe” (t’i japim një shpirt Europës). Dhe nëse Dellors do të bënte këtë thirrje, unë, me bindje të plotë dhe zë të lartë do të thosha: “t’i kthejmë shpirtin Shqipërisë”.