opinions, analysis and interviews

Gazeta DITA 7.9.15

Fate Velaj, këshilltari i kryeministrit Edi Rama shprehet optimist për arritjet e qeverisë në dy vitet e fundit, por nuk lë pa kritikuar edhe ndonjë anëtar të qeverisë.

Në një intervistë për “DITA”, Velaj thekson se shumë nga anëtarët e kabinetit “Rama 1” janë të dispozuar drejt suksesit dhe rezultatet e punës së tyre së shpejti priten të jenë për t’u duartrokitur por, mes tyre si dhe në ndonjë institucion tjetër, gjen dhe ndonjë që është “elif matrak” dhe tek i cili ai nuk pret të shohë së shpejti ndonjë gjë të hajrit.

Në këtë intervistë pasqyrohen edhe disa opinione rreth zhvillimeve në vend si dhe ato artistike.

 

-Zoti Velaj! Duke qenë një nga miqtë e tu në facebook, ajo që më ra më shumw në sy gjatë kësaj vere ishte fakti që, në një kohë që të gjithë të tjerët postonin fotografi nga pushimet në jug të Shqipërisë, ju dërguat foto nga udhëtimi familjar zhvilluar në SHBA. Nuk e preferuat jugun e Shqipërisë këtë vit?

 

– Unë nuk jam i pasur t’i bëj pushimet në jug të Shqipërisë.

 

– Si ta kuptoj këtë? Ju niseni në pikun e sezonit për në Amerikë, lëvizni nëpër 7 shtete atje dhe nuk jeni në gjendje të bëni pushime në Drimadhes apo Jalë?

 

– Çështja e pasurisë nuk ka të bëjë vetëm me atë monetare. Unë nuk jam i pasur të bëj pushime aty ku pronarët e lokaleve dhe hoteleve, të presin mbrapa ledhit, kodrës apo shkëmbinjtë e valëve të detit të të plaçkisin portofolin dhe duan që brenda muajit, të nxjerrin paratë e gjithë vitit.

Janë pikërisht ata që duan direkt mbas sezonit të ndërtojnë vilat dy-tre katëshe dhe kur ju thua pse kaq shtrenjtë kjo dhomë, kjo pjatë apo ajo pije, të përgjigjen: “I thonë Dhërmi këtu, vëlla!”, duke i bërë ato pak guriçka dhe atë det të bërë dhuratë nga Perëndia, si të tyren e ta kishin bërë me thonjtë e tyre dhe, e paraqesin më të famshme se Costa Smeralda apo diku tjetër nëpër botë. Fakt është se ne, familjarisht, aty i kemi bërë çdo vit pushimet. Jemi nisur me dëshirë e dashuri për të ardhur. Kemi mbyllur sytë aq e kaq herë kur në fund fatura na vinte sa ç’nuk e imagjinonim, i kemi krahasuar ato me vende të tjera dhe përsëri, çdo vit e njëjta pamje nëpër fatura. Dhe, kur jemi kthyer, kemi vënë re se kemi harxhuar më shumë se çdo të harxhonim në vendet e shtrenjta nëpër Europë dhe se nga, mos kushtet, stresi e zhurma e plazheve e ambienteve, jemi bërë që pas pushimeve aty, të nisemi përsëri për pushime gjetiu.

I keni parë e lexuar komentet e atyre që kishin bërë pushimet këtë vit andej? “Never Drymadhes” i shkruanin. Të gjithë ankoheshin për mos shërbimin dhe faturat e kripura si të nxjerra nga shkuma e detit dhe shezlongat si në Costa Brava të shtrenjta. Në këtë rast do të kujtoja një reklamë që transmetohet në televizorin austriak ku protagonist është Niki Lauda, 2 herë kampion i Formulës 1 dhe tashmë pronar i një shoqërie avionësh “Lauda Air”. Në një reklame ai në fund thotë: “Ich habe nichts zu verschenken”, që do të thotë pak a shumë, “nuk kam dalë për badihava”. Të gjitha këto më detyruan të ndërmerrja një tjetër axhendë verore dhe ju përkushtova udhëtimit për të përmbushur një ëndërr, një dëshirë që kishte kohë që flinte brenda meje dhe që e zgjova këtë behar.

 

-Në udhëtimet tuaja, shënimet rreth tyre i mbani me anën e fotografive që realizoni. Çfarë është udhëtimi për ju?

 

Udhëtimi nuk është thjesht lëvizje. Nuk është nisu, të dalë ku të dalë, se u kalbëm brenda në shtëpi. Udhëtimi është ndjenjë. Është shije, është magji. Unë e shijoj atë me të gjitha shqisat dhe bëj udhëtimin pjesë të imagjinatës time, të botëkuptimit tim për jetën. E shoh atë si mjet informimi. Si investim në dituri. Nisem me një qëllim të caktuar në mendje dhe dua të përjetoj, në mënyrë të qëllimshme të takoj njerëz të njohur, të panjohur, në vende të njohura apo dhe në ato që rruga do më çojë rastësisht e që shpeshherë e devijoj me qëllimin të shoh ç’ndodh në atë vendin aty dhe atë, atje më tutje. Udhëtimin e marr pa stres e pa nerva. Nga dritarja sodis peizazhe, fshatra, male, lugina e liqene dhe ndaloj e fotografoj, fenomene natyrore, njerëz që më dalin rastësisht në rrugë apo dhe që i kërkoj qëllimisht vendbanimeve të panjohura. Për mua udhëtimi është kronikal. Është dokumentues. Prandaj dhe Luan Topçiu më pat përcaktuar si “Evlija Çelebiu apo Bajroni i kohëve moderne”. Si ata, që në kohën e tyre mbanin shënime nga viset ku kalonin e përkohësisht banonin, dhe unë, i fotografoj ato vise dhe shpeshherë shkruaj dukuri e përjetime që kam pasur gjatë udhëtimeve nëpër to.

 

-Cikli juaj i fundit është “The soul of America“. Keni shkruar në facebook se në ato 16 ditë në Amerikë keni udhëtuar në gati 7 shtete duke realizuar gati 7000 fotografi. Çfarë keni pasur ndërmend dhe çfarë doni të bëni me ato aq shumë fotografi?

 

– Nga Vjena u nisëm në datë 10 gusht dhe me vete përveç familjes, gruas, vajzës dhe djalit, ishin dhe dy aparatet e mia fotografike të markës “Leica” si dhe shumë bateri. Sa mbërrita në New York, atë ditë e fillova me disa fotografi nga Brooklyn dhe mbas tre ditësh u nisëm për udhëtimin e planifikuar. E filluam me një eksplorim të brendësisë së shtetit të New York-ut duke vajtur në Itacha, te “Tompkins county”, një nga krahinat më të bukura të shtetit, për të vazhduar më vonë për në Kanada, në Niagara, për në Cleveland të shtetit Ohio dhe më vonë për në shtetin e Ilinois dhe ndaluam në Chicago. Vazhduar për në fort Wayne të shtetit Indiana. Rrugën do e ndiqnim për Pittsburgh dhe Philadelphia në shtetin e Pennsylvanisë e akoma më tutje për Maryland e New Jersey. Në fund u rikthyem përsëri në New York ku gati çdo ditë që mbeti, lëvizëm në këmbë nga gati 20 kilometra në ditë. Gjatë këtyre ditëve fotografova vende e njerëz, rrugë, ngjarje e momente të ndryshme të jetës e deri në varrezat të cilat i përmblidhja nëpër cikle siç janë ato “Të dashurosh në New York”, “Të vdesësh në New York”, “Të shëtisësh rrugëve të New York” nëpër “Metrotë e New York-ut”, nëpër “autostradat e Amerikës” si dhe ato nëpër qytetet nga isha. Qëllimi im ishte të “analizoja” jetën e amerikanëve, magjinë amerikane, mënyrën se si e shikonin jetën, ku ishin frymëzuar në realizimin e veprave të tyre. Me pak fjalë, të hyja brenda shpirtit të tyre.

 

– Dhe, çfarë keni ndërmend të bëni me gjithë ato fotografi? Çfarë qëllimi fshihet mbas tyre?

 

– Si çdo gjë që kam realizuar deri më sot, unë ato do i seleksionoj. Nga gati 7000 copë do heq mënjanë, shpresoj 300-500 copë të realizuara në atë mënyrë që do i paraqisja si një film kinemaje. Me to dua të hap një cikël ekspozitash nëpër qytete të Shqipërisë e të Kosovës, dy vendet me dashurinë dhe mirënjohjen më të madhe për kombin amerikan. Dua të realizoj një si “road movie” me fotografitë që unë vetë i realizova në atë “road movie” nëpër Amerikë mbasi ajo që unë bëra, nuk ishte një “road trip” i zakonshëm por një përjetim i qëllimshëm për aventurë si tek filmat tipik amerikanë të këtij zhanri. Me fotografitë dua të botoj përsëri një album të madh me të njëjtin titull “The soul of America” ku të ndarë nëpër cikle do të paraqiten aspektet e jetës amerikane. Shpresoj që dhe këtë radhë, albumi të dalë po aq monumental dhe aq cilësor sa ç’doli ai që m’u botua në shkurt të këtij viti, në Itali.

 

-Gjatë muajit korrik, por dhe më parë ju keni botuar disa shkrime si “Srebrenica”, apo “Ni(l)kon”. Para dy ditësh lajmëruat botimin e një romani. Deri më sot jeni prezantuar si piktor e fotograf, dhe herë pas here keni shkruar sprova. A jeni i bindur se po tentoni t’i hyni një rruge të vështirë, asaj të së shkruarit ku kritika është e ashpër?

 

– Ideja për të shkruar këtë libër më lindi në datë 21 korrik 2015, në 24 vjetorin e ardhjes time në Austri. Atë ditë të vitit 1991, mbas një udhëtimi të rrezikshëm e të vështirë, nëpër Jugosllavinë ku sapo kishte filluar lufta, i vetëm e me një qese me pak rroba në dorë dhe 100 marka gjermane në xhep, mbërrita më në fund në Traiskirchen, në “Lager”, 17 kilometra larg Vjenës. Në këtë 24 vjetor, së bashku me familjen, vendosëm të bënim një vizitë te kjo “adresa” ime e parë. Aq shumë ma trazoi kujtesën ajo që pashë sa fillova t’u tregoja çdo moment të atyre dy javëve qëndrimi aty deri sa në datë 5 gusht 1991, më hipën në një mikrobus, dhe u largova për në malet e Sankt Antonit, në Gasthaus “kreuztanne” – kryqëzimi, mbasi ai ndodhej në kryqëzimin e tre rrugëve që të çonin në tre fshatra, nga pesë kilometra secila larg që aty. Ishte dëshira e familjes që, në fund të asaj jave, në datë 26, qysh në mëngjes, u nisëm për tek vendet që kisha shkelur e jetuar fillimisht. Për në Wieselburg, Scheibbs, Sankt Anton/Jeßnitz, Kienberg, Gaming, për të ndaluar në Gasthaus “kreuztanne”, aty, ku dhe filloi jeta ime e re.

Më parë, kisha shkruar vetëm disa sprova dhe ese me nga pak rreshta apo e shumta me nga dy–tre faqe të cilat i kisha përmbledhur në albumet e katalogët e ekspozitave të mia në pikturë e fotografi. Të parën gjë që bëra sa mbërrita të nesërmen në shtëpi, në Vjenë, ishte hapja e kompjuterit dhe me mendimin se do shkruaja diçka të shkurtër, fillova të shkruaja, e të shkruaja dhe në fund pashë që ishin bërë 270 faqe roman, për ta mbaruar në datë 10 gusht, ditën që u nisa për Amerikë, me një falënderim e mirënjohje për të gjithë ata miq e mikesha, të njohur e të panjohur që hynë dhe m’u gjendën pranë, në ato katër vite të fillimit të vështirë të jetës sime.

Romani është shkruar në një stil të lirë, spontan e tipik për shkrimet e mia ku nuk mungojnë përshkrimet e shumta, ironia dhe autoironia si dhe ngjarje dramatike që u përplasën në jetën time ato vite e ku secili do të gjejë vetveten apo dikë nga të afërmit. Ngjarjet fillojnë në 5 gusht 1991 nga hotel “Kreuztanne”, në Austri dhe mbyllet në Vlorë, më 4 korrik 1995. Për sa i përket kritikës, unë nuk e kam paragjykuar ndonjëherë vetveten përpara se të filloj punën se, po të kisha komplekse të tilla, s’do i isha futur autodidakt pikturës dhe fotografisë.

 

– Të kthehemi pak te realiteti shqiptar. Si do e komentonit ju punë tuaj në Shqipëri këto dy vite në qeverinë shqiptare?

 

– Në këto dy vite që unë jam aty, jam përkushtuar më shumë te puna për të cilën më sollën dhe

gjatë kësaj kohe kam realizuar shumë koncepte e krijuar strategji se si duhet të paraqitet Shqipëria me anën e artit e kulturës por nëpërmjet tyre, dhe në diplomacinë e arenën ndërkombëtare. Kam organizuar konferenca ku janë ftuar eurodeputetë e kryetarë komisionesh në Parlamentin Europian, ministra e mendimtarë, njerëz të thjeshtë e studentë e kemi debatuar mbi Shqipërinë e së ardhmes. Gjithashtu kam organizuar expo nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë ku janë paraqitur zhvillimet kulturore të vendeve anëtare të Bashkimit Europian si dhe ato shqiptare në këto vende e deri në Amerikë. Të gjitha këto i kam përmbledhur në dy broshura: Njërën me titull “365” dhe tjetrën me titull “182,5” si periudhë kohore një vjeçare dhe gjysmë viti të punës sime. Aty janë dokumentuar me fotografi e fjalime si dhe letërkëmbime e vizitat ku kam qenë i ftuar nëpër kancelaritë europiane dhe parlamentet e tyre. Këto broshura ia kam dorëzuar kryeministrit i cili i ka arshivuar në zyrën e tij.

 

 

– Ju u patë të jeni së fundi me kryeministrin në samitin e Vjenës. Si i analizoni ju këto zhvillime

dhe zgjedhjet e fundit lokale?

 

Për sa i përket punës së qeverisë më duhet të them se kur ne erdhëm, ashtu siç tha dhe Berisha kur iku, gropën e gjetëm të madhe dhe se falë Zotit, skenari grek deri më sot nuk është bërë i gjallë në ekonominë shqiptare, dhe kjo është për t’u admiruar. Sigurisht që dhe unë dhe jo vetëm unë, por dhe vetë qeveria, nuk është në pritshmëritë e saj aty ku duhet të jetë. Fakt është se janë hapur shumë kantiere njëkohësisht. Por, nga historia dimë që shumë komandantë e strategë kanë humbur luftërat vetëm e vetëm se i kanë zhvilluar ato në mënyrë paralele, në të njëjtën kohë, e në shumë fronte.

Por që fitorja të arrihet e pa u rrëzuar për të frenuar me hundë, kërkohen resurse të mëdha njerëzore dhe stafe shumë e shumë herë më cilësore se ato që ne kemi. Shumë nga anëtarët e kabinetit “Rama 1” janë të dispozuar drejt suksesit dhe rezultatet e punës së tyre së shpejti priten të jenë për t’u duartrokitur por, mes tyre si dhe në ndonjë institucion tjetër, gjen dhe ndonjë që është “elif marak” dhe tek i cili unë, dhe jo vetëm unë, nuk pres të shoh së shpejti ndonjë gjë të hajrit. E rëndësishme është që në këto dy vjet janë bërë disa punë për të cilat jemi përgëzuar nga Europa dhe se u njohën si arritje dhe në samitin e Vjenës. Unë jam i bindur se kryeministri në axhendën e tij ka të salduar thellimin e reformave dhe ecjen e tyre përpara për të cilat jo vetëm ai duhet të jetë i bindur që kjo është domosdoshmëri por, dhe vetë populli, që do t‘i duhet t’i mbajë ato mbi shpatulla.

Për sa i përket zgjedhjeve lokale, më duhet të them se ajo që ra në sy, ishte rezultati i çuditshëm që doli prej tyre ku të binte në sy se, sado që reformat e qeverisë kishin qenë të thella e shumë të ashpra, nga kutitë e votimit dolën rezultate që të bënin të kuptoje se dhe simpatizantët e Partisë Demokratike apo, si dhe vetë ata që ju prishën godinat e paligjshme e ata që ju prenë dritat e që ikën nga vendet e punës si të paaftë, në datën 21 qershor, plotë entuziazëm kishin votuar kolacionin për Shqipërinë europiane. Kjo mbasi, nuk kishe si ta kuptoje që sondazhet, të cilat partitë i merrnin shumë “seriozisht” flisnin në disa qytete për diferencë 200 votash dhe se në datë 22 qershor, gati-gati të gjitha qytetet, dolën me nga 14000 vota më shumë, ashtu siç nuk kishin dalë kur ishin votuar në kulmin e sukseseve të tyre apo në fillim të mandateve.

Unë shpresoj që kryelokalët e rinj t’i orientojnë qytetet e tyre drejt një strategjie të re, larg atyre të deri më sotme dhe se qëllimin kryesor të punës së tyre duhet të kenë rikthimin e shpirtit të arratisur prej kohësh të qytetarëve nëpër qytetet që menaxhojnë, atij shpirt që ka kohë që ju ka ikur atyre njerëzve diku larg, dhe që sot, po ju heq zvarrë me vete dhe trupat nëpër Europë dhe, të mendojnë tërë ditën që t’i bëjnë qytetet e tyre të jetueshme për të gjithë dhe mos të fokusohen në punën sesi ta kthejnë atë në një “reality shou” për t’u rënë në sy, shefit të tyre.

 

Bisedoi: Erion Habilaj