opinions, analysis and interviews

Laureta Petoshati -Kreuztanne

Laureta Petoshati

 

“Kreuztanne” i Fate Velaj, një pikënisje tredimensionale

 

Romanin autobiografik “Kreuztanne” të Fate Velaj çdokush, ashtu si dhe unë, do ta lexonte me një frymë. Ndoshta, dikush mund të pyesë se ku qëndron e bukura nëse autori nuk ka futur në punë fantazinë për të sajuar një histori, por ka treguar historinë e tij. “ E bukura është shkëlqimi i së vërtetës”- ka thënë Platoni, ndaj te ky roman autobiografik e bukura qëndron te vërtetësia dhe te përshkrimi i saj, i cili nga autori Fate Velaj është realizuar si një dantellë e thurur  ritmikisht me kujdes dhe me fantazi tepër të mprehtë. Është e vërtetë që autori shkruan mbi të vërteta jetësore personale, por ato janë dhe universale pasi emigracioni është një fenomen i përbotshëm, por mbi të gjitha këtë roman e shndërron universal mënyra e rrëfimit, që është bërë me një gjuhë të tillë, nga e cila del një estetikë, apo një etikë krijimi në bazë të së cilës qëndron përshkrimi psikologjik me anën e ngjyrës.   Fate Velaj e ka kuptuar natyrën e ngjyrës, prandaj është munduar për ta kontrolluar atë në çdo fjalë që ka shkruar. Edhe titullin “Kreuztanne”, që në shqip përkthehet “Udhëkryq” e ka mirë-menduar, që kjo fjalë të jetë jo vetëm polisemantike, por dhe përshkrimi që i bëhet këtij udhëkryqi sipas kryqëzimit të tri rrugëve ku njëra ngjitej në një të përpjetë të fortë, tjetra përbri zbriste teposhtë në një tatëpjetë të fortë dhe e treta në një rrëpirë të fortë, të bëhet si me vijat e pikturës në përvijimin e kontureve në një tablo, por edhe si ato të arkitekturës për krijimin e ritmeve hapësinore. “Udhëkryqi” është pika nga ku dalin  tre dimensionet hapësinore, që na e japin të plotë dhe të gjallë imazhin dhe zhvillimin e ngjarjeve në kohë dhe hapësirë.  “Udhëkryqi”është simbol i pikënisjes, i lëvizjes, i kërkimit të vetvetes dhe përsosjes, por ai  është dhe metaforë konceptuale. Te ky udhëkryq i jetës së Fate Velaj fillon rrëfimi i tij. Udhëkryqi është një vend me plot enigma ekzistencialiste. Të gjitha këto enigma, pikëpyetje dhe mistere zgjidhen hap pas hapi dhe kanë ngjyrimet e tyre emocionale gjatë gjithë rrëfimit. Në gjithë këtë rrëfim, autori del një vrojtues i mirë, zhbirues deri në imtësi, i dëlirë dhe pa komplekse.  Ai me anë të fjalëve krijon tablo të madhërishme të natyrës, e cila ndryshe nga koloriti i ngjyrave të një tabloje të zakonshme ka si në një karusel të lëvizshëm të gjitha ndryshimet e saj stinore përpos ngjyrës: zhurmën, aromën, heshtjen. Fate Velaj si një artist në shpirt me anë të fjalës krijon një atmosferë shpirtërore, një përshtypje shpirtërore, e cila lëviz, zhvendoset bashkë me ritmin dhe lëvizjen e natyrës  dhe botës. “Kisha filluar që dhe rrobat ti përzgjidhja plot ngjyra sa shpeshherë më ngjante se dukesha si fragmente të pikturave të mia”, thotë ai në libër, por në fakt gjithë libri duket si një galeri tredimensionale. Mjafton që të japim disa pasazhe nga libri për të kuptuar se sa vrullshëm përfshihesh dhe kalëron mbi ngjyra dhe imazhe që krijojnë sfonde metaforike : “Ishim ende në muajin gusht dhe hapësira rreth e rrotull ishte e mbuluar nga gjelbërimi, nga një jeshile, intensitetin e së cilës nuk e kisha parë ndonjëherë më parë, dhe s’do të kalonte shumë kohë dhe, dalëngadalë, ajo do t’ia linte vendin të verdhës dhe më vonë okrës e portokallisë, në një të kuqe gati në vishnje, për t’u zhdukur komplet në fillim të dhjetorit, ku gjethet do të binin të gjitha në tokë për tu mbuluar përfundimisht nga ngjyra e bardhë.” Idilet e natyrës duket sikur janë dhe idile të autorit, pjesëmarrja e tij brenda peizazhit të malit, apo të pyllit vjeshtak bëhet e dukshme pasi ai flet për ndryshimet e tyre sikur të flasë për ndryshimet e njerëzve.  Leksiku i ngjyrave bëhet i zhdërvjellët, rrota e ngjyrave apo spektri i ngjyrave, nga një organizim abstrakt dhe ilustrues i një shiriti ngjyrash që vihen njëra-pas tjetrës dhe që krijojnë një rreth që tregon marrëdhëniet midis ngjyrave kryesore, dytësore, tretësore, lëviz marramendshëm, krijon atmosferë magjike. Natyra është një metaforë dhe tërësia e shiritave të ngjyrave në natyrë duket si tërësia e hapave në një vallëzim ngjyrash, të cilat në përshkrim krijojnë sfond metaforik. Ja si e përshkruan autori soditjen që i bën vendit ku jeton: “nga dritarja do të shihje vetëm një hapësirë të madhe të gjelbër, diku një lumë dhe matanë tij, një mal plot me pemë që në pranverë ishte jeshil, në verë merrte nuancat e të gjelbrës dhe në vjeshtë bëhej nga i gjelbër, në të verdhë të plotë, për t’ia lënë kohës kur merrnin portokallinë e më vonë u fillonte “ndryshku” nëpër gjethe dhe ato do të bëheshin okër  dhe dalëngadalë fillonin të binin në tokë, ashtu njolla-njolla e bllama- bllama, dhe i gjithë mali dukej në fillim si me bikini për tu zhveshur më vonë komplet ku nga larg nuk ishte e vështirë të shihje vetëm trungjet, si allatet e burrave në plazhet nudo...”  Filozofi dhe kritiku italian Benedetto Croce na thotë se “e bukura është rezultat i një procesi psikik që nuk e ka barasvlerën në natyrë”, pra e bukura në këtë rast është te përjetimi shpirtëror i autorit. Fate Velaj duke jetuar në Austri natyrisht që u përfshi dalëngadalë dhe në kulturën, artin dhe filozofinë e këtij vendi gjermanik. Ai patjetër ka parasysh teorinë e Gëtes mbi ngjyrën dhe sidomos trekëndëshin origjinal të Gëtes, ku në kulmet e tij janë vendosur tre ngjyrat kryesore: e kuqe, e verdhë, dhe blu, ndërsa nënndarjet e tjera të trekëndëshave paraqesin përzierjen e dy ngjyrave bazë të  trekëndëshave të secilit kulm, e kështu me radhë.  Ajo që ka të përbashkët Fate Velaj me trekëndëshin e Gëtes janë dy ngjyrat kryesore të kulmit të tij. Ai ka përdorur shumë ngjyrën e verdhë dhe ngjyrën e kuqe. Ja se si shprehet Fate Velaj në roman mbi ngjyrën e verdhë:  “Kisha vënë re se e verdha ishte e pandashme në pikturat e mia. E donte apo nuk e donte peizazhi, e pranonte apo s’e pranonte piktura që realizoja, ishte pranverë ose dimër, e gjeja vendin ku e verdha mund të futej e të flinte e qetë mes ngjyrave të tjera dhe në pavetëdijen time më ishte bërë gati-gati e pashmangshme. “

Gëte mendonte se ngjyra “pavarësisht nga struktura dhe forma e materialit (të cilit i takon) ushtron një ndikim të konsiderueshëm... mbi gjendjen shpirtërore... Përshtypje të veçanta të ngjyrës... duhet të ndikojnë në mënyrë specifike dhe... të shkaktojnë gjendje specifike...ngjyra të veçanta shkaktojnë gjendje shpirtërore të veçanta”. Në përputhje me këto përkufizime, Gëte u vë ngjyrave të caktuara respektivisht gjendje psikologjike të caktuara të njeriut. Por po qëndrojmë te ngjyra e verdhë, të cilën Fate Velaj e vendos sipas gjendjeve shpirtërore të tij për të thelluar imazhin e stërmundimit, zhgënjimit apo dhe humbjes për shkak të vdekjes së ndonjë njeriu të dashur, si për shembull në pasazhet e mëposhtme:  “E verdha e dhomës po më dukej ndryshe. Pa jetë. Mehite. E verdhë e keqe ...e verdhë ngjyrë urine... Përveç dritës së rrugicës që sillte një të verdhë anemike, si ajo e tetraciklinës që përdoret për antibiotik, kur kuroheshe nga ndonjë ftohmë e madhe që kishe marrë dimrave gjatë kohës kur ishe në Shqipëri, nuk ndihej asnjë pipëtimë...”

Fate Velaj mbas së verdhës, ngjyrën kulmore në përshkrim ka ngjyrën e kuqe. Perceptimi i ngjyrës së kuqe të gjakut të sorkadhes së goditur nga makina, të sinjaleve të ashensorit, apo të emergjencës në spital, të shiritave të kuq që vendosen në tablo për të treguar shitjen e pikturave, është një formë aktive me emocione të forta pasqyrimi, e cila sintetizon mbresa të fuqishme estetike. Ngjyra e kuqe e Fate Velaj të trondit dhe kjo tronditje shoqërohet me një dridhje që shkon menjëherë deri në zemër. Tek e kuqja e tij e pastër lartësohet ndjeshmëria, ekspresiviteti artistik dhe forca tërheqëse emocionale, por kur ajo është “fauve”, që anon nga e kuqërremja deri tek e verdha, bëhet agresive, e egër, e përbindshme, mizore në përshkrimin e skenave të tilla çnjerëzore si ajo ku Fate Velaj flet për emigrantët boshnjakë dhe këtë lloj të kuqeje e përdor në ngjyrimin dhe gjakimin shpirtëror si më poshtë: “Kur i shihja karvanë-karvanë, pleq e plaka e në të shumtën e rasteve gra me shami të bardha në kokë e me plaçka e fëmijë të vegjël në duar, ashtu të përlotura e kokën që e kthenin për të parë për herë të fundit ndonjë copë nga shtëpia e tyre që dilte përsëri nëpër pamjen e zymtë, mes grisë së hirtë dhe të verdhave të flakëve që herë pas here bëheshin të kuqe si flakërima e syve nga netët pa gjumë...”

Intensiteti i ngjyrave shkon në përputhje me intensitetin e ndjenjave të autorit dhe me gjendjen shpirtërore të tij. Ai kërkon të gjitha ngjyrat e jetës, ngjyrat që e shkëndijojnë botën shpirtërore të tij, të cilat ashtu si dhe dielli e mbushin me ndjenja gëzimi.  Duket sikur shpirti i tij është në kacafytje me trishtimin, kur këtë ndjenjë ai e përshkruan si më poshtë: “sipër nesh ishte një diell i ngrohtë, dhe ku nëpër pemë vihej re që ngjyrat e verdha e të kuqërremta të vjeshtës ishin në kacafytjen e fundit me grinë e zbehtë dhe të bardhën e ftohtë që i priste mbasi të kishte pllakosur dimri.” Duket sikur shkrimtari Fate Velaj nuk i ka raportet e mira me të bardhën e dëborës, me  grinë monotone që krijon ajo, ndaj e quan  atë “bardhësi e grije të ftohtë”, madje shkon më tej në drithërima vibruese kur flet për trishtimin që e kaplon nga ardhja e dimrit kur shkruan se “...çdo gjë ishte e pangjyrë ose vetëm njëngjyrëshe. S’e merrja vesh si mund të bëhej natyra e tillë. Si radiografia e kraharorit ku pemët më dukeshin si brinjët. Gri. Pa formë. Pa ngjyrë. Pa shije, pa kripë. Bajate.” Por Fate Velaj me të njëjtën ngjyrë, me të bardhën e ftohtë të dëborës  arrin të pikturojë me fjalë magjike çastin madhështor kur dëbora bie me flokë të mëdha sa të ngjason me paradat ku priten personalitete të larta dhe mbi ta që nga majat e rrokaqiejve apo avionëve të vegjël hidhen miliona copa të vogla letre për të krijuar një atmosferë magjike mirëseardhjeje. 

Madje, ka një çast të një ëndrre ku Fate Velaj e përdor ngjyrën gri në funksion të kohës, si mister i saj në lidhjen midis brezave nga gjyshja, babai, ai vetë dhe fëmija i tij që lindi i pajetë. Grija e tij lëviz si dallgët, si shkuma, bëhet e lëngshme, e rrjedhshme, e pakapshme si koha. Ja një fragment i sqarimit të kësaj ëndrre: “Me sytë dhe unë te dallgët që përplaseshin kur i afroheshin bregut, kërkoja në bardhësinë e grinë e shkumës së kripës që krijohej në to, ato figura të hirta, të kripura si lotët e atyre netëve të mesprillit. Ku në ëndërr, dy net rresht, më dilte ajo gruaja me flokët e thinjura e me fytyrën që i rridhte diçka e lëngshme, të cilën nuk e kuptoja dot se çfarë ishte, por që na paskëshin qenë lot... “ Duket sikur Fate Velaj bën një shmangie, apo një dalje nga koha njerëzore duke kaluar në tjetër përmasë kohore, për të cilën Shën Agostini thotë se “është e qartë dhe e dukshme: janë tri kohë, e shkuara, e tashmja, e ardhmja; por ndoshta ju duhet të thoni: ka tri kohë, e tashmja e së kaluarës, e tashmja e së tashmes, e tashmja e së ardhmes. Në fakt, këto tri kohë janë disi në shpirt, dhe nuk e shoh se ato ekzistojnë diku tjetër si realitet: E tashmja është kujtesa e së shkuarës, e tashmja e të tashmes është vizioni i drejtpërdrejtë, e tashmja e të ardhmes është pritja ... Koha nuk më duket asgjë tjetër , veçse një zgjatim (shtrirje), dhe do të ishte e çuditshme nëse ajo nuk ishte e njëjtë me zgjatimin e shpirtit.”(Shën Agustini i Hippo-s, Rrëfimet XI, 14, 17: 20, 26, 26, 33)

Përpos kësaj, Fate Velaj ngjyrave u pranëvendos bashkëndijime me tinguj, shije, aromë, lëvizje për të arritur shpejt te sinestezia ku për shembull ndjesia e ngjyrës evokon atë të tingullit, ose anasjelltas për ndjesi të tjera.  Ai përdor shpesh sinestezinë në letërsi kur shkruan shprehje të tilla si: “Drita të shushatura”, “muzika kërkonte të zinte vend mes njerëzve dhe tymit të duhanit”, “dielli kishte bërë jatakët gati”, “po më hiqte pluhurat nga shpirti”, “më çori shpirtin”, “motor që të pickonte veshët”, “stinë xanxare”, etj. Bukuria më e madhe në roman qëndron në përshkrimin e dritave, të cilat me dinamikën e tyre, venitjen, dobësimin, forcimin, intensitetin, lëvizjen si në rastin kur zhvendosen së bashku me ujërat nën urë, bartin përjetime e emocionale të drejtpërdrejta dhe ndikojnë fuqishëm në ndjenjat estetike të autorit, i cili është njëkohësisht dhe personazh. Ndjenjat estetike do të veprojnë si një gjenerator për të na ndriçuar ngarkesën emocionale të shqisave të tij, të cilat do të arrijnë të kapin çastin e dritës derisa ajo të depërtojë në thellësi të shpirtit e të realizojë atë që autori e quan “pikturoj në thellësi të dritës.” Ja pra, kjo ishte ajo që i duhej tablosë së përshkrimit për ta bërë tredimensional: thellësia. Autori e ka ndjerë nevojën e saj ndaj e ka realizuar në mënyrë të vetvetishme. Ky ishte çasti që Fatja arrin evolucionin krijues, ndryshimin, i cili dukej i padukshëm në atë botë mes malesh, por ndodhi dhe ai zhvendoset në Vjenë. Ndodhi ajo që filozofi francez Henri Bergson, tek “Evolucioni Krijues” e shpreh pikërisht kështu: “E vërteta është që ne ndryshojmë pa pushim ... nuk ka dallim thelbësor në mes të kalimit nga një gjendje në tjetrën dhe përsëritjes së vazhdueshme në të njëjtën gjendje. Nëse gjendja, e cila “mbetet e njëjtë” është më e larmishme se sa e mendojmë ne, [pastaj] në anën tjetër kalimi i një gjendjeje në një tjetër i ngjan, më shumë se sa ne e imagjinojmë - një gjendjeje të  vetme që zgjatet: ndryshimi është i vazhdueshëm. Vetëm për shkak se ne mbyllim sytë në ndryshimin e pandërprerë të çdo gjendjeje fizike, ne jemi të shtrënguar, kur ndryshimi është bërë aq befasues sa na detyron të kthejmë vëmendjen tonë ndaj tij, për të treguar po ashtu se si një gjendje e re u vendos pranë asaj të mëparshme. Edhe mbi këtë gjendje të re ne supozojmë se ajo mbetet e pandryshueshme në kohëzgjatjen e saj e kështu me radhë në pafundësi.” 

Për këtë ndryshim flet Fate Velaj në romanin e tij, për zhvendosjen tredimensionale nga udhëkryqi e për të nisur një fillim të ri, më cilësor e më frutdhënës.