opinions, analysis and interviews

Aleksander Çipa - Kreuztanne

KREUZTANNE - kur autori eshte vete personazhi

I pyetur dikur për një kryevepër të menduar, por të pashkruar, shkrimtari magjik Ernesto Sabato ishte gjegjur: E kam menduar se si mund ta kisha. Nëse do të mundesha të mblidhja gjithë refleksionet filozofike për jetën dhe vdekjen që njerëzit përcjellin në momentet ceremoniale të mortit njerëzor. Përgjigjja e sinqertë dhe imagjinata madhështore e shkrimtarit gjenial, bëhet edhe më e provueshme në rastet e të qenët në morte dhe të të ndjerit e dëgjuar të bisedave njerëzore në kësi ritesh. Por po kaq e perceptueshme dhe e ndjeshme bëhet edhe kur has në lexime të shumta e të ndryshme kapituj të autorëve që nuk kanë parahistori letrare. Madje mund të ndodhë që edhe mund të kenë vijim-historie letrare. Nuk është e thënë. Në librin pa gjini “Kreuztane”, Fate Velaj është një autor që ka një histori vetjake prej artisti. Një histori të cilën miku i tij, por së pari filologu dhe esteti Luan Topçiu e karakterizon si një të dhënë origjinaliteti. E mishëruar kjo e dhënë në dhjetëra pikturat e veta, në disa qindra realizimet fotografike dhe në shumë ese të veta. Të gjitha këto së bashku të materializuara dhe të lëna si ngjyra me substancë të plotë kuptimore dhe si tekste e imazhe me ngjyra të vlershme dallimi, e evidentojnë autorin e një formimi kulturor shqiptaro-austriak, si profil origjinal, pa shëmbëllakë dhe sidomos pa një model të kuptueshëm alteregoje. Libri “Kreuztane” është rasti i një krijimi autobiografik, për të cilin metodologjikisht mund ta kemi plotësisht të vështirë të përcaktojmë zhanrin apo gjininë letrare. Sepse është arkitekturuar në një mënyrë të tillë që mund të ngjitesh në pretendime sipërane krahasimi, sikundër të zbresësh edhe në referenca të gjendshme përafrimi letrar. Matanë kësaj, romani i pacilësuar përbën variantin atipik të krijimit të një autori-personazh që ia del të surprizojë si personazhi-autor. Në rrëfimin aq të thjeshtë dhe befasues, në dialogët dhe monologët racionalë që ia dalin të injektojnë te çdo lexues fitimin e menjëhershëm të vëmendjes dhe kureshtjes për atë që ngjet dhe atë që vjen, mund të them se kam përjetuar dhe perceptuar atë që filozofikisht e shpreh Jacqued Derida për dialektikën, i cili e shpreh shkurt në formën e konstatimit këshillues: “Përsërit vetveten duke u zhvendosur”. Ky konstatim filozofik është një kod për të lexuar përhershmërisht pikturat e piktorit Fate Velaj dhe së fundi edhe librin në prozë të tij “Kreuztane”. Pa iu shkëputur Deridas, i cili shton se: “Mendoj se nuk duhet t’i zëmë besë pamjes jo autobiografike të teksteve të quajtura të vjetra, as edhe pamjes autobiografike të teksteve të quajtura të vonshme”, do të doja të mbetesha tek ajo që në krejt tekstin letrar të Fates, gjatë leximit tim krijoi gjendjen dhe ndjenjën komplekse të sëmbimit dhe përjetimit. Është fjala për kapitullin më të zymtë të jetës dhe pritjes në Kienberg. Për atë kapitull që për autorin –personazh jeton si pasazh i jetës dhe që ka brendinë e plotë të një drame vetjake të shkuar, por të pashuar. E tillë mbetet edhe në përjetimin e lexuesve, e paharruar. Në letërsi të bësh të paharrueshme të paharrueshmen, është meritë autoriale. Në këtë kapitull personazhi-autor pret ardhjen e parë të një jete në jetë. Është krejt një realitet që fantazohet dhe një botë që përjetohet e cila shembet, duke kaluar paraprakisht në shfaqjen halucinante të hijes së hirtë njoftuese. Është parapsikologjia që e njofton autorin-personazh për rrëmbimin e pambërritshëm të engjëllit që pritet në jetën bashkëshortore. Kjo pjesë e rrëfimit mrekullisht të thjeshtë, përbën ndoshta një rast të një arritjeje narrative dhe stilistikore në prozën e sotme tonën. Sfondi dhe sidomos skena e marrëdhënieve ndërnjerëzore në këtë kapitull, solidariteti austriak me dhimbjen e thellë të kandidatëve për prindërim, sërish mund t’i konsiderojmë si lexues mishërim të asaj që konstaton Derida, aty “nuk mund të ketë miqësi, mikpritje apo drejtësi përveçse aty ku është marrë parasysh tjetërsia e tjetrit”. Personazhi-autor në këtë rast dramatik të jetës vetjake nuk thërret magët që mbretëresha e vet të lindë pa dhimbje, por drama rrëfehet nën lotësinë e brendshme të personazhit thellësisht njeri. Këtë zgjidhje në tekst autori e ka realizuar në saktësinë dhe mishërimin e një alkimie reale. Më tej ai e sheh kapërcimin jo si prozator klasik, as si shkrimtar që i mbyll me peizazh kapitujt, por si një piktor i shpirtit. Një strofë e poetit Rilke, ndan kapitujt e jetës së emigrantit autor… Në të gjithë nënkapitujt e përsëritjes vazhduese të historisë autobiografike të Velajt, si lexues ndeshesh me personazhe dhe emra që gjallojnë në jetën rrethuese të emigrantit të “Kreuztane”. Janë ndoshta një meritë që në këndvështrimin letrar do të nevojitesh të shihesh posaçërisht si një prurje në këtë prozë. Emrat e bashkëgjendësve të personazhit autobiografik të Velajt, i cili meritshëm ia ka lënë emrin thjesht për tek autorësia e librit, përbëjnë modelet njerëzore të asaj pjese të Europës së dikurshme dhe të sotme që tjetër regjim dhe fetari kanë për solidaritetin dhe mbështetjen e të huajit. Në ato zona aq periferike, pra në fshatra si Gasthaus, Gaming, Scheibbs apo Kienberg etj., ajo që referon filozofi Levinasit, “gjuha, domethënë drejtimi ndaj tjetrit, është në thelbin e vet miqësi dhe mikpritje”. Në këtë qasje, libri “Kreuztane” është plotësisht një sprovë befasuese e dëshmisë origjinale të fenomenit njerëzor të mikpritjes. Në romanin e jetës së Fate Velajt është e qartëshpalosur e përditshmja austriake e një mirësie njerëzore ndaj emigrantëve të ndryshëm dhe të shumtë në diferencat dhe përkatësitë etnike, qytetare dhe kulturore. Personazhet e peneluar si Soner, Sevdalliu apo zoti Konul, personazhe periferikë të së njëjtës përkatësie etnike, janë rast i shkëlqyer i krijimit të një tabloje të plotë perceptimi për modelet njerëzore të integrimeve të ndryshme në të njëjtin vend emigrimi. Autori në këtë libër ia ka dalë të ndjekë linjën rrëfyese dhe logjikën dialektike të jetë-rrëfimit, sikundër suksesshëm në pikturat e veta ia del të ngjizë idetë përmes amorfësisë së ngjyrave. Strukturimi i këtij libri autobiografik është modelimi i suksesshëm, jo për shkak të kulturës dhe talentit të madh shkrimor, por për arsye të konstruktivitetit që ka me lirinë e vet rrëfyese. Në pikturë Fate Velaj sugjestionon përmes shprishjesh skicuese, ndërsa në tekstin letrar impresionon përmes thjeshtësisë së fjalës së ngjyrshme.