opinions, analysis and interviews

Violeta Allmuca - Kreuztanne

Askush nuk mund të na e mbushë mendjen ne dhe asnjeriu tjetër se ky libër është libri i parë i Fate Velajt, por as i fundit...

Në kontekstin historik, romani autobiografik, “Kreuztanne” na sjell ngjarje të së shkuarës ku mungesa e lirisë shfaqet te personazhi kryesor si një mur, kur qenia njerëzore frymonte ëndrra. Autorit i duket se i mungon liria dhe kërkon një botë tjetër. Ai e ndien edhe kur hedh në telajo peizazhe, le të kujtojmë “Urën e romakëve” pikturën që e pëlqenin të gjithë, sepse urat lidhin botët dhe njerëzimin. Në artin letrar, Fate Velajn e rëndon pezmi i krenarisë njerëzore.

Sot letërsisë shqipe i shtohet edhe një shkrimtar edhe një vepër e re artistike. Është diçka e rëndësishme në letërsinë e sotme të shprehesh për një vepër letrare aq më tepër për veprën e parë të një artisti që përveç pikturave na sjell një autobiografi autentike vetjake që ka një burim të çuditshëm, botën e ëndrrave që dikur quhej letërsi surrealiste, por që në librin me titull: KREUZTANNE-Udhëkryq, ëndrrat na shfaqen si një synim i artistit në një realitet. Shumëkush mund të pyesë, si lindi kjo vepër? A është i mëvetësishëm dhe origjinal autori? Si lindi ky tekst letrar? Ku dhe kush e frymëzoi atë të shkruante jetën e tij? Askush nuk mund të na e mbushë mendjen ne dhe asnjeriu tjetër se ky libër është libri i parë i Fate Velajt, por as i fundit. Mund të vlerësojmë pa hezitim se kjo autobiografi në formën e romanit me një stil të lindur nga vetvetja e autorit, ka lëndën e duhur, esencën e fjalës dhe thelbin e rrëfimit. Ngjyrosja e brendësisë së tekstit letrar është ndoshta pjesë e pikturës, e cila e ka bërë autorin sot një artist të njohur nëpër galeritë e pothuajse pjesës më të madhe të botës. Letërsia me sa duket është dashuria e dytë e Fate Velajt si një akt për të na treguar jetën e njeriut nëpërmjet fjalës artistike. Gjithësia e vështrimit të autorit ose ajo që quhet bota e tij letrare vjen mbikohën si një përjetim individual, nga shenjat e kujtimeve që formësojnë veprën tij. Vepra është një rrëfim i gjallë. Në një botë tjetër, të ndryshme, siç nuk e kishim imagjinuar lëvizin një mori personazhesh, ngjarjesh, lidhje e miqësi njerëzore, me të cilën njerëzimi kryen misionin e vet. Një personazh po aq mbresëlënës është edhe figura e Melos, të atit të autorit, një njeri i mbushur me kulturë, piktorit Richard Braun, dr. Kladning, Erich Breselmayr etj., ndoshta shumë personazhe artistike siç thotë edhe zoti artist Fate Velaj, siç e thërritnin njerëzit në rrugë kur u bë një nga piktorët më të njohur të Austrisë e më gjerë. Përmasa e tij individuale dhe shqiptare u kthye në vlerë të përgjithshme për artin e vërtetë në botën e qytetëruar, ku ëndrra e tij u bë një realitet i pakthyeshëm.

Njerëzit nëpër kohë i kanë ruajtur si thesare ëndrrat, sepse kanë ecur me shpresën për t’i besuar ato. Dikush i ka ruajtur në xhep, të tjerë i kanë ruajtur brenda vetes, kurse ëndrrat e Fate Velajt ishin futur në një dollap të fabrikës në Kienberg ose në magazinën e tij të kujtimeve, duke na sjellë një vepër të çuditshme, ku kryepersonazh kryesor ka vetveten dhe personazhe nga bota që e rrethon. Autori është një personazh real i cilin e ndien se jeton edhe jashtë realitetit. Mbi madhështinë e ëndrrave qyteza e vogël Kienbreg kthehet në një ngadhënjim. Fate Velaj na ka dhënë ne të gjithëve atë që në letërsinë e sotme botërore përmban në vetvete zotërimin e sublimes, pra lëndën shpirtërore. Është e natyrshme që kjo vepër të jetë befasuese ku autori nëpërmjet fatit dhe jetës së tij ka shpalosur rrëfimin edhe për fatin dhe jetën e njerëzimit.

Romani përshkohet nga fillimi deri në fund prej kujtimeve që nuk janë aspak fantazi në raport me të vërtetën ose një sfidë ndaj kohës dhe hapësirës, por vetëm një monument i jetës së gjallë njerëzore. Duke e vështruar jetën e tij si një figurë reale të krijuesit të kësaj vepre ai është biri, djali, burri dhe autori që ka hedhur në letër veten duke na sjellë nëpërmjet kujtimeve raportin e njeriut me artin e të shkruarit. Në këtë vepër ka ngjarje të ndryshme, ide të ardhshme, parandjenja, raporte njerëzore, përjetime, skena të papërsëritshme, ku spikasin marrëdhëniet me jetën, tragjiken dhe përtëritjen. Fate Velaj, jo vetëm ngjyros peizazhet, por edhe shkruan për figurat e njerëzve në thellësinë e dritës. Edhe pse hapësira i shfaqej gri në majën e një mali ku e kishte hedhur fati dhe jeta, qetësia i ngjante një reanimacioni spitali, kryepersonazhi kryesor kërkonte në ëndrra një qetësues kundër trishtimit. Të panjohurat e fillimit e shtynin të besonte se drita njerëzore ishte më e fuqishme se thellësia e errësirës. Kur shikonte refugjatët e Bosnjës që e urrenin luftën, rumunët e zhgënjyer dhe njerëzit që në kujtesë kishin ende bunkerët gri të vendit të tij, pyeste veten, se mos ëndrrat ishin një zhgjëndërr? Ai lumturohej kur përjetonte qytetërimin e turqve që jetonin ne Kienberg. Ndiente erë qytetërimi në vendlindjen e tij Vlorën. Kohët kishin ndryshuar. Nuk është rastësi që Fate Velaj në shumë faqe të librit shkruan për ngjyrat të cilat i reflektonin ndryshe në sy, të ftohta, të verdha apo ngjyrë ndryshku!

Pas dimrit i dukej se vinte një pranverë e mjegullt ndryshe nga pranvera që më shumë qetësonte valët e detit ku përjetonte dikur stinët në atdheun e përjetshëm. Jeta i fliste me një gjuhë ndryshe duke e mësuar se në hapësirën dhe kohën e ëndrrave, shpirtin e kishte edhe në atdhemëmëdheun e tij. Jeta në Kienberg i ngjante një filmi bardhezi thotë autori. Njeriu mund të hiqte pluhurin nga shpirti, por ëndrrat duheshin jetësuar. Romani autobiografik si vepër letrare ka edhe konceptin e saj estetik gjatë rrëfimit. Risia universale shfaq jo vetëm historinë e tij personale, por historinë e secilit prej nesh.

Imazhi artistik gjithashtu është një harmoni e shpirtërores me përshkrimin që arrihet me mjeshtërinë artistike. Duke qenë një rrëfim personal i përqendruar mbi jetën e artistit, Fate Velaj ka arritur të na japë tone të natyrshme rrëfimore. Ai përshkruan me një veçori të rrallë natyrën, me pasionin që ka për artin e ngjyrave gjithçka që e bën veprën të veshur me vlera estetike duke na bërë të njohur madhështinë dhe shkrirjen a artistikes me të bukurën. Duke përshkruar portretet njerëzore me artin e fjalës, Velaj nuk harron se me anë të penelit arrin të shfaqë reflektimin e jashtëm dhe brendësinë e personazheve. Kjo përcjell edhe historinë e fëmijës së vdekur që ishte një dhimbje e thellë shpirtërore për Klarën, një personazh femëror që shfaq vetëdijen estetike te lexuesi i gjerë. Përshkrimi i botës së saj përcjell mesazhin e jetës. Në kontekstin historik, romani autobiografik, “Kreuztanne” na sjell ngjarje të së shkuarës ku mungesa e lirisë shfaqet te personazhi kryesor si një mur, kur qenia njerëzore frymonte ëndrra. Autorit i duket se i mungon liria dhe kërkon një botë tjetër. Ai e ndien edhe kur hedh në telajo peizazhe, le të kujtojmë “Urën e romakëve” pikturën që e pëlqenin të gjithë, sepse urat lidhin botët dhe njerëzimin. Në artin letrar Fate Velajn e rëndon pezmi i krenarisë njerëzore. Memoria artistike e këtij kryepersonazhi në linjën e ngjarjeve, mallkon ëndrrat e errëta teksa rizbulon përsiatjet në detin e thellë të dhimbjes, por edhe të shpresës. Ai e kupton se i ka mbijetuar kohës si shenjë e besueshme që jeta ishte një ëndërr frymëzuese për të gjithë njerëzimin.

Si vetë rrjedha e lumit, apo valëve, vetë ëndrra, kjo dilemë e Fate Velajt kthehet në sfidë jo vetëm në përjetimet e personazheve, por dhe në historinë e tyre jetësore që në roman shfaqet e njëjtë me personazhin e autorit. Edhe pse autori i është dedikuar artit, ai bart në vetvete mendimin e së bukurës duke përdorur deshifrimin jetësor të ëndërrimit. Në kujtesën e tij ai na sjell një thesar me histori jetësore duke rrezatuar përmes botës shpirtërore rrëfimin artistik. Pra romani bëhet pjesë e jetës shoqërore të njeriut, i cili sfidon çdo kohë të trazuar dhe kohë të humbur. Me një dhunti të thellë ai na mëvetëson qenien tonë duke e pranuar jetën si një ëndërr për të cilën ky roman autobiografik është i besueshëm ashtu si protagonistët që flasin për veten, ashtu siç flet edhe kryepersonazhi nëpërmjet formës artistike. Rryma e jetës sinjalizon një botë ku ëndrra shfaqet po aq reale siç shfaqet e vërteta universale. Fate Velaj i bindet UNIT të tij. Letërsia e vërtetë për shkrimtarin e ardhshëm është prej ëndrrash në thellësinë e dritës duke na sjellë vlera të reja gjuhësore e artistike, në letërsinë e sotme bashkëkohore.