opinions, analysis and interviews

Pėrparim Demi - Kreuztanne

KREUZTANNE 
Udhëkryqi

Kur mbarova së lexuari librin, vura re se ditës po i afrohej fundi, kishte rënë mbrëmja dhe unë i humbur në ato rjeshtat që më kishin përpirë në atmosferën e varrimit, i përjetova ato momente të dhimbëshme për autorin, sikur të isha unë personazhi. Mbylla librin dhe ndeza dritën e dhomës së hotelit e lodhur CORSO në qëndrën e vjetër të Buzãut, ku kam tre muaj që kaloj netët mbas punës në uzinën HPM (Hartey Petrolium Manufacturing). Sot në mëngjes kisha shkëmbyer mesazhe me Faten, i cili më pyeti për mendimin tim për librin e tij. Tani që e përfundova së lexuari e kuptova se edhe sikur mos e njihja fare Faten, patjeter do kisha shkruar për këtë libër. Më lindi dëshira të hidhja në letër mbresat e mija. 
Nuk e di kush ja dha idenë e ketij titulli, por zor se do gjeja një më të përshtatshëm. Jeta jonë, e të gjithë shqipetarëve, në këtë periudhë është udhëkryq, aq më tepër e mërgimtarëve. Ne ikëm, u shkëputëm nga vëndlindja dhe ajo na shoqëroi në ҫdo hap, e mbartëm me vete kudo që shkuam. Ishte thesi me gurë që na rëndon në kurriz, thesi që sa vjen e rritet, bëhet më i rëndë, aq sa na duket si pjes e trupit nga e cila nuk shpëton dot pa dhimbje. Ne që jetojmë me dy shtetësi, dy mëndësi, ku kryqëzohet e shkuara me të ardhmen, ku përzihet hidhërimi me gëzimet bashkë, malli me vullnetin dhe ambicjen, pasiguria e shkuar me sigurinë e fituar, pra ne përjetojmë gjithshka së bashku, të pandara. Ne ikëm të ngarkuar me shpresa, pastaj, u bëmë vetë burim shprese, e cila na detyron të zgjedhim në ҫdo udhkryq. Nganjëherë më duket sikur jemi në kozmos dhe na duhet të zgjedhim se drejt cilës galaksi duhet shkojmë për të gjetur planetin ku ka jetë. Pra ne me dy shtetësi i kapërcejmë shpejtë largësitë kozmike, pasi shpesh vendimet i marrim emocionalisht në ҫast, pa u menduar shumë, sikur ta dinim që më parë rrugën tonë, sikur të kishim lindur bashkë me të. Ne ikëm nga perëndon dielli, pa e vënë në dyshim fare, sikur mos egzistonin dhe rrugë të tjera dhe diskutimi në këtë pikë na dukej i pakuptimt. 
Ndoqa rrugën e Fates, në atë fshatin malor ku njerëzit flisnin gjermanisht, por ҫuditërisht i ndjeva shqip. Bile, ata austriakët e panjohur mu duk sikur mendonin shqip, pa ҫka se e shprehnin gjermanisht. Me siguri që dhe në genet e tyre kishin diҫka shqipetare, pasi nuk vura re asgje të veҫantë që ti dallonte. Ndoshta ata ishin shqipetarë që e kishin haruar gjuhën e parë të tyre, por jo gjithshka, si për shëmbull mikpritjen, kurreshtjen, dashamirsinë, dhëmbshurinë, kujdesin, mirenjohjen, dhe shumë gjëra të tjera njerëzore që gjeta në faqet e këtij libri. Tek ne ka ndodh ndryshe, ne ruajtëm gjuhën dhe haruam të tjerat. Autori-personazh pas njëfarë kohe  morri guximin të shkëputej dhe nga ata, pasi rruga e tij duhej të vazhdonte, gjë që shumë prej atyre “shqipetareve” gjermanfolës u mungonte kjo gjë, prandaj dhe e panë atë me admirim në momentin e ndarjes. 
Në këtë libër gjeta shumë natyrë dhe mu dhimb vetja që jetoj mes betonit dhe asfaltit. Dikur do e zgjidh dhe këtë problem. Lexoja dhe humbisja në kujtime për ajrin e pastër të maleve tona. Mu kujtuan ngjyrat e borës dhe të qiellit në atë mëngjesin e janarit (1980) kur marshuam perms pyllit në Stravaj. Ngjyra që vetëm në filmat japoneze kisha parë dikur (Shpataria e verbër). 
A keni parë borë të kaltër nën një qiell blu të errët me yje të verdhë? E pra, unë e kam jetuar atë moment gdhirje malore dhe se haroj dot. 
Ndoqa me vëmëndje rritjen e një artisti dhe mu kujtua “Gjeniu” i Drajzerit. Gjithmon kam patur idenë se njëriu nuk mund të jetë i njëanshëm, si me thënë i specializuar vetëm në një drejtim. Të gjithë kanë talent, por janë pak ata që e kultivojnë, ata që punojnë për të shprehur ndjenjat dhe emocionet në forma të ndryshme. Shumica i trëmben, ndjehen të pasigurt, ndjenja e inferioritetit i mban të lidhur dhe i tërheq drejt rutinës mbytëse që mbulon mjedisin urban subkultural nga kemi ikur. 
Krijimtaria ka burime të brëndëshme, ajo shpërthen si gajzer kur i hapet rruga, është si puna e divit të mbyllur në shishe tek përallat e Sheherezades, tek llampa e Aladinit. 
Autori-personazh e kishte talentin që kur lindi, por pati nevojë për atë përkrahje të sinqertë të austriakëve provincial që të shperthente, pikërisht në atë udhëkryq malor në vend të huaj. Ata jo vetëm që e përkrahën, e mbështetën moralisht, por e birësuan dhe filluan të ndjehen krenarë për të. Këtu jemi në një botë krejt tjetër, të cilën shumë nga tanët nuk arrijnë ta kuptojnë. Duhet ta jetosh që të bindesh se egziston një diҫka e tillë, përndryshe mund të lexosh këtë libër që të të mbushet mëndja, veҫ me konditë që të besosh në sinqeritetin e rrefimit. Në asnjë rrjesht dhe në asnjë faqe nuk vura re përҫmimin dhe as zilinë, sëmundje aq e përhapur në vëndin tonë, sidomos në periudhën e fundit. Pra ky rrëfim i gjatë, një copëzë jete, na vë përball kontrastin, që na bën të dallueshëm sot. Të dallueshëm kemi qënë edhe më parë, por me sens tjetër. Bajroni, pasi u kthye në vendin e tij, ua përplasi në fytyrë lordëve të majmur, duke i këshilluar të merrnin shëmbull nga fisnikëria e shqipetarëve dhe kultura e tyre. Nejse kjo është pikë tjetër, muhabet i gjatë. 
Supersticioni u ndërfut natyrshëm në strukturën e ngjarjeve. Ëndrat, enigma, kombinimi i reales me irealen dhe mos shpjegimi i koinҫidencave përherë ka qënë magnet dhe ndjell besimin e të pabesueshmes. Para dyzet vjetësh, kur ndodhesha në një vend tjetër, 10000 km larg, pash një ëndër të tillë, një javë rrjesht, pash varrimin e tim eti dy vjet para se të vdiste. Përsëritja e përditëshme e asaj ëndre më tronditi dhe ne atëhere s’kishim telefona dhe internet që të lidheshim. Prisja letrën mujore që të merrja vesh për njerëzit e familjes. Në libër flitet për dy ëndra të sinkronizuara në kohë, që iu shfaq dy njerëzve (at e bir) ne një distance 1500 km larg. A thua se është një koinҫidencë? Unë nuk jam besimtar, por pranoj disa teori të tjera. Ndoshta s’ka ardhur koha akoma të zbulojmë të gjitha të fshehtat që na rrethojnë. Vetë ne jemi një e fshehtë e madhe. Sa pak që dimë ! 
Në këtë libër ndjeva mirnjohjen e madhe të autorit-personazh ndaj vendit të ri që zgjodhi. Shumë natyrshëm, thjesht, pa kurfarë ekzagjerimi, krijoheshin marrdhenie njerëzore me sejcilin personazh të ri që na prezantonte. Këto marrdhënie kishin dinamikën e tyre, disa ishin periferike, ndërkohë që disa të tjera zhvilloheshin deri gati në afrim vëllazëror. Nga kjo pikpamje libri transmeton ngrohtësi njerzore gati ideale. Kjo me siguri ndodh pasi mjedisi atje e kultivon atë kulturë dhe njerëzit janë të ndërgjegjshëm për këtë. Aftësi e autorit është se diti të na e prezantonte dhe neve lexuesve duke e ngjyrosur me talentin e tij artistik të kombinuar me humorin vlonjat, që i jep koloritin e duhur, mjaft mirë të dozuar. 
Përshkrimet janë të bollshme, aspak të mërzitëshme, me një tendencë për hollësitë. Eshtë përdorur mjaft mirë teknika e prezantimit të pejsazhit duke u nisur nga një apo disa detaje. Vështirsia është në zgjedhjen e detajeve simbolike që kanë aftësinë për të përfaqësuar, apo për të theksuar një nuancë të caktuar që mbështet idenë kryesore. Nga ana tjetër, gjëja më e rëndësishme është ideja qëndrore, e cila ka një evolim (sich entwickelnden) të besueshëm. Mundësia e integrimit të përshpejtuar në një vend plotësisht  të huaj, në kushtet e mos njohjes së gjuhës vëndase. Kjo ide është argumentuar sakt dhe për këtë mund të dalim dëshimtarë shumica e emigrantëve shqipëtarë të shpërndarë në tërë botën. Unë vetë kam patur një trajektore shumë të ngjashme me atë që rrëfehet në këtë libër. Shumë ndodhi të ngjashme më kanë ndodhur dhe mua. Pra ajo që ndjehet gjatë leximit të kësaj vepre është karakteri i saj përgjithësues, përfshirës, që gjithkush mund ti konstatojë lehtë ngjashmëritë. Për shëmbull, kthimi me target dhe “kontrollet” policore. E kush nga emigrantët shqipëtar si ka provuar, apo se ka shijuar atë trajtim special, sapo ka kaluar kufirin shqipetar në vitet 90-të. Kur lexoja atë pasazh, ndjeva dhe erën e policit të djersitur në atë vapë. Mu shfaq para syve atmosfera e atyre viteve, të cilës autori i dha ngjyrat e zgjedhura me kujdes. 
Si përfundim, shpreh admirimin tim per këtë sukses artistik të Fates, duke i uruar një rrugë të gjatë suksesesh. Kjo puna e të shkruarit është bela, i hyn si me shaka, për provë dhe s’del dot më. Fillimisht e fillon me rrefime, më tej rriten pretendimet bashkë me guximin dhe e keqja është se s’ka fund. Këshilla ime është mos i trëmbet rrugës, se pjesa më e vështirë kaloi, prandaj ta marrë me gjoks përpara dhe mos ti dëgjojë sirenat, po ti mbylli veshët me dyll si Ulise, po të jetë nevoja. 
Do ja rekomandoja me gjith zëmër kujdo këtë libër me vlerë artistike dhe me brendi shumë edukative, sidomos të rinjve pa eksperiecë. Kanë ҫfarë të mësojnë nga kjo histori. 

Buzãu, Rumani 21.04.2016