opinions, analysis and interviews

Monika Stafa - Kreuztanne

Gjithkush do t’i ndiqte me ëndje historitë e vogla të jetës së të tjerëve. Tundimi për t’i rrëfyer ato, sidomos kur përplasen në një fund të suksesshëm, është gjithmonë një shqisë e fortë dhe e papërmbajtshme për ta çuar deri në fund shijen e parë që ndjesia e kuriozitetit mbart. Shqipëria është një vend i vogël, dhe si e tillë ngjarjet për të të vënë nën fokusin e saj kanë gjithë mundësinë e nevojshme të të përfshijnë shpejt. Secili nga ne ka jetën e vet dramatike nga njëra anë dhe po aq romantike nga ana tjetër. Rënia e komunizmit në vitin 1989 në Europën Lindore ishte një tragjedi mes të tjerash, ku askush nuk mbeti pa historinë e vet. E njëjta dukuri sakaq ndodhi edhe në Shqipëri. Kjo ngjarje historike me pasoja ende të thella në shoqëritë e Lindjes, veç katastrofave dhe fatkeqësive të ndryshme shumë e shumë më tepër nga ç’i takon zakonisht një brezi të vetëm apo gëzimit të përbotshëm që do të ndjente brezi i ri, u kthye në një ndërrim fatesh për dhjetëra e qindra të tjerë, si Fate Velaj rrëfen në librin e tij “Kreuztanne”. E vërteta është se nuk do të kish gjë më të papëlqyer për çdokënd sesa synimi të shfrytëzosh një rast të tillë për të nxjerrë në pah veten tënde, që në fakt çdokush do e mendonte sapo të merrte librin në dorë. Qoftë kjo edhe në formën e një lektori që komenton figurat e projektuara në ekran. Por ndërsa shfleton romanin me emrin e një udhëkryqi ku pikëbashkohen tri rrugë të ndryshme diku mes maleve austriake, duket qartë që rrëfimi nuk ka të bëjë aq fort me fatin e Fates vetë sesa me fatin e një brezi të tërë, të brezit tonë që mbeti mes dy botëve pa ngecur mirë në asnjërën prej tyre gjatë rrjedhave të historisë. Secili prej nesh, madje edhe ai më i panjohuri apo dhe ai më i vuajturi prej sistemit të vjetër, u trondit deri në skutat më të thella të qenies së vet nga ai ndërrim epokal ngjarjesh. Ndaj dhe Velaj si njëri ndër të shumtët nuk mund t’i njihte vetes privilegjin e një të riu të gëzueshëm në atë kohë trazirash, veç njërit, shqiptarit të ikur nga një botë e krisur. Një botë që kish njohur prej kohësh përmbysjen me jetë, shtëpi e katandi për t’u shkëputur tërësisht nga e tashmja dhe e shkuara e për t’u gjendur mes ca malësive austriake, diku andej në Sankt Antoni në hapësirën e Gasthaus. Mes të huajve të tjerë emigrantë që gjeti aty, si jugosllavë, rumunë, bullgarë etj., autori nuk duket si i “patdhe”. Ata vetë ishin të tillë pavarësisht se vinin nga vende me histori të mëdha perandorish. Nën frymën e rrëfimit të tij, ai ndihet i tillë në një tjetër kuptim, në kuptimin e një njeriu të lirë i cili nuk ka për çfarë të merakoset veç telefonatave me familjen, pyetjet për të atin dhe ilaçet për të. Ndaj në këtë mënyrë romani biografik “Kreuztanne” ka plotësuar pikësëpari ato dilema kryesore që e shqetësojnë syrin e një lexuesi kritik, dilemat se sa i sinqertë dhe besnik do të jetë autori në të rrëfyerit e jetës së tij.
Një dyshim që lind sapo vendos të lexosh një libër të tillë. I shkëputur nga toka e tij që e braktisi për një jetë më të lirë, Velaj i gëzon me të vërtetë këto cilësi. I rritur në Vlorë, me egon e një djaloshi bregdetar për të qenë gjithëherët në vrullin e shkëmbimeve të para me Perëndimin edhe pse jetonte në një “botë” të krisur, nuk duhej ta kish menduar ndoshta kurrë se një ditë në një vend diku mes maleve austriakë do të ndihej i huaj, madje as mysafir. I kudogjendur me dialogët e tij pa asnjë droje në mes, autori madje e lë veten të lirë të marrë dhe rolin e këshilluesit. Ishte momenti kur kujdesej që austriakja të mos shqetësohej aq shumë kur kësaj të fundit i kish ndodhur incidenti me sorkadhen e vogël që i kish hyrë rrotës së makinës, aty te rruga përballë hotelit. Përshkrimi ndjesor i vajzës për sorkadhen që u shpëtoi syve të saj, duket si një detaj rastësor në romanin autobiografik të autorit. Pikërisht kur fillon të analizosh pyjet e ftohta dhe të vetmuara të Austrisë, kupton qartë që zbrazëtia e tyre në sfond, në fakt është vetëm një mbulesë klimaterike përshkrimi. Gjatë këtij intervali të shkurtër në tregimin e tij në mes tani është një njeri i cili nuk ndan dy botë në jetëshkrimin e tij. Përkundrazi. Në “Kreuztanne” e Velajt njeriu mbetet një qenie e mistershme pikërisht se ia del të përshtatë dy botët brenda tij. Dhe ky është çelësi i njohjes së plotë të asaj çfarë Fate Velaj ka dashur të rrëfejë në roman. Qeniet njerëzore janë të njëllojta kudo. E vërteta është se ata vërviten në situata nga më komplekset e shpeshherë edhe të ndërlikuara për shkak të shndërrimeve dhe ndryshimeve rrënjësore nga ç’mund të ndodhin zakonisht. Por një gjë është e qartë: ajo që për dikë vazhdon të jetë ende një realitet i natyrshëm, për disa të tjerë është shndërruar në diçka që i takon historisë e që madje as nuk mund ta përfytyrojnë dot. Dhe në rrëfimin e Fates një instinkt i fshehtë duket sikur i jep të drejtë teorisë biblike se ndërmjet të sotmes, të djeshmes e të pardjeshmes urat nuk mund të shemben kurrë. Ato të tregojnë rrugën drejt së ardhmes. Këndvështrimi i ngjarjeve të jetës së tij pavarësisht se ish pozicionuar si përshkrues, të habit teksa i ndjek të lëvizin me aq vrull brenda asaj hapësire të ngushtë jete te të cilat rrotullohen. Por po aq e rrezikuar dhe e pasigurt shpeshherë kur e krahason me atë që përjetonin të tjerët në strehën e parë të tij. Megjithatë Austria flinte në nënvetëdije. Në sytë dhe mendjen e Fates, prej kësaj gjendjeje vëmendja ish zgjuar dhe vërvitej për nga muret e mbushura me piktura dhe portrete të vjetra njerëzish të veshur me frak e shaje të bardha të cilat do t’ia përndiznin shkëndijën e harruar dikur në atë “botën” e krisur në fund të Ballkanit.
Kushdo që ka përshkruar këtë epokë ose më mirë të themi e ka gjurmuar atë për të gjetur më të mirën e tij, duket se ka përjetuar më shumë histori nga çfarë ne të tjerët jetuam të gjithë së bashku. Sepse ata, të ikurit si Fate, jetuan të rrëfejnë dhe mësuan të mos e ndërpresin aspak, pa një datë të përcaktuar këtë vështrim retrospektiv të jetës së tyre. Ata gjithmonë vepruan kështu duke menduar se me anë të dëshmisë së tyre, do t’i përcillnin brezit të ardhshëm qoftë dhe një pjesëz të vërtetë jete si gjurmë të asaj ngrehine të shembur të asaj “bote” të krisur. I vetëdijshëm për rrethanat shumë më të volitshme tani se kurrë më parë, autori ka bërë shumë më tepër sesa ka hedhur në letër kujtimet e tij. Një jetëshkrim për gjithkënd që dëshiron të mësojë më shumë mes detajeve, emocioneve dhe ambicies se të jesh sfidant në jetë të duhet të guxosh. Libri është një mësim për artin e shkëlqyer të mosvajtimit për atë që ke humbur, dhe kjo e bën atë më të vlefshëm se ndoshta gjuha jo fort korrekte shqipe si në morfologji ashtu edhe në sintaksë. Autorit i detyrohemi vlerën që mësuam prej tij, se kujtesa mban një element shumë të rëndësishëm brenda vetes, të cilin ai ka ditur ta shfrytëzojë mirë; fuqinë për të renditur me kompetencë dhe për të përzgjedhur më pas me mençuri materialin e saj. Sepse siç historia na ka mësuar, gjithçka që njeriu harron nga jeta e vet, në të vërtetë ka qenë e dënuar të harrohet nga një instinkt i brendshëm për t’u harruar. Por me bindje e them se ngjarjet e Fates kanë njëfarë të drejte të ruhen edhe për të tjerët.