opinions, analysis and interviews

SerbanTabacu - Kreuztanne

Kreuztanne – një roman autobiografik i një "self-made-man"   

Përpara se ta filloja përkthimin në rumanisht të romanit autobiografik "Kreuztanne - Udhëkryq", m’u desh më parë të hyja në botën komplekse të autorit e në këtë mënyrë, të “familjarizohesha” me të dhe ambientin përeth tij. 

Në këtë roman, Fate Velaj risjell një periudhë ndoshta nga më të vështirat e jetës së tij por tejet e rëndësishme dhe vendimtare për të ardhmen e karrierën e mëvonshme.

Është një libër që paraqet odisenë e një "self-made-man" (i një njeriu të krijuar vetë) dhe njëkohësisht, e një vlonjati autentik në atmosferën  fabulose  të maleve austriake.

Pasioni me të cilin autori i rrëfen e i shpjegon ndjenjat e tij, shpeshherë deri në detajet më të vogla, si dhe ndjeshmëria që i përcjell ato gjatë gjithë përshkrimit të ngjarjeve, kapura në vazhdimësinë e tyre kronologjike, i japin një vlerë më shumë romanit  duke e  bërë  leximin, një kënaqësi të vërtetë.

Mënyra tepër sugjestive me anën e së cilës Fate Velaj përshkruan pamjet dhe atmosferën e lokaliteteve ku veprimi është kryer, qofshin Gasthaus "Kreuztanne", Kienberg, Gaming, Sankt Anton/Jeßnitz ose Scheibbs, si dhe natyrshmëria me të cilën skicon personazhet, njerëz të vërtetë, të cilët kanë luajtur një rol përcaktues në formimin e  karakterit dhe aftësisë së tij artistike, siç janë bashkëshortët Reitlinger, Annemarie dhe Fritz Hinteregger, Dr. Kladnig ose piktori Richard Braun, i japin romanit një autenticitet unik dhe piktoresk.

Bota artistike tejet komplekse e Fate Velaj (piktor, fotograf, skicues udhëtimesh, eseist, novelist) i ka dhënë mundësinë atij për të aplikuar një hartim të ri të librit, duke e formuar dhe  harmonizuar shkrimin në atë mënyrë, që në fund, të rezultoj një vepër sa tërheqëse po aq  dhe koherente.

Fakti që Fate Velaj është piktor i ngjyrave të harlisura i jep mundësinë atij ta paraqes pejsazhin reth tij me po aq dalldisje dhe mahnitje sa në fund të librit, sejcili lexues, dëshiron t’i vizitoj ato vende ku ai gjatë asaj kohe ka jetuar. Por, gjithashtu, fakti që Fate Velaj është një mjeshër i dritës fotografike, i ka dhënë mundësinë atij që, personazhet e shumta, t’i paraqes siç bënë kur  “koleksionon” portretet e shumta gjatë udhëtimeve të tija të pafundme duke skicuar kështu, hartën antropologjike të popujve.

Konturet e goditura, dozimi i ekuilibruar i një palete shumëngjyrëshe e tejet të pasur janë transportuar në roman nga gjëndja shpirtërore e personazheve, dhe kjo falë mjeshtërisë dhe ndjeshmërisë së romancierit artist.

Fate Velaj është një mjeshtër i ndërtimit të frazës. Ai shquhet për rrjedhën e vazhdueshme të ideve që, ndonjëherë fshehur dhe herën tjetër hapur, i transporton ato nëpërmjet fjalive të gjata e që shpeshherë i tejkalojnë hapësirat e tyre relativisht të kufizuara, por që janë mëse të nevojshme mbasi ato, janë të kapluara nga dëshira legjitime e tij për ta analizuar deri në detajet më të imta subjektin e trajtuar.

Është pikërisht ky stil i tij letrar si dhe përbërja e këtyre frazave jashtëzakonisht të gjata e të tejmbushura plotë artifice gjuhësore që normalisht duhet të ishin disa fjali, ajo që e bënë atë të ngjashëm vetëm me William Faulkner. 

Nga ana tjetër, kur i nevojitet, Fate Velaj përdor fjali të shkurtra, madje shumë të shkurtëra, vetëm një fjalë, duke përsëritur një linjë fikse kur ai dëshiron të rivendosë gjendjen e shkaktuar nga një tension i lartë.

Këto fjali njëfjalëshe, kanë po të njëjtën ngopje emocionale që kanë dhe ato me nga pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë reshta mbasi ato përçojnë momentet vendimtare të jetës së tij siç është pritja e ethshme e lindjes së foshnjës shoqëruar nga dhimbja, revolta si dhe pafuqia përpara vdekjes së saj dhe një të dashuri apo dhe ato në rastin e etheve gjatë hapjes së një ekspozite pikturash.

Romanin e përshkojnë koinçidenca mjaft të çuditshme siç janë vdekja e foshnjës në ditën e 65 vjetorit të nënës dhe vdekja e babait në po të njëjtën orë me lindjen e fëmijës së dytë.

Por, dramaciteti vjenë e rritet kur, një fantazmë, shfaqet në kufirin midis zgjimit dhe ëndrrës (parashikimet fantazmës se gjyshes së vdekur, e pranishme për disa ditë rresht në ëndrrat e autorit në austri, e njëkohësisht, dhe në ato të babait të tij, mijra kilometra larg, që lajmëronte vdekjen e pashmangëshme të fëmijës së parë dhe lindjen e të dytit, pas dy vitesh).

Nëpërmjet dramës së tyre, Fate Velaj ushtron një ndikim të thellë psikologjik mbi lexuesin, i cili, në këtë mënyrë, merr pjesë në mënyrë efektive në gjëndjet  e ankthit dhe konfuzionit të vetë autorit.

"Kreuztanne - Udhëkryq -" është një roman autobiografik të cilin Fate Velaj e përdor si mjet  për të empatizuar lexuesin me përjetimin e tij e për ta marrë atë me vete gjatë gjithë rrugëtimit të tij  retrospektiv.

Rikthimi mbas 24 vitesh në ato mjedise të mrekullueshëm të cilat, në mënyrë radikale i ndryshuan jetën, i dha autorit një mundësi të mirë për të analizuar vetveten në rrethana tashmë të ndryshuara. I vendosur me një qëndrim “vis-à-vis” përballë kohës kur ngjarjet  u kryen ai i rivlerësonte ato vende që atëhere ishin aq të bujshme por që tashmë i gjeti gati të shkreta mes gëzimit të njerëzve të mbetur aty e që e presin po me aq shumë dashuri dhe përkushtim si dhe më parë bashkuar me dëshpërimin dhe dhimbjen se shumë prej tyre, tashmë, kishin shkuar në botën tjetër.

"Kreuztanne - Udhëkryq" është një libër me vlerë që meriton të lexohet. Përvoja austriake e Fate Velaj, e cila tregohet nëpërmjet këtij romani të parë, është shkruar në një stil të kapshëm por në të njëjtën kohë mbart një niveli të lartë letrar dhe unë jam i bindur se ai, me siguri, ka për të tërhequr vëmendjen e një publiku të gjerë në Rumani.


Bukuresht, Dhjetor 2016