opinions, analysis and interviews

Prof. Dr. JOSIF PAPAGJONI - KREUZTANNE

Prof. Dr. JOSIF PAPAGJONI - KREUZTANNE, është romani i një shkrimtari tjetërlloj.

 

Nuk e njihja Fate Velën, ndofta diçka me kishte zënë veshi se ishte njeri i përpjekur, i kudogjendur, madje këshilltar i kryeministrit Edi Rama, dhe prandaj e mendoja si dikë me kostum e kollare, njeri të dalë nga libri apo parfumet e ritualeve qeveritare diku në kryeqytetet evropiane dhe kaq. Dhe kur pimë një kafe së toku diku në një gjysmë barake, tashmë parfumuar nga tymi i makinave që kalonin përbri, mes fytyrash syshuar e me ndonje kafe a shishe birre përpara, ballë meje qe ky burrë energjik, thuajse gazmor, nga ata pa qibër, që po më shpjegonte diç si të mugët mbi romanin e tij të parë, me një emër të çuditshëm “Kreuztanne”.

Na rastis shpesh të lexojmë libra miqsh, që janë, si të thuash, psherëtima dhe ahte shpirtrash të vetmuar, rëndom vetëlëvdonjës si çdo artist e shkrimtar, brenda një fashe letrare të zakontë, por të ëmbël dhe vetanake, që kërkojnë gjithsesi horizontin e tyre të pritjes e të promovimit mediatik, duke ta kërkuar me delikatesë “qokën”, gati si me përdëllim. Fatja nuk ishte i tillë. Ishte, si të thuash, natyrë e shpenguar, jo ritualistike. E takova atë rishtazi, tanimë jo në tavolinën buzë rruge me tymin e makinave, por në faqet e romanit të tij. Ishte aty, me gjithë përshpirtjen teksa çdo shkrimtar i dorëzohet në mirëbesim lexuesit të vet, si në një meshë a epifani spirituale. Dhe ishte gjithëpo ai, por edhe tjetërlloj: një vlonjat i thekur që vishej në fund të viteve ’80 me rroba plazhi ngjyra-ngjyra, si për të sfiduar kohën e ngrirë që po rrokullisej me shpejtësi, një amator pikture që provonte bojëra akuareli pa bërë një shkollë, grishur nga imazhet e mbamendjes së të atit qysh prej studimeve të tij në Moskë, galerive dhe operave; ishte po ai Fate që në vend të Italisë së ëndërruar falë vezullimeve trallisëse të RAI-t dhe imagjinatës për të takuar brigjet italiane që spërndriteshin diku tej brigjeve të Vlorës si një Eden prej hebrenjsh a Dar El Salami prej mitesh arabe, shkoi udhëve me një autobus drejt e në fshtrat e vegjël austriak, zhytur mes pyjesh e ujërash, mes vilash dy-tre katëshe, ku kalonin ditët e mbrame ndoca pleq e plaka gjysmë të shastisur që i “harronte” Zoti gjer në të njëqindat dhe ku boshin e tyre e mbushnin emigrantët e rinj ardhur nga vendet e Lindjes, si dhe jo pak turq prej Anadollit. Si Kolombi dikur motit në San Salvador që nguli këmbën në “botën e re”, edhe fotografi, piktori, eseisti, njeriu i salloneve dhe së fundmi shkrimtari Fate Velaj u  ngul në një fshat-qytezë austriake me emrin Kreuztane, ndryshe thënë “Kryqëzim” a “Udhgëkjryq”, që i dha edhe titullin romanit në fjalë. Dhe jo thjesht titullin, por krejt atë çka një shpirt i thjeshtë, vetmitar sa dhe solidar, prej djali ardhur nga Shqipëria copë-copë e vitit 1991 me një trastë ëndrrash e përfytyrimesh, drejt një shprese, me të shoqen i porsamartuar, një sprovë fati mbushur dëng me iluzione e farfuri si prej Eldoradoje, sa dhe me ankth, habi, pasiguri, lutje, përfalje e gjithçka që një shpirt kërkon për jetë më të mirë, si mijëra e mijëra shqiptarë, ikur deteve, udhëve, maleve në atë eksod thuajse biblik.

Vërtet ç‘ishte Kreuztane: Kryqëzim apo udhëkryq?!

Them se janë të dyja, por kjo e dyta më shumë, pra një udhëkryq jete. Ka dhe një “kryqëzim” që do ta them më pas, por është dytësor. Aty tek ai udhëkryq, në Kreuztane, ky djalosh u përplas me të vërtetat, shumë syresh të hidhura si pergamena e kode të mbyllura, i njohu ato, pa dalldi e delire por ashtu, qetë e thjeshtë, edhe me një gotë birrë lodhur pas pune, pa paragjykime për njerëzit që i pritën, përkundrazi me një simpati e ndjenjë të paqme bujtësish, me mirënjohje, sikurse herë-herë luante edhe me ironinë, sarkazmin, dhe kur vinte më në qejf, edhe me groteskun, teksa pikturonte nëpër fletë e germa portrete e karaktere të mëvetësishëm, me botën dhe qasjen e tyre ndonjëherë çudane, mbushur me huqe, krisje, idiotësi, pandehma trillane apo çartje që të bënin të tërhiqje buzën anash. Pikërisht kjo galeri portretesh janë pra dhe ngjyrat në “akuarelet” e shumta faqeve të romanit, përtej akuareleve, tanimë të njëmendta, të penelit të Fate Velës si piktor, ku hynte një dritë depërtuese, tjetërlloj në dhomën e shtëpisë së tij, siç thoshte ai; drita dhe ajri që pat thithur atje, në formën e imazheve dhe kujtesave të shndërruara në nostalgji, edhe të ëmbla edhe pikëllimtare, edhe për veten edhe për të tjerët, sa ngazëllime dhe ndezulli piktorike, aq dhe gjetje artistike, të cilat më vonë i thanë: Eja or mik prej Shqipërie dhe çel një ekspozitë këu te ne me peizazhe frymëzuar prej qytezave dhe fshatrave tona të Austrisë! Dera është e hapur për ty dhe për cilindo që ka dëshira e talent. Dhe Fate Velaj e hapi atë derë, ose ia hapën plot dashamirësi pritësit fisnikë, pa ia përplasur në surrat, pak rëndësi ka; qe diçka që atë e mbushi edhe më shumë me respekt e mirënjohje. Ky roman e përmban këtë qasje si një fill, faqet e para ashtu si në mugëtirë dhe faqet e fundit si udhë fati, ardhur s’dihet se si e se nga, diç që të kujton konceptin estetik të fatit të tragjedive greke por edhe të filozofisë moderne: ajo çka të jepet prej dikah e dikujt, por edhe ajo që e ke në dorë vetë. Sepse zogu i fatit të vjen edhe përmes gishtave thurës të Moirave, edhe ndërtohet nga vetëdija e kthjellët, vullneti, ambicia dhe largpamësia jote. Më duket se heroi i romanit, që është dhe s’është personalisht Fate Velaj, nuk e la zogun t’i fluturonte nga dora, përkndrazi e kapi fatin e vet, ndaj dhe ky hero sa i paqëm aq dhe guximtar lëviz pikërisht në këtë shilarës vajtje-ardhje, herë i shtyrë nga fataliteti dhe e ashtudhëna, herë tjetër te vetvetja, e synuara dhe ashtu e dëshirueshmja.

            Dhe këtu dua të vij në një tjetër spikamë mbi librin: cipa e misterit që ngjan se e mbulon një pjesë shumë të rëndësishme e tij, për mua më e ndjera, mallëngjyese si pikëz loti mbi syrin e burrit dhe babait njëherit. Është ndodhia tronditëse e vajzës së vdekur që sikur përhirohet më pas nga transhendeca dhe fuqia numinoze me lindjen e vajzës së dytë, Helenës, që solli jo luftën dhe fatkeqësinë si në rrëfenjën mitike por bukurinë dhe paqen. Më kanë prekur shumë këto faqe, sikurse më ka bërë përshtypje ritmi poetik, ajo që e quajmë suspansë, shoqëruar me ankth dhe një vetëfajësim solidar në heshtje, sepse jemi të gjithë prindër, unë edhe gjysh, si babai i autorit që e dha frymën e fundit në pritje ankthi teksa mori lajmin e mbesës, foshnjës së dytë, ardhur më në fund në dritë, me shëndet e lumni. Ky fill pra që lidh dy lindje, dy qenie, e para e vdekur dhe e dështuar, e dyta e gjallë dhe e lumnueshme, në harkun e përjetimeve të makthshme, ku dëshmitar është veçse një makth, një ëndërr e ligë, me një figurë gruaje që kumton pandehmën e trishtë e tragjike, blatuar më pas nga shpirti i transhedentuar i të atit me nënën e tij të vdekur kohë më parë, është sipas meje gjetja brilante e shkrimtarit, ajo që e dallon gjithë atë tog fjalësh, mendimesh, përjetimesh e përshkrimesh fshatrave të Austrisë, nga e përveçmja, nga ajo që ne themi: Po, ky paska talent, stof prej shkrimtari, ani pse duhet që ta mpreh edhe më shumë penën, sikurse penelin dhe akuarelet e tij, ani pse rreshtave dhe udhëve të sintaksës, sidomos të rrëfimit, ka dhe xhepa, barqe, hulli, sythe që mund të shkartiseshin, siç një krasitës i mirë i pret bisqet e tepërta të hardhisë, sepse e di se ato ia marrin frymën dhe lëngjet vilës së ëmbël të rrushit. Por kjo vjen edhe me përvojë e kohë. Meqë jam te rrëfimi dhe tipologjia se si ai bëhet në roman, vlerësoj posaçërisht atë mënyrë të qetë, si të shurdhër, nganjëherë e një modelimi ku nuk synohet përshkënditja romantizante, as mbishtresimet që lakmojnë dendurinë e sentencave, urtive, filozofimit, paradokseve e kundërthënieve ligjërimore, për ta bërë kinse modern shkrimin në vetvete.

Jo!

Autori e mban penën rrafsh me veten, me të përditshmen, me imazhet që duket sikur edhe ti i ke diku aty rrotull teje, duke të bërë pjesë të atij mjedisi, asaj natyre, atyre njerëzve, punëve, fabrikave, shtëpive dhe një hop të harrosh e të thuash: Edhe unë paskam qenë këtu!

Ka një lloj natyralizmi të pabujë, heshtak. Dhe tjetra, nëse i rikthehesh për qejf a të bësh një qasje, menjëherë vëren se përshkrimi është i tëri një imazh piktorik, me gjësende të mirëvendosura, dhe kjo të bind saora se ke të bësh pikërisht me një shkrimtar tjetërlloj, peizazhist, me shkrimtarin fotograf, piktor e peizazhist. Unë e kam ndjerë këtë tej e tëhu.

            Një tjetër gjë që të bën përshtypje në roman është vërtetësia. Një vërtetësi e tretur do të thoja në thjeshtësi. Nuk është përroi a përroska që zhurmon fjalës duke u thyer gurëve dhe pyllit, por një lumë fushor, i paqmë, i heshtur, disi monoton në dukje, por ama i begatë, gjithë dritë e blerim përbri, madje edhe madhështor diku-diku. Dhe madhështinë e rrëfimit të Fate Velës, s’ka rëndësi është jeta e tij a e një personazhi sivëlla, unë e shoh më së pari te respekti i thellë prej shqiptari të mbarë ndaj portës së hapur të të “huajve”, atyre evropianëve plot sqimë e seriozitet, që dikur anatema politike dhe ideologjike e diktaturës çfarë s’thoshte duke ua mbushur kokat njerëzve me brofka për kinse mizorinë, shfrytëzimin, degjenerimin e tyre moral e ç‘ti numërosh më akoma!

Jo, shkrimtari sjell një botë tjetër, gjithë përdëllim, austriakë me vullnet për punë, me përvojë dhe kulturë jete, me rregulla dhe dashuri për njeriun në vuajtje e hall. Kjo është Evropa e vërtetë, ajo e mbara, sikundër, nga ana tjetër, në paletën e ngjyrave të Velajt vijnë edhe plot e plot episode, rrëfenja, qëndrime, vlerësime për pjesën e errët, sidomos procesin e vështirë të integrimit të të ardhurve, ku shumë histori e mënyra sjelljeje, sidomos me turqit, me një serb të fantaksur a një çift rumunësh dashamirës, por edhe të tjerë, më kanë bërë për të qeshur.

            Ky roman është rrëfimi i një shqiptari të vullnetshëm e të suksesshëm, një shqiptari që frytin nuk e vjedh nga pema e tjetrit por mbjellë vetë një pemë në dheun “tjetër”, “pemën e jetës së tij” në pyllin e ri ku udha e fatit e ka shpurë.