opinions, analysis and interviews

MIMI KODHELI "100 hapa brenda Europës"

Mimi Kodheli

Disa refleksione mbi 100 hapat e Fate Velaj‘t brenda shpirtit dhe zemrës së Europës.

Megjithëse homosapiensi i parë në Europë u çfaq 1.8 milion vite më parë, kontinentit të vjetër, ju desh pa fund histori, art, shkencë, dije, shumë luftra, por sidomos ato 2 të fundit në shekullin e 20-të, të kuptonte se zhvillimi, vlerat e prosperiteti, vijnë në jetën e qytetarëve të saj me shpejt duke ndenjur e punuar bashkë, se sa të ndare, ku gjithësecili, rri në llogoren e vet.
Pikërisht, ky mendim wikipedia-n më shkoi ndërmend duke lexuar faqet e librit të Fate Velaj‘t me titull “100 hapa brenda Europës”.
Duke i kaluar ato një e nga një, ti ndjen se si Fate bën bashkë personalitete të shtëpisë e ndërkombëtarë, artistë, piktorë e poetë, filozofë e mendimtarë, politikanë të të gjitha ngjyrave, miq.
Të ardhur tek fati i Fates nga të katër anët e Europës, ata rrijnë bashkë në faqet e këtij libri, ashtu siç do të duhet të rrinin ka hera: në një rrugëtim të përbashkët “brenda Europës”.
Me të drejtë në libër citohet Vaclav Havel i cili në vitin 2009, i shkruante Fates se:
“E vetmja detyrë domethënëse për Europën e mijëvjeçarit të ardhshëm është që të jetë më e mira e vetes së saj. Kjo do të thotë se ajo, duhet të ndihmojë në krijimin e një vizioni të ri të bashkëjetesës globale”.
Libri na flet për një përpjekje të Fate Velaj’t për t’u futur thellë në zemrën, shpesh herë të ftohtë, të Europës. Për mua libri shfaqet si një hap i parafundit i 100 hapave tanë brenda dhe drejt Europës.
Aty diku pas faqes 330 të librit, (duke u përkujdesur me delikatesë të mos tregojë cili ishte prefiksi i numrit të telefonit mobil që kishte në xhep) Fate Velaj shkruan:
“... kerkova të takoja Stavros Lambrinidis (ministër i jashtëm i Greqisë. Ngjarjet zhvillohen në Athinë në 22 Maj 2012)...Zilet e telefonit binin e binin, por ai nuk e ngrinte. Ndërrova kartën e telefonit dhe vendosa numrin austriak. I rashë përsëri numrit të tij dhe nuk kaloi as zilja e dytë, kur u dëgjua zëri i tij në një anglishte mbresëlënëse".
Sikur Fate Velaj të mos e kishte numrin austriak, mbase disa gjëra do të rridhnin ndryshe në jetën e tij dhe librit nuk do t’i mungonte vetëm faqja 334.
Ndaj, mendoj se për t’i dhënë Shqipërisë prefiksin europian, duhet ta ushqejmë atë me shpirtin europian, shpirt për të cilin, Jacques Dellors fliste në Parlamentin europian të dy dekadave më parë. (“Aujourd'hui, encore, l'Europe a besoin d'une âme”)
I dashur Fate,
E mirëkuptova trishtimin tend në vjeshtën e vitit 2011, kur nuk e shijove dotë rënien e gjetheve në parkun pranë shtëpisë tënde në Vjenë, qyteti ku ke jetuar thuajse gjysmën e jetës, por unë mendoj se njerëz si Fate Velaj, me shpirt e endërr europiane, do t’i duhen vendit shumë e më shumë, ndaj, mirë se ke ardhur mes nesh i nderuar koleg.

Suksese Fate Velaj!
Suksese në rrugëtimin tënd europian, brenda Europës, në të dashurën Shqipëri!