opinions, analysis and interviews

Josif Papagjoni - NILKON

“NILKON – UDHËTIMI I FATES MIDIS DANUBIT DHE NILIT”
8 Gusht 2020
…Aty në tarracën e kafe "Rivierës" në Sarandë u organizua promovimi i triologjisë KREUZTANE (Kreuztanne, Nilkon dhe Itaka) së Fate Velaj - piktor, fotograf, shkimtar, curator, deputet, por mbi te gjitha mik e një vlonjat mendjehapur, pa qibër, i thjeshtë, i beftë. Poshtë, në galerinë e artit të Sarandës, ishte çelur po ashtu ekspozita e tij me piktura, ku të joshte ai abstraksionizmi modern ngjyrash, ajo hedhje e bojës dhe ai lodërzim i të kuqes me ngjyrat e tjera bri saj si jeshilja, e verdha, e zeza. Teksa shihja pikturat e tij, Fate më bëri edhe disa foto. Një dhuratë e bukur. Ca syresh dukeshin të ashpra, ca si të hutuara, por njëra sikur iu qas disi më mirë karakterit tim, paçka se sytë duken si të mnishëm...
Në promovim Faten e nderuan edhe miqtë e tij nga politika. Gjithsesi, hapësira ku qemë, deti, flladi që frynte, por edhe "flladi" tjetër, ai i shpirtrave tanë nga arti e letërsia, i njohjeve dhe miqësive, e bëri të këndshme mbrëmjen. Dhe jo më kotë Fate e sqaroi këtë lidhje midis artit dhe politikës kur tha se “qëllimi i tij ka qenë dhe është të fusë sa më shumë kulturë në politikë dhe jo anasjelltas”
Triologjia e Fate Velaj fillon me romanin "Kreuztane", për të cilin kam shkruar gjatë dhe më ka rrëmbyer. Mjaft të kujtoj se atë e ka vlerësuar edhe i madhi i letrave tona, Kadareja, sikurse edhe shumë të tjerë, brenda e jashtë vendit. “Kreuztane” është diçka e veçantë, ndoshta e papërsëritshme për shkrimtarin, një sipëri që nuk mbërrihet përherë. Triologjia vazhdon më tej me romanin e dytë, “NILKON – kur Danubi takoi Nilin” - aventura e një koncepti estetik, thuajse personal i Fates mbi fuqinë përbashkuese dhe emancipuese të artit, falë një ekspozite me piktorë nga 25 vende të botës që lagen nga dy lumenjë, Danubi dhe Nili, pra dhe të komunikimeve kulturore mes popujve e kontinenteve. E mbushur me ecejaken e kësaj aventure si dhe me episode në dukje të rëndomta por kuptimplote, romani e mbërrin qëllimin, por jo atë espri, dramacitet dhe, madje, filozofi jete siç e kam ndjerë te “Kreuztane”. Dhe libri i tretë i kësaj triologjie është ITAKA. Une sa e mbarova librin e dytë të Fates, “NILKON”.
Di të them se kur lexova “Kreuztane”, ndofta nuk dija t'i vija një indeks teorik dhe estetik arsyes përse më tërhoqi aq fort. Vallë ishte elementi biografik dhe aventura e paparë e një shqiptari që çante mes vështirësish pafund të emigrimit dhe ngjitej lart në një vend evropian si Austria, që nuk t’i hap aq kollaj dyert e suksesit pa meritë e pa talent të spikatur. Apo tok me Fate Velajn si njeri, me elementin biografik, pashë dhe ndjeva kohën, shqiptarët dhe vetë Shqipërinë, atë vullnet dhe aventurë dy krerëshe si një shqiptar i fortë në kërkim të fatit pas përmbysjes së komunizmit, sikundër edhe si artist e piktor, për të rigjetur veten dhe shpirtin bredharak, përmalluar mes ngjyrash, imazhesh, ëndrrash vizuale. Një ringjallje nëpërmes artit, vullnetit, besimit, shpresës, shpirtit optimist. Habitshëm Fatja i mbërriti të dy këta stacione, madje më mirë se shumë e shumë shqiptarë të suksesshëm, që dolën bosh nga zgafellet e komunizmit. Në po këtë linjë vazhdon edhe romani i dytë i tij, “NILKON”.
Në ngrehinën e romanit është udhëtimi i një ekspozite pikture dhe falë saj vjen “udhëtimi” i dytë, tashmë midis njerëzve, ndodhive të ndryshme, përshtypjeve vetjake, gjer te historitë, identitetet dhe shpirtrat e kombeve, kulturat e tyre. Autori ka sjellë në formë dinamike çastin magjik të krijimit, atë shkrepje kur shpirti i artistit, në mistikën e kërkimit dhe i cytur nga realiteti bri tij, nis e ndërton botën e vet, qoftë dhe një rrugëtim drejt të ardhmes që ende s’e ka prekur. Ja ashtu, poshtë në bodrumin e godinës ku banonte dhe kishte studion e vet, duke parë nga dritaret-frengji këmbët e njerëzve se si lëviznin udhëve e fateve të tyre, Fatja ngjizi në pikturë idenë e udhëtimit drejt të ardhmes dhe fatit të gjithkujt. Pra dhe të atij vetë, si një përpëlitje dhe e vërtetë universale e qenies në kërkim të vetvetes. E mori këtë dritë të mendjes, si flakën olimpike, dhe e rindezi në një ekspozitë misionare dhe të mprehtë për çastin historik, goditjen e dy kullave binjake në Nju Jork dhe çarjen e madhe politike dhe kulturore që ndodhi, duke i trajtuar fenomenet e mosbesimit, paragjykimet dhe së fundmi ç’e shtyu Mohammad Atta’n të kthehej nga një student i shkëlqyer në një vrasës kolektiv.
Përshkrimi bëhet një ndihmës i devotshëm për të shpërfaqur pikërisht të panjohurën që buis në humbellat e shpirtit të artistit, të pathënat, atë që s’mund të tregohet dot me fjalë sepse fjala habitshëm është e pafuqishme përballë ndjeshmërisë dhe asaj mistike që vetë arti ka për të bashkuar popujt.
Fate është një piktor, një abstraksionist që e ka ngjyrën brenda vetes dhe luan me të. Nga kjo ndjesi e brendshme prej piktori e derdh peizazhin që e ka thellë brenda vetes por që nuk e trajton qëllimisht në telajo, vetiu dhe në ligjërimin e tij letrar, duke e bërë pjesë të përshkrimit të bukurive dhe ngjyrave të natyrës buzë Danubit, Nilit e gjithkund duke i dhënë narrativës hijeshin e imazheve që plotësojnë sa njëri-tjetrin, aq dhe gjendjet shpirtërore të shkrimtarit që rrëfen. Pra peizazhi nuk është thjesht përshkrim, por element asociativ, një “shoqërues dame” gjithë sqimë në valcerin mondan të një narrative të hijshme, lirike e shpesh romantike. Më tutje ai kthehet në element kulturologjik. Më emocionoi mënyra se si e sillte shkrimtari atë lidhje historike midis gjakut shqiptar qysh nga Muhamed Ali Pasha shqiptari, themelues i dinastisë egjiptase, historinë e operas “Aida” të Xhuzepe Verdit e porositur nga Khedive Ismail Pasha, rrjedhë e gjakut të shqiptarit të madh me rastin e hapjes së kanalit të Suezit, ku u lidhën së bashku kontinentet dhe kulturat, Lindje-Perëndim, për të mbërritur tek këngëtari i famshëm operistik egjiptian Hassan Kamy dhe një përgëzim e trokitje gote me Fate Velaj, një tjetër shqiptar i rrënjës prej Vlore, që kishte konceptuar pikërisht ekspozitën e arteve vizuale me idenë e ndërkomunikimit kulturor, e njohjes dhe respektimit të identiteteve, shpirtin e madh krijues prej gjeniumeve kombëtare të vendeve të ndryshme.
Të bën përshtypje të mirë njohja e mjaft hollësive kur Velaj përshkruan vende, ngjarje, njerëz, gjer edhe skicimet e portreteve, veshjeve, ngjyrave, orendive, këtu apo aty, çka dëshmon një sy të mprehtë vrojtues prej piktori dhe një mbamendje gati të rrallë, pasi ato janë për njerëz e ngjarje të njohura. Sigurisht ka ndihmuar këtu edhe aparati i tij fotografik NIKON (që rrjedh më pas në vetë titullin e romanit NILKON, një shartesë domethënëse mes të dyjave), aparat i cili ka fiksuar shumë pamje, peizazhe, evente e fytyra dhe që ka, madje, edhe një histori sa lirike aq dhe komike të humbjes dhe rigjetjes së tij, në fletët e romanit. Për të krijuar ngjyrë në peizazhet sociale, kulturore dhe artistike të mjediseve ku shkrimtari shkon dhe çel ekspozitat, ai sjell informacion kulturor enciklopedik për ngjarje, zakone, antropologji dhe njerëz të njohur e historibërës të vendeve të ndryshme, posaçërisht të Egjiptit, shpesh duke i kaluar në sitën e një humori të lehtë e moskokëçarës.
Humori është cilësi e të shkruarit të Velaj. Një humor plot nur, i stilit grotesk e gati anekdodik përshkon çiftin Lehman-Hubert, djalin e tyre, Peter që banjën e kishte bërë si një biçim dhome pritjeje për veten, dy qentë dhe dy macet, në një dhomë 20 m2 dhe në një krevat dopio, ku flinin thuajse të gjithë njerëz dhe kafshë, prindër dhe fëmijë, në një moskokëçarje të pagjasë e në një rrëmujë e papastërti të hatashme, ku qentë dremisnin nën jorgan e megjithatë jeta e tyre rrjedh aq e qetë, o zot, dhe ku pamundësia dhe sherrnajat janë pjesë e paqes dhe kënaqësisë...
Po njësoj jep ai dhe mjediset shqiptare në Shkup, lagjen “Çarshi”, ku bie në sy një stil jete oriental, sidomos me veshjet e grave tejet të rënda, çpersonalizuese dhe me një uniformitet rrafshues, ardhur kryesisht nga religjioni apo keqkuptimi i tij. Dhe nën këtë cipë të jashtme autori zbulon shpirtin e ngrohtë dhe dashamirës të shqiptarëve, interesimin për artin, lëvizjen e tyre në kohë duke dhënë shpresat e daljes më në fund nga një anakronizëm i dikurshëm i impunar me pa të drejtë prej vetëdijeve nacionaliste dhe izolacioniste. Ndonëse situatat janë të zymta dhe plot nerv, humori ndihet edhe kur policët serbë e ndalojnë makinën e artistit gjithandej për të zhvatur para, por tashmë ky humor shpërfaqet përmes ironisë dhe sarkazmës. Humor ka dhe humbja e aparatit fotografik, e gërshetuar me empati ndaj njerëzve të thjeshtë e të ndërshëm të botës arabe por që në roman kthehet në një mision ndaj dialogut të kulturave dhe bashkëjetesën paqësore mes tyre.
Romani, në të tërën e tij, ka elementet e një reportazhi përzier me ndjeshmëri vetjake dhe qasje biografike. Por këto vijnë në voli të udhëtimit të ekspozitës, që lidh kontinentet dhe kulturat dhe që rreket drejt synimit fisnik për të ngritur një tempull sa të lashtë aq dhe të ri: vëllazërimin midis popujve, ndërkomunikimin kulturor e shpirtëror. Prandaj është e vështirë gjetja e një përcaktimi të formës romanore në raport me atë çka shkrimtari arrin të na thotë. Pikërisht përpjekja për t’i ikur ngushticës së zhanrit letrar duke e zgjeruar atë me trajtat figurative të një ekspozite, caqeve pohuese e përmbajtësore të saj dhe për të lundruar në idenë e solidaritetit, pikërisht kjo ide është për t’u lavdëruar në roman.
Fate Velaj arriti të fitojë vlerësimin e qarqeve kulturore dhe ato politike austriake dhe evropiane. Dhe pikërisht për aftesitë dhe kontributet e tij në promovimin e vlerave dhe identiteteve kulturore të vendeve të ndryshme, iu dha edhe titulli "Qytetari i Evropës" nga kancelaritë e Brukselit. Nuk është pak, as e lehtë kur e mendon dhe e përthyen te vetja tënde. Andaj dhe në promovimin e dy veprimtarive të Fates, asaj piktorike dhe asaj letrare, urimi im mbetet thellësisht miqësor: Me vepra të tjera ardhsh paskëtaj, mik. Boja dhe pena kurrë mos u thafshin e kurrë mos shtershin!