catalogues, brochures and greetings word

gazeta shqip- e kuqja ne dhomen e gjumit

 fate velaj: provokime artistike me “të kuqen në dhomën e gjumit”

19.11.2010

interviste me ariola hekurani

"në dhomën ku gjendet e kuqja"

artisti vlonjat, fate velaj, vetëm pak ditë më parë ka çelur ekspozitën vetjake që vjen nën një titull provokues: “e kuqja në dhomën e gjumit”.
përmes 23 punimeve përcjell te publiku gjithë emocionet dhe ndjesitë që provon individi gjatë qëndrimit intim në dhomën e gjumit. gjen aty dëshirën, pasionin, seksin, xhelozinë, frikën e mbi të gjitha gjen aty dashurinë...
atij i pëlqen të provokojë. qoftë fotografi, ese a pikturë. gjithnjë synon të shfaqet për publikun me diçka ndryshe dhe me këmbëngulje, ia arrin. ekspozita do të qëndrojë e hapur në ambientet e “tirana busines university” deri në fund të dhjetorit. më pas gjatë muajit janar, do të spostohet drejt austrisë.

z. velaj, ju vini në tiranë me një ekspozitë të titulluar “e kuqja në dhomën e gjumit” përse kjo zgjedhje, përse e kuqja?

e kuqja në dhomën e gjumit nuk vjen rastësisht. duke iu referuar edhe pjesëve të tjera që përmbushin spektrin tim kulturor artistik siç është fotografia, eseja, por edhe udhëtimet e mia të pafundme nëpër shtete e ndryshme të europës sa u takon politikave të ndryshme kulturore, në raste të veçanta dhe të politikave të mirëfillta të japin një pasqyrë komplete të gjithë spektrit tim artistik. në veçanti nëse do t’i referoheshim edhe ciklit tim të mëparshëm "kujtime nga e ardhmja", nuk mungojnë veprat e artit që titullohen sipas ngjyrave. të tilla janë: “rapsodia e blusë së jugut”, e “e zezë, blu dhe mendime”, „jeshilja ndermjet meje dhe teje“ apo edhe “vlora mon amour”, ku gjithë qytetin e kam paraqitur me ngjyra blu. kurse te ky cikël të gjitha punimet nuk kanë një titull të veçantë, por ato kanë vetëm këtë titull që i bashkon. themeli i të gjithë ciklit ka qenë pikërisht ngjyra e kuqe. një ngjyrë të cilën secili prej nesh e ka përjetuar në mënyra të ndryshme. kur flas për ngjyrën e kuqe flas për ndjenjën, për momente të përjetuara në dhomën e gjumit, ngazëllimin, harenë dhe të gjitha ato që përmbajnë momente të caktuara të jetës njerëzore.

a gjen aty vetëm dashuri?

në çdolloj dashurie ekziston frika e xhelozia e të gjitha këto vijnë përmes punimeve të mia. nëpërmjet raportit të ngjyrave të paraqitura nëpër telajos, shikuesit i jepet mundësia të hyjë në të gjitha ato mendime që ekzistojnë te një qenie njerëzore, përpara, brenda dhe pasi del nga dhoma e gjumit.

ju vini te publiku me këtë cikël të përbërë prej 23 punimesh. kur ka nisur puna për realizimin e tyre?

ngacmimet i kam marrë qysh në vitin 2008 ku realizova edhe punimet e para të këtij cikli. më pas pata një pushim, pasi m’u desh të merresha në pogradec me projektin “europa bulevard” e njëkohësisht edhe me aktivitete e tjera nëpër europë. kthimi në penel ndodhi para dy javësh. në radhimë të vlorës, (ne hotel-restaurant laberia) u mbylla për një javë dhe nisa të shkarkoja të gjitha grumbullimet e ndjenjave, gjithë përjetimet, emocionet dhe realizova në këtë mënyrë edhe 14 punime të formateve të mëdha.

ju thatë se një pjesë të punimeve të këtij cikli e keni nisur qysh në 2008. a i keni ekspozuar më parë ato dhe si kanë qenë reagimet e publikut ndaj tyre?

katër punime të këtij cikli i kam paraqitur edhe në nju jork, para kësaj ekspozite. pashë që qysh në paraqitjen e parë kishte mjaft interes. ndjeva se diç i ngacmonte ata edhe prej komenteve të cilat ishin pozitive sa i takon koloritit, forcës shprehëse të veprës dhe nëntekstit brenda tyre. megjithatë, nëse nuk do të isha i bindur për atë që dua të paraqes për shikuesin dhe te reagimet që do të ketë ai, atëherë preferoj të mos ekspozoj. dua të them se edhe në tiranë, mendoj se ekspozita pati impakt. publikut ju paraqit një stil tjetër i të pikturuarit, atë që kritika në vende të ndryshme e ka kanalizuar me ekspresionizmin abstrakt.

përse keni zgjedhur këtë gjini?

artisti vetë është në kërkim. dhe detyra dhe qëllimi i artit është të provokojë në kufijtë e mendimit, të shkatërrojë konturet e imagjinatës. në këtë mënyrë unë gjeta veten time, por edhe mënyrën ku forca ime artistike transmetohet edhe më mirë. cikli im i parë “pikturoj në thellësi të dritës”, gjatë të cilit unë pata një ballafaqim të ngjeshur me poezinë gjermane ka qenë vetëm peizazhe. cikli i mëpasshëm ka ardhur kur unë arrita të largohem nga kjo gjini, pasi mendoja se nuk mund të jepja më shumë aty. ciklet e tjera më pas “kujtime nga e ardhmja”, “fshati i vogël rrëzë malit të madh” apo së fundi “e kuqja në dhomën e gjumit”, tregojnë më së miri se edhe gjendja ime emocionale është më e ngarkuar.

përmende se qëllimi i artit është të provokojë kufijtë e mendimit. e ke bërë këtë edhe me “të kuqen në dhomën e gjumit”?

po. përmes këtij cikli provokoj të gjithë ata njerëz që e kanë provuar dhomën e gjumit në mënyrat nga më të ndryshmet. gjatë realizimit të këtyre veprave nuk kam dashur kurrë të hyjë në detaje. bile kjo as që më ka interesuar ndonjëherë. gjithmonë kam dashur të analizojë atmosferën, dhe në këtë rast atë „brenda dhomës së gjumit“.
nëpërmjet raporteve të ndryshme të ngjyrave, të strukturave artistike që përdor në telajot e mia, ndonjëherë edhe produkti i rastësisë gjatë punës bëjnë që shikuesi të nisë të imagjinojë momentet që ai vetë ka kaluar në dhomën e gjumit. mënyrën se si ai e ka përjetuar këtë të kuqe në periudha të caktuara të jetës. gjatë ekspozitës kam dëgjuar reagime nga më të ndryshmet se si ai, shikuesi gjente veten brenda telajove. dëgjoja ndonjëherë edhe provokime të forta të cilat mua më çudisnin, por që i kuptoja fare mirë, pasi edhe unë vetë të tilla momente kam përjetuar, me të kuqen time në dhomën e gjumit.