catalogues, brochures and greetings word

KARTOLINA

Kartolina

...nga Lecco u nisa aty nga ora nëntë paradite. Ato 60 km deri në Bergamo vendosa mos t‘i përshkoja nga autostrada, por nga strada-lia, sado që  e dija se ajo rrugë do të zgjaste më shumë si udhëtim por që ky është një zakon i vjetër imi, mbasi më jep më shumë mundësi për të soditur dhe veçanërisht, për të ndaluar e fotografuar...

Më në fund u bëra mbarë dhe gjeta kohën të vizitoja qendrën historike në Bergamo të cilën, në fakt, kisha dëshiruar prej kohesh ta vizitoja por, sa herë që rruga do të më kalonte atyre anëve, do të ishte ose natën vonë, ose tejmase i lodhur nëpër autostradat e pafundme kur qysh në mëngjes isha nisur nga Vjena e kështu, e vazhdoja udhëtimin për të mbëritur sa më shpejt, në liqenin e Lecco-s.

Atë ditë udhëtimi ishte i qetë. Përveç zbritjes së ngadaltë nga Rancio Superiore, lagjes së bukur në faqe të malit ku nga vila në të cilën banonin miqtë e mi, si në pëllëmbë të dorës shtrihej i gjithë qyteti buzë liqenit, mora "strada statale" ku mbas disa ndalesave për të fotografuar, u ula në një bar anës rrugës, pa hyrë në San Salvatore, një qytezë pak përpara Bergamo‘s.

Ngaqë koha ishte me diell, ndenja në një tavolinë jashtë dhe mbasi i dhashë kamerierit porosinë, në pritje të ardhjes së tij hapa aparatin fotografik dhe fillova të shikoj ato që kisha realizuar gjatë rrugës.

Kamerieri erdhi dhe, në qetësinë e natyrës përballë, pija kafen duke lexuar shikimet e tabelave që orientonin rrugët në të cilat, njëra tregonte për djathtas "Bergamo 12 km" dhe tjetra, ajo për majtas, "S.Omobono - Valle Imagna 11km“.

Me filxhanin e kafesë akoma në dorë e sytë e qepura te tabela e dytë fillova t‘u thërras kujtimeve se ku e kisha lexuar më parë këtë emër dhe me shikimin akoma thellë te tabela i hodha një sy luginës që ishte në atë drejtim...

Kërkoja të orientohesha nëpër kohë dhe me sytë e zhytur në thellësitë e pa ndriçuara nga dielli që se kishte kapërcyer malin përballë, mu kujtua ajo kartolinë aq e dashur që mbajta për një kohë të gjatë në bufe...

Ne fakt ajo kartolinë nuk më kishte ardhur mua, por Xhelës, burrit të Nafit, tezes sime nga një shok i tij mjek që bënte një specializim në Itali dhe për vitin e ri 1980, i dërgon atë kartolinë plotë me urime.

Për herë të parë unë atë e pashë kur shkova për të parë gjyshen në pushimet mbas vitit të ri. Atë pasdite thashë të shkoja nga tezja dhe sa hyra brenda, akoma pa u rehatuar mirë në divan, më ra në sy, aty te xhami i bufesë, vendosur mbi disa filxhanë që tezja i mbante si më të bukurit që kishte, një kartoline e huaj me gjashtë pamje. U çova në këmbë dhe shkova te bufeja ta shihja nga afër. Hapa kanatat, e mora në dorë dhe e ktheva nga pas për të parë se nga kishte ardhur ajo copë karton që me shkëlqimin dhe lustrën e saj e nxirrte gati jashtë loje llakun e zverdhur prej kohesh te asaj bufeje 11.000 lekëshe.

Me kartolinën në dore u ula përsëri te divani dhe s‘ja ndaja sytë atyre gjashtë pamjeve të stampuara në të duke kërkuar më kot të gjeja diçka të njohur apo mos vallë i kisha parë gjatë netëve të gjata përpara stacioneve RAI të televizorit. Me të akoma në dorë mora filxhanin e çajit që tezja më solli dhe pa ia ndarë akoma sytë kartolinës, e pyeta se kush ishte ai që e kishte nisur atë kartoline.

Tezja, një grua shumë e pashme e me modën e flokëve si në filmat Hollywood-ian, si të thuash, partnere e Humphrey Bogart, në të tilla raste, ta shtonte adrenalinën e pritjes duke marrë pamje e poza sikur ta kishte dërguar Papa i Romës atë kartolinë. Mbasi bëri sikur s‘më dëgjoi, si për të më detyruar mua që duhet t‘a formuloja ndryshe, me reverenca pyetjen, kur pa që unë nuk e lëviza kokën me sytë akoma të qepura kartolinës, u ul te cepi i divanit, si për të lënë të kuptohej se pak do rri mbasi kam gjithë ato punë nëpër duar.

Pa i lëvizur sytë nga ato gjashtë pamje, dëgjova të më thoshte se një shok i ngushtë i Xhelës që kishte qenë në Itali, ia kishte nisur atë kartolinë përpara një muaji dhe, kur ishte kthyher që andej, i kishte sjellë një kuti letrash bixhozi dhe një sapun “Camay”.

Pa e ngritur kokën nga kartolina, i thashë tezes të më tregonte sapunin dhe ajo, sikur atë pyetje të priste, u çua dhe së bashku shkuam tek dhoma e gjumit ku, te komoja, hapi një sirtar në të cilën mbante çarçafë e këllëfë jastëkësh nga ku, flegrave të hundës, m‘u përplas një fllad arome i çuditshëm, i pa ndjerë më parë dhe, mbasi lëvizi disa çarçaf, nga mesi i tyre, nxori sapunin mbështjellë me një karton ngjyrë lejla.

E mora në dorë sapunin. E vendosa te hundët dhe, me aromën që më depërtoi deri në qelizën e fundit të shpirtit, i hodha një sy çarçafëve prej kambriku që, siç dukej tezja, e kishte vendosur jo për ta fshehur mes tyre sapunin, por më shumë për t'u depërtuar deri në thurjen e fundit çarçafëve dhe këllëfëve aromën e atij sapuni aq të bukur, mbështjellë me atë kartonin e llustruar, kapaku i së cilës, ishte hapur qëllimisht, si për të dalë që andej kundërmimi i nektarit të luleve, pasqyruar në kuti e qe duhej ishte përdorur për të bërë sapunin.

I mora dhe një herë erë sapunit, si për herë të fundit dhe e futa përsëri në mes të çarçafëve. Mbylla sirtarin dhe akoma me kartolinën në dorë shkova përsëri në dhomën e ndenjes dhe i thashë tezes të ma jepte mua atë.

Ajo u vu në pozitë dhe, ngaqë s'dinte ç'të më thoshte, mbasi i hodhi një sy bufesë që pa atë ngjante si raqe, akoma dhe më e vjetër, më tha se Xhela nuk do t'ia ngacmojë njeri sendet e tija.

E vendosa kartolinën përsëri te filxhani ku ishte më parë dhe u ula tek divani deri sa erdhi Xhela nga puna dhe, me sytë njëherë nga ai e herën tjetër nga karolina brenda bufesë, prita momentin kur ai të vinte në qejf dhe, kur pashë që ai qeshi, që shpeshherë ishte pa arsye duke më futur në mendime se përse duhej qeshur, i thashë të ma jepte mua atë kartolinën në bufe, me dorën që e lëviza si të bëhej fjalë për diçka të pavlerë nga frika se mos ai thoshte: „...as që bëhet fjalë. E kam kujtim nga...“

Xhela, si për tu kujtuar se për çfarë bëhej fjalë, kthehu kokën nga bufeja dhe, në vend të më thoshte po ose jo, filloi të më tregonte se kush ia kishte nisur atë kartolinë si dhe gati gjithë historinë e vjetër të miqësisë se tij me atë burrin.

E pashë që ai u harrua nëpër kujtime dhe mbas pak u çova e u ktheva tek gjyshja...

Rasti do t‘a sillte që në pushimet e verës, unë të shkoja përsëri në Tiranë dhe, si gjithmonë, do të shkoja nga tezja porqë, kësaj radhe, në bufe, aty brenda saj, te filxhanët, pashë përsëri një kartoline, që nuk ishte e para por tjetër e ku nga divani kuptova se duhet të ishte ardhur nga Franca mbasi në ato tetë pamje, vura re Kullën Eifel.

U çova nga vendi dhe hapa kanatat e bufesë. Mora në dorë kartolinën dhe u ula te divani pranë derës duke shikuar pamjet e saj që, siç kuptova, ishin të teta nga Parisi.

Nuk zgjati shumë dhe erdhi Xhela nga puna ku, në njërën dorë mbante gazetën dhe në tjetrën, një bukë.

Mbasi filloi përsëri të më tregonte historinë e miqësisë së vjetër me personin që nga Parisi i kishte dërguar kartolinën, prita rastin dhe e pyeta se ku e kishte atë të vjetrën, me pamje nga Valle Imagna e Italisë.

Ai u çua nga vendi, hapi një sirtar të bufesë, aty poshtë televizorit, dhe ma dha.

Pa e marrë mirë në dorë e pyeta nëse do të ma jepte mua atë. Ai, pa më kthyer përgjigje, me lëvizjen e dorës më la të kuptoja se mund ta merrja.

Mbas dreke, ika nga shtëpia e tezes dhe në fund të javës mora trenin dhe u nisa për në Vlorë. Vendosa kartolinën te bufeja 11.000 lekëshe në dhomën e ndejtjes, aty në mes të dy xhamave të saj dhe nga kolltuku, herë pas here, i hidhja nga një sy pamjeve të saj në të cilat ishte paraqitur qyteza e San Omobono-s, në Valle Imagna që as që e kisha idenë se nga mund t'i binte në gjithë atë Itali të madhe, porqë, nga peizazhi rreth e rrotull, më jepte përshtypjen se duhet të ishte diku mes maleve.

Sytë i mbaja akoma mërthyer tek njëra nga ato gjashtë pamje, aty ku tregohej një rrugicë e në mes të saj, një burrë e një grua që siç më linin të kuptoja, sapo kishin dalë nga psonisjet mbasi në dorë, kishin nga një si zymbyl e ku nga tabela sipër një derë, lexohej "Alimentari".

Lëviza sytë për nga pamja tjetër në të cilën paraqitej një urë e ku në fund të saj, dukej një godine 4 katëshe ngjyrë bezhë në të cilën, çuditërisht, të gjitha dritaret ishin të mbyllura me qepena ngjyrë kafe e ku nëpër ballkone nuk pipëtinte gjë.

I hidhja sytë herë pas here bufesë dhe sa herë që në "Intervallo", në pritje që në RAI të fillonte filmi apo dhe vetë lajmet, me sytë fiksuar te pamjet magjepsëse që jepeshin në ekran, kërkoja mos vallë, mes atyre qyteteve të Italisë që paraqiteshin në ekran shoqëruar nga tingujt e notave të "Toccata-ve" të Pietro Domenico Paradisi-t, si blegërimat e deleve lëndinave me aromën e luleve nga të cilat ishte prodhuar sapuni që tezja ime mbante mes çarçafëve, do të dilnin dhe pamjet e kartolinës time.

Vazhdoja të shikoja kryqëzimin me filxhanin e kafesë akoma në dorë dhe nuk prita sa të vinte kamerieri por u futa brenda dhe pagova kafene për të vazhduar udhëtimin, jo për Bergamo, por për San Omobono duke iu ngjitur maleve nga ku shtrihej lugina, "Valle Imagna".

Mbas disa ndalesave për të fotografuar, më në fund, mbas gati gjysmë ore mbërrita te vendi i kartolinës së 25 viteve më parë. Parkova makinën dhe me aparatin në dorë dola qytetit për të kërkuar ato pamje që u bënë aq magjike për mua. Doja të hyja te ai dyqani "Alimentari" të blija dhe unë diçka si ai burri e ajo gruaja atëherë, të kaloja atë urën përballë atij pallati ngjyrë bezhë me shpresën se ndonjë nga dritaret do ishte hapur apo mos vallë në ballkon kishte dalë dikush për të më shuar kureshtjen e atëheshme se kush duhet të banonte brenda atyre qepenave.

Të shëtisja dhe unë në atë rrugicën ku kishte parkuar një motor i kuq “Vespa” e që mua më dukej më e bukur se "Viale Mazzini" në Romë ku ndodhej vetë godina e RAI.

Mbas një farë kohe, duke lëvizur sa andej këndej, u futa në një “Tabaccaio” dhe kërkova mos vallë gjeja atë kartolinën por, më kot.

U ula diku në një bar në Piazza dhe i thashë kamerierit të më sillte një shishe birre, të madhe që të kaloja sa më shumë kohë duke risjellë nëpër mendje kujtimet e dashura të asaj kohe me kartolinën nëpër duar dhe shikimin qepur te ato gjashtë pamje...

 

 

Vjenë, 29 Nëntor 2015