poetry, essays and narrativas (copyright ©)

Motel Džep

 Motel Džep

 

Kishin ngelur edhe pak kilometra nga autostrada Beograd-Nish dhe ja, m’u shfaq stacioni i pagesës ose, siç quhet në serbisht, “Putarina”. Diku më tutje ndodhej qyteti Leskovac. Fillova të mendoja se ndoshta do të ishte më mirë ta kalonim aty natën. “Jo”, - më tha një zë i brendshëm. - “Do humbasësh më shumë kohë duke hyrë dhe duke kërkuar nëpër qytet”.

Vendosa të ndaloja te Motel Džep. Disa kilometra më tutje. Ndodhet pranë rrugës. Tashmë unë mund ta quaj veten klient i vjetër i tij, mbasi aty, sa herë që rrugëtimi do ta sjellë të ndodhem pasditeve këtyre anëve, do të ndaloj për kafe, të cilën ma sjell vetë Vlada, pronari.

Ai, kur më sheh te veranda, vjen, më ulet pranë dhe si gjithmonë, fillon të më pyesë nga kam qenë. Së fundmi, më pyet për Erwin-in, shokun tim piktor nga Salzburgu.

Ma kujtoi përsëri Vlada atë natë të bardhë dëbore kur, të porsakthyer nga ekspozita që kishim pasur në Ohër, në mes të një pleviti dhe në një tufan të papërjetuar më parë, prisnim punonjësit serbë të doganës në Preshevë, të cilët bënin sikur kontrollonin dokumentet tona duke na lënë me orë të tëra jashtë derisa, më në fund, u bëmë “esëll” dhe e kuptuam se pas sharjeve të tyre të herëpashershme, “jebemti majku u pičku i sestru u guzu”, nuk qëndronte ndonjë moskuptim apo paqartësi në dokumentacion, por thjesht tërbimi i tyre mbi “trashësinë” tonë, që s’po e kuptonim akoma se duhet t’u jepnim ndonjë euro apo dinar. Kishte shkuar ora tre e mëngjesit dhe me dëborën që na përplasej xhamave të makinës, vendosëm të flinim gjëkundi. Udhëtimi për në Vjenën e largët në atë bardhësi që sa vinte na dukej se zbardhej akoma, ishte gati i pamundur. 

Sapo ishte duke ardhur drita e ditës së re, kur një tabelë anës rrugës informonte se mbas 5 kilometrash ndodhej Motel Džep.

I rashë ziles aq e kaq herë dhe kur vumë re se asnjë nuk po e hapte derën, shkuam te makina dhe filluam t’i binim borisë, derisa te dritarja e katit të dytë lëvizi perdja. Nuk do të zgjaste shumë kur dëgjuam kërcitjen e derës dhe përpara nesh u shfaq një burrë aty tek të 50-at, të cilin, akoma pa i thënë “dobro jutro”, e pyeta: “Imate li slobodnhi soba?”

Ai, pasi i hodhi një shikim rrugës dhe tavanit të makinës plot dëborë, na e bëri me dorë të hynim brenda dhe bashkë me të u ngjitëm në një papafingo në katin e tretë, për të hyrë brenda në një dhomë që ishte aq e ulët, saqë fillimisht menduam se duhet të ishte dhomë fëmijësh, por që nuk i bëmë naze, sepse e kuptuam që vetëm ajo duhet të ishte e lirë. I thashë të zotit “Hvala”, mbylla derën dhe u futëm shpejt nëpër krevate...

 

Edhe kësaj here Vlada, sa më pa ulur në verandë, erdhi dhe i hodhi një sy djalit tim. E shikoi nga këmbët te koka dhe e lëvizi kokën majtas-djathtas, si të donte të thoshte: “Sa qenka rritur!”

Ndenjëm edhe pak aty nën hijen e pemëve dhe vazhduam rrugën për Pogradec, por dielli i gushtit që na kishte shoqëruar gjatë gjithë ditës dhe pritjet e gjata nëpër “Putarina” e kishin bërë të tyren.

Vendosëm të ndalonim në Vranjska Banja, një stacion termal pa hyrë në qytetin Vranje. Akoma pa pyetur nëse në hotelin “Zelezničar” kishte apo jo dhomë bosh, i thashë kamerierit të më sillte një “Jelen Pivo”.

 U ula në tarracë me sytë humbur në pyllin e dendur dhe parkun plot lule që e rrethonte godinën. Pas pak kamerieri erdhi me tabakanë me shishen e birrës. Nga etja fillova të përforcoja idenë se “Jelen Pivo” është birra më e mirë në Serbi.

Kamerieri kthehu kokën nga unë dhe atë moment, me gishtin tregues të dorës së djathtë, i lashë të kuptojë se duhej të më sjellë edhe një shishe tjetër.

 

Vranjska Banja,

e premte, 9 gusht 2012