poetry, essays and narrativas (copyright ©)

Igra bez granica

Igra bez granica

 

Te semafori i rrugicës ndaloi një makinë që i kishte lënë dritaret hapur, nga ku dilnin tingujt e një kënge që m’u duk e njohur. Semafori u hap dhe kur makina po largohej dhe tinguj e muzikës po humbitnin, m’u kujtua që ishte "Igra bez granica" (Lojë pa kufij) e këngëtarit më të famshëm maqedonas, Toše Proeski-t.

Qëndroja ulur në kolltukun tim në shtëpi dhe filloi të më kujtohej ai tetor i vitit 2007 kur, me ftesë të Aleksandar Petreski-t, kryetarit të Bashkisë së Ohrit, në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë në Ohër, së bashku me Erwin-in, shokun tim piktor nga Salzburgu, do të hapja ekspozitën ndërkombëtare “Good morning, Balkan”. 

Nga Vjena isha nisur qysh në orët e para të mëngjesit dhe mbasi kisha lënë pas Austrinë, Hungarinë dhe Serbinë, po i afrohesha Shkupit, ku më duhej të ndaloja te Ministria e Kulturës, ngaqë kisha lënë një takim me Betin, ministren Elizabeta Kancevska-Milevska.

Përpara se t’i afrohesha qytetit, kërkova të flisja në telefon me të dhe ta lajmëroja se për pak minuta do të jem aty. Zilja binte, por Beti nuk përgjigjej.

Vendosa të mos hyja në qytet, por të vazhdoja rrugën për Ohër. Sa po i afrohesha Tetovës, dëgjova zilen e telefonit dhe në display lexova të ishte Beti, e cila më tha se sekretarja e saj kishte tentuar disa herë të më kontaktonte dhe i vinte keq që nuk mundej të më priste dot, ngaqë i duhej të merrte pjesë në një varrim në Kruševo, një qytet shumë larg Shkupit, pasi në një aksident automobilistik në Kroaci, në moshën 26-vjeçare, kishte vdekur Toše Proeski. Hapa radion dhe mundohesha të kuptoja diçka, ndërsa të tjerat m’i merrte mendja.

Ndalova diku në një restorant anës rrugës dhe në TV shihja një ceremoni mortore me një pjesëmarrje të gjerë njerëzish dhe mes tyre, gati e gjithë qeveria si dhe presidenti i Republikës.

Pasdite vonë mbërrita në Ohër. Zura dhomën e hotelit që më kishin rezervuar dhe nga darka vendosa të dal shëtitje nëpër promenadën buzë liqenit.

Isha duke iu afruar sheshit të qytetit, kur nga larg fillova të vija re se pranë monumentit të Shën Kliment Ohridskit ishte ngritur një mal i madh me lule, ngjyra e të cilave herë dukej dhe herë zhdukej, sa herë që era e lehtë që vinte nga liqeni përplasej me flakët e qirinjve të ndezur, pranë të cilëve djem e vajza qanin për Toše-n, ose më mirë për jetën e tij, ashtu siç ai vetë e dëshironte, si “igra bez granica” (një lojë pa kufij).

 

Vjenë,

e shtunë, 5 nëntor 2016