poetry, essays and narrativas (copyright ©)

ni(L)kon

kairo, 22 shtator 2002

…sapo kishim mbaruar drekën dhe hanan, gruaja e profesor *magdyt, solli kafenë. duke e parë sesi e hidhte nëpër filxhan, më ngelën sytë të xhezvja e praruar e me gdhendje të çuditshme. hanan, e cila e kuptoi vështrimin tim, më tha se e kishte bërë vetë dhe atë moment hapi regalin dhe na tregoi një koleksion arturinash shtëpiake. ata, që të dy janë artistë dhe japin mësim në fakultetin e arteve në universitetin helwan në kairo. madje edhe salma, vajza e tyre, aty studion.

nga hoteli ishim nisur qysh herët në mëngjes dhe mbasi kishim qenë te piramidat nuk di pse por, një dhimbje e madhe koke po më shoqëronte gjatë gjithë kohës. në fillim mendova se mos kisha marrë ndonjë virozë, a ndonjë infeksion dhe kjo m'u fiksua edhe nga fakti që kairo është një qytet gati me 20 milion banorë dhe vapa e madhe, sido që të jetë, e bën të sajën dhe, aty për aty, kërkova mos kishin ndonjë aspirinë apo diçka tjetër.

salma më tha se kishin diçka popullore që ndoshta është më efikase se barnat. thashë një faleminderit duke menduar se duhet të ishte ndonjë zgjidhje që do e kenë përdorur dhe faraonët dhe mbasi e pashë që ndezi sobën e gazit dhe në një tenxhere të vogël hodhi disa gjethe shihja avullin dhe ndjeja aromën e një lëngu që sa vinte dhe bëhej më i murmurt. pas pak ajo fiku sobën dhe erdhi me një filxhan të madh çaji ku ishte stampuar figura e artë e nefertitit dhe nuk di pse fytyra e saj, mbas avullit që dilte akoma nga filxhani, më dukej mijëra vjeçarë…

mbaruam çajin dhe i thashë klarës që duhet te çoheshim mbasi po bëhej vonë dhe se ne orën 19 kisha lënë një takim me samir faraag, drejtorin e muzeut kombëtar të egjiptit. magdy më tha se në hotel do ishte më mirë të na çonte mohammad-i, djali i tyre sesa të prisnim në diell deri sa të kalonte ndonjë taksi dhe më tregoi me dorë temperaturën që paraqiste një stacion televiziv ku në të gjithë atë zhurmë gërmash të çuditshme të vetmen gjë që kuptova, ishte 44°.

u nisëm për hotel dhe të parën gjë që bëra sa hyra në dhomë ishte futja në dush dhe mbasi dola u shtriva në krevat ku më zuri dhe gjumi deri sa klara më tha që vajti vonë dhe se duhet të bëheshim gati për në muzeum…

u vesha shpejt e shpejt dhe mbasi mora aparatin fotografik, përpara se të mbyllja derën, u ktheva te frigoriferi dhe mora një verige rrush të zi dhe dola për të pritur ashensorin. ne holl pyeta recepsionistin nëse kishte taksi dhe mbasi na tha se përjashta po pret një, dolëm dhe hipëm të dy, nga dyer te ndryshme. i dhashë taksistit adresën se ku duhet të na çonte dhe iu luta të mbyllte dritaret mbasi avulli përvëlonjës dhe gazrat e makinave e nxehnin akoma më shumë ambientin dhe atë moment hoqa aparatin fotografik që e kisha të varur në qafë dhe e lashë në hapësirën mes meje dhe klarës.

vazhdoja të haja rrush dhe shihja qafën e taksistit dhe ku nga pasqyra e jashtme, i shihja vetëm syzat e errëta që gati gati humbitnin nëpër flokët shume të zeza e plot onde …

te hyrja e muzeut pagova dhe dolëm ashtu siç hymë, nga dyer të ndryshme dhe u ngjitëm shkallëve shpejt e shpejt ku te zyra e drejtorit pashë që kishin ardhur magdy së bashku me hanan si dhe dy të tjerë qe siç m'u bë e qartë, ishin artistë të shquar egjiptianë. biseduam fillimisht për kairon, egjiptin, muhamed aliun, shqiptarin e madh të egjiptit dhe dinastinë e tij deri në vitet 1950, kur mbreti faruk u rrezua nga froni, për lagjen zamalek, qëndra e kairos ku ndodhej dhe muzeu kombëtar e që mendohej se prejardhjen e kishte nga zëmblaku i korçës dhe më vonë, biseda u orientua rreth qëllimit te vizitës time dhe tregova për ftesën qe mu bë në janar nga ministria e kulturës së egjiptit për të organizuar një ekspo internacionale mbi dialogun e kulturave dhe civilizimev të cilën e titullova „ndërmjet danubit dhe nilit“.

biseda vazhdoi me hollësirat e organizimit dhe në fund, përpara se të largoheshim, si gjithmonë thashë të bënim një foto, zakon ky prej kohesh imi ku çdo takim pune e dokumentoj. i thashë klares më jep aparatin por në fytyrën e saj pashe habinë dhe dëgjova fjalët se nuk e kishte ajo. ktheva kokën majtas e djathtas dhe fillimisht mendova se do e kisha lenë në dhomë, por klara më siguroi se e kisha pasur me vete në ashensor...

u turbulluam të gjithë dhe, së bashku me magdyn dolëm jashtë dhe morëm taksinë e parë që erdhi dhe u nisem për hotel. u ngjita me një frymë në dhomë dhe mbas pak zbrita përsëri në holl ku priste klara me magdyn dhe, i vrenjtur në fytyrë, duke mbledhur buzët, thashë: kisha njëherë një aparat nikon.

lajmëruam policinë e hotelit dhe mbasi mbushëm një formular, u larguam për të pirë dicka, te lokalet buzë nilit.

të nesërmen, në darkë i bëmë një vizite në vilën e tij pranë piramidave artistit të shquar egjiptian, omar el nagdy, i cili, mbas gati 30 vjetësh në paris, ishte kthyer në kairo dhe mbas një darke poshtë 1001 yjeve, u kthyem në hotel e filluam të bënim rrobat gati mbasi të nesërmen, do të ktheheshim në vjenë.

sapo kishte kaluar mesnata dhe atë moment ra zilja e telefonit. dëgjova recepsionistin i cili më tha se dikush kërkonte të fliste me mua dhe mendova se do ishte mohammadi, djali i magdyt, por ishte një zë i trashë burri i cili, mbasi më tha mirëmbrëma dhe kërkoi të falur për shqetësimin në atë orë, duke u justifikuar se më kishte kërkuar dhe më parë, më pyeti se nga isha dhe kur dëgjoi që i thashë nga austria vazhdoi në gjermanisht, duke më pyetur nëse më kishte humbur diçka këto ditë në kairo. i tregova për aparatin tim nikon dhe ngjarjen e mundshme, sipas asaj që unë mendoja se do kishte ndodhur.

mbasi më dëgjoi, bëri një pauze dhe më pyeti se kur e kisha biletën e kthimit dhe, kur i thashë nesër pasdite më tha se ka vetëm një mundësi ta marrë aparatin: ose ta dorëzonte ne polici, gjë që zgjaste shumë, ose të veja të nesërmen te shtëpia e tij e ta merrja. mbasi pranova të dytën ai me dha adresën...

të nesërmen, mbas mëngjesit morëm taksinë dhe vajtëm te adresa. i rashë ziles dhe pas pak, te dera u shfaq një burrë aty te 50, trupmadh e me pak flokë i cili na tha të hynim brenda. hoqëm shapkat dhe hymë në dhomën e ndenjes ku te kolltuku, i ulur m'u shfaq shoferi i taksisë i cili si i zënë në faj, më dha aparatin. e pashë thellë në sy, e përqafova dhe futa dorën ne xhep t'i jepja para, por ai më tha jo zotëri!

i thashë që duhet të merrte diçka se po t'a shiste aparatin tim do fitonte disa herë më shumë se tërë muajin me taksi, por ai më tha se një gjë të tille ai nuk mund ta bënte kurrë mbasi “ai” duke ngritur koken nga tavani e kishte parë, dhe do ta dënonte per gjestin, prandaj ato para, do t'i bëheshin haram.

kush të pa e pyeta, në taksi isha vetëm unë dhe gruaja ime. ai i çuditur qe unë se kisha kuptuar më tha përsëri „ai“ dhe ngriti sytë nga dritarja dhe duart nga qielli.

e kuptova. ai s'mund t'a shiste aparatin tim mbasi allahu e kishte parë!

duke i kërkuar ndjesë që se kisha kuptuar i thashë se sidoqoftë, diçka duhet të merrte. si falënderim. bliju ndonjë dhurate fëmijëve të tu, nga dy fëmijët e mi dhe nxora nga portofoli dhe ia dhashë. ai pa burrin në sy dhe mbasi ai i tha me shenjë merri, i futi në xhep dhe u largua.

një moment, nga dhoma tjetër pashe të dilte një fëmijë i vogël të cilin ai e ngriti në krah duke më thënë se ishte i biri dhe mua nga goja, instinktivisht më doli një „mashallah”…

ai u çudit dhe më pyeti nëse jemi myslyman por aty për aty i thashë jo duke i treguar se jemi shqiptarë dhe se prej 11 vjetësh jetojmë në vjenë…

çfarë tha ai dhe sytë gati si dolën jashtë nga habia. e dini ju ku do vete unë javën tjetër? jo i thashë. do vete në lushnjë tha dhe filloi të tregonte historinë se si jetën e kishte të ndarë mes kanadasë, gjermanisë dhe egjiptit. në gjermani, në passau, në restorantin që kishte në pronësi kishte dhe një vajzë shqiptare që së bashku me burrin punonin aty. ajo ishte aq e mirë dhe aq punëtore sa një dite e pyeta se mos kishte ndonjë motër si veten e saj mbasi donte t’ia bënte nuse vëllait te tij, aty ne kairo dhe kështu, javën tjetër, bashkë me ahmedin, vëllain, do shkojmë në lushnjë të marrim enkelejdën për nuse…

rruga e kthimit për vjenë m'u duk e shkurtër. ngjarjet më kishin marrë aq shumë me vete dhe ideja se mbas një muaji do kthehesha për hapjen e ekspos m'a shtonte dëshirën e ardhjes akoma më shumë dhe kjo ndoshta dhe nga fakti i këtyre kombinacioneve kaq abstrakte, ku isha nisur për të bashkuar danubin me nilin e që në fund, n'a kishte bashkuar më shumë reth vetes, aparati im nikon.

*magdy abdel aziz el bayle – artist i shquar egjiptian, profesor në universitetin helwan në kairo si dhe në universitetin e suezit dhe në dubai