poetry, essays and narrativas (copyright ©)

welser-möst

Welser-Möst

Nuk e kam kuptuar akoma se cilat ishin shkaqet që çuan Franz Welser-Möst-in të dorëhiqej nga posti i dirigjentit dhe drejtorit artistik të filarmonisë së Vjenës. Një mendje ma thotë që duhet të kenë qenë arsye të forta, se pas gjithë asaj kohe aty dhe aq e kaq sukseseve nëpër botë nuk mundej të largohej duke thënë se nuk i bënin më këmbët të hynte në të njëjtën portë ku kishte hyrë e nga kishte dalë prej shumë vjetësh.

Sidoqoftë, interesi më shoqëroi për një kohë të gjatë, sado që edhe koncertet e Vitit të Ri, pa të në krye të orkestrës, se si më dukeshin. Nuk dua të them se dirigjentët e tjerë që erdhën pas tij nuk ishin të duhurit, por se ç’më ishte krijuar njëfarë afeksioni për të. Për atë elegancën që i ishte qëndisur fytyrës. Për atë pamjen aristokrate që më jepte përshtypjen se Johann Strauß, mbas bisedave me Aloisia-n, stërgjyshen e Franz-it dhe mikeshën e tij, e kishte krijuar atë posaçërisht, për të na treguar se kështu ishte edhe atëherë, kaq e qëndisur, kaq e stolisur dhe kaq e florinjtë, koha kur ai, vjenezi, kompozonte “Danubin blu”. Përpara se ta shfaqte në publik, ua paraqiste miqve të tij të ngushtë, aty te Kafehaus “Dommayer”, lokali i saj, në të 13-in distrikt të Vjenës.

Më kujtohet akoma mirë ajo mbrëmje kur me rastin e 20-vjetorit të ardhjes sime në Austri familja më dhuroi bileta për simfoninë nr. 9 të Antonin Dvořák-ut, atë me titull From the new world, dhe në holl, përpara se të fillonte shfaqja, e pashë të zhytur nëpër thellësinë e njerëzve të shumtë. Kjo ishte edhe hera e fundit.

Nuk do të zgjaste shumë dhe rifillova udhëtimet e mia të pafundme, ndërsa ai pas pak do të largohej për të vazhduar rrugën e tij, drejtimin e një filarmonie po aq të famshme, atje në “Botën e Re”, në USA.

Ngjarjet do ta sillnin që këtë fundtetori të kësaj vjeshte të thatë të vitit 2014, kur gjethet prej kohësh kishin filluar të binin, njerëzit sapo kishin veshur rrobat e trasha të dimrit dhe nga sobat e ndezura dilte ndonjë fjollë tymi i avullt gri mbi çati, një ftesë e ardhur nga Ohio e largët për të hapur një ekspozitë me fotografi në “Cleveland City Hall” do të më gëzonte shumë, jo vetëm për faktin se do paraqisja fotografitë e mia në një vend ku arti i fotografisë është ulur këmbëkryq në shiltenë pranë sobës, por se do më jepej edhe mundësia të shihja e dëgjoja nga afër orkestrën simfonike të Cleveland-it, njërës prej “The big five” e më të famshmeve të Amerikës, dirigjent dhe drejtor artistik i së cilës ishte vjenezi Franz Welser-Möst.

Të parën gjë që bëra përpara se të nisesha, lajmërova në bashki se dëshiroja me patjetër të takohem me Franz Welser-Möst-in dhe iu luta të hynin në kontakt me zyrën e tij.

Të nesërmen e mbërritjes në Cleveland u lajmërova nga bashkia se ato ditë nuk ndodhej në USA dhe me keqardhjen e pamundësisë së takimit, ashtu elegant dhe gentleman siç ishte, më kishte rezervuar dy bileta për në koncertin e së nesërmes, një perlë e muzikës simfonike amerikane, për “Harmonium-in” e John Adams-it, mbi të cilat kishte lënë mbishkrimin:

“Për Faten, vjenezin.”

 

Cleveland, Ohio

E martë, 11 Nëntor 2014