poetry, essays and narrativas (copyright ©)

KREUZTANNE - Roman

  • rama
  • natgal
  • kurz
  • kurz1
  • gusenbauer
  • niebel
  • catania 1
  • catania
  • bari 1
  • bari 2
  • catania
  • roma 3
  • cod
  • roma 1
  • roma 2
  • tirana
  • uni
  • uni1
  • peter

 

i dedikohet babait tim Melo, dhe vajzës Helena

 

Një histori e vërtetë, e tij, por që mund të ishte dhe jotja, e vëllait tënd, e fqinjit tënd, e kujtdo prej atyre që në të largëtin e të tashmin vit 1991 u larguan nga Shqipëria me një qese mbushur plot ëndrra... historia e tij, që kishte ëndërruar të jetonte në metropole, por që fati i rezervoi një hotel të vogël në majë të maleve të Austrisë e që aty, kërkoi të rigjente veten e të ristrukturonte ëndrrat duke u përplasur, ulur e ngritur për të mos rënë kurrë në momente hidhërimi, drame e gëzimi, që fati ia kishte "shkruar" t'i përballonte i vetëm, larg. Një histori e shkruar në një stil vetjak, të pangjashëm, si piktura të realizuara me mish e me gjak dhe si fotografi të realizuara  me germa e fjalë për ta bërë këtë libër, një vepër që nuk duhet të lihet larg syve dhe matanë shpirtit.

☆☆☆

Ideja për të shkruar këtë libër më lindi më datë 21 korrik 2015, në 24-vjetorin e ardhjes sime në Austri. Atë ditë të vitit 1991, pas një udhëtimi të gjatë e të rrezikshëm nëpër Jugosllavinë ku sapo kishte filluar lufta, i vetëm e me një qese me pak rroba me vete dhe me 100 marka gjermane në xhep, mbërrita më në fund, mbas 28 orësh, në “Lager”, në Traiskirchen, një qytet 20 kilometra larg Vjenës.

Në këtë 24-vjetor, së bashku me familjen, vendosëm të bënim një vizitë te kjo “Adresa” ime e parë, të cilën e gjeta të tejmbushur me refugjatë nga Siria. I thashë familjes se përpara 24 vjetësh isha unë njëri prej tyre, pasi ky kamp, si sot, ishte plot e përplot me refugjatë nga ish-vendet komuniste.

Aq shumë ma trazoi kujtesën ajo që pashë, sa fillova t’u tregoja çdo moment të atyre dy javëve qëndrimi aty, deri më datë 5 gusht 1991, kur më hipën në një mikrobus dhe më çuan në malet e Sankt Antonit, në Gasthaus “Kreuztanne” – “Kryqëzimi”, emërtim të cilin e kishte marrë të tillë mbasi ai ndodhej në kryqëzimin e tri rrugëve që të çonin në tre fshatra, nga pesë kilometra secila larg që aty. Njëra ngjitej përsipër në një të përpjetë të fortë. Rruga përbri zbriste teposhtë në një tatëpjetë po aq të fortë dhe e treta, në një rrëpirë, dhe ajo shumë e fortë.

Ishte dëshira e familjes që, në fund të asaj jave, në datë 26, qysh në mëngjes, u nisëm për te vendet që kisha shkelur e jetuar fillimisht. Për në Wieselburg, Scheibbs, Kienberg, Gaming, Sankt Anton/Jeßnitz për të ndaluar në Gasthaus “Kreuztanne”, aty, ku dhe filloi jeta ime e re, kujtimet e të cilave më detyruan të shkruaja këtë libër.

Fate Velaj

 

...fragment

…gjumi më doli herët dhe pas një qëndrimi shtrirë në krevat, dola jashtë. Fillimisht u ula te një tavolinë në oborr dhe e kuptova se dielli do të dilte shpejt, pasi në faqen e pllajës përballë filluan të ndriçoheshin vetëm majat e pishave dhe nuk do të zgjaste shumë kur ai doli i plotë mbi majën e malit duke goditur gjithë luginën, e cila mbas një lëndine të gjelbër vazhdonte më tutje me një pyllshumë të dendur pranë të cilit vura re një traktor.

U çova dhe fillova të endesha sa andej-këtej, pa qëllim nëpër oborr, dhe pa kuptuar, këmbët m’u drejtuan për nga rruga kryesore që kalonte përbri hotelit. Një drejtim ishte për sipër, vazhdim i malores dhe tjetra zbriste për poshtë. Mora të parën dhe vazhdova ecjen deri kur, mbas gati 100 metrash, arrita në një pikë ku rrugët ndaheshin në tri drejtime. Njëra zbriste poshtë, me një rrëpirë të thellë, tjetra ngjitej sipër, djathtas në një të përpjetë të fortë dhe tjetra, ishte ajo nga unë erdha, si të gjitha të tjerat dhe ajo, një rrëpirë akoma edhe më e pjerrët.

Disa metra më tutje, në fillim të secilës prej rrugëve, pashë tabelat në të cilat jepeshin drejtimet ku do të lexoja se poshtë rruga të çonte për Sankt Anton/Jeßnitz, i cili që aty ishte pesë kilometra, tjetra, ajo për të poshtmen që shkonte përballë meje, të çonte në Frankenfels, po pesë kilometra dhe ajo për sipër, për Puchenstuben po aq, pesë kilometra.

Ndenja njëfarë kohe aty si për të vënë re se nga cili drejtim do të vinin më shumë makina, për të kuptuar kështu se në drejtimin e cilës nga këto tri rrugë ishte dhe qyteti më i banuar, më i madh. Pas një qëndrimi aty, me shikimin thellë duke parë faqet e maleve dhe luginave rrotull, mes një qetësie reanimacioni, vura re se kishte kaluar gati gjysmë ore dhe asnjë makinë nuk ishte dukur të kalonte. Ktheva kokën nga të gjitha drejtimet, si për të parë se mos ishte duke ardhur ndonjë nga larg, por në heshtje i drejtova sytë përsëri nga tabelat që tregonin drejtimet. Shpejt do ta kuptoja se fati nuk kishte qenë shumë bujar me mua dhe se imagjinatat e mia për një jetë në qytete të mëdha, me kinema, teatro e jetë të bujshme nëpër rrugët e gjera me makina ngjyrangjyra, plot parqe, lulishte e skulptura, pranë të cilave zotërinj me frak e zonja me kapele me pupla shëtisnin, do të fshiheshin si me gomë atë ditë të 5 gushtit dhe se s’do të kalonte shumë kohë e do të më bëhej akoma më e qartë se aty, në majë të malit, mundësia për t’u rregulluar ose për të gjetur punë, do të ishte e lodhshme ose thjesht një rastësi e momentit. Tashmë për mua kishte filluar një epokë e re, një epokë ku idetë dhe fantazitë në terrene të panjohura do të ishin parësore dhe se të tjerat do të ishin zhvillime të tyre dhe se çdo gjë do t’i dedikohej një pune të paepur e plot kurajë për të arritur aty ku dëshiroja, për të cilën isha nisur nga Shqipëria.

U ktheva përsëri për te hoteli dhe në mendje fillova të kërkoja t’I hiqja mendimet që m’u krijuan, duke parë ato tri rrugë boshe dhe fillova t’i jepja kurajë vetes e të thosha se ky është vetëm fillimi që, sado i ashpër të jetë, do të jetë vetëm fillimi dhe si çdo fillim dhe ky, do të kishte të panjohura të mëdha, por që, në krahasim me fillimet e vështira në terrene të njohura, ky fillim për mua do të ndodhte jashtë çdolloj fantazie e imagjinate, të cilën e kisha krijuar më kot në kokë, si të thuash, kur i kisha bërë hesapet “pa hanxhinë”, atje në Vlorë, gjatë gjithë jetës sime aty pranë televizorit duke parë stacionet italiane me ëndrrën për të jetuar një ditë në Romë, diku në “Piazza di Spagna” ose në “Via Margutta”.

U ula përsëri te karrigia në oborr dhe me sytë drejtuar maleve që qëndronin kokëforta, kryeneçe e muskulore si të donin të më  thoshin se jemi ne të zotët e vendit e se ti do të bësh çfarë të duam e të ta lejojmë ne, më dukej vetja i dobët e akoma pa mbledhur forcat nga jeta e bërë më parë e nga rruga e gjatë për të ardhur përballë tyre dhe, për t’i parë ato së fundmi thellë në sy si të doja t’u thosha “më jepni pak kohë sa të marr veten e do të vij të merrem e të matem me ju”, i hoqa sytë prej tyre e fillova të mendoja se ç’do të bëja nëse së shpejti aty fillonte dëbora e i ftohti i madh, me të cilin unë nuk isha mësuar deri atë ditë dhe ndenja aty derisa erdhën të tjerët, të cilët, sa dolën nga dera, hodhën sytë në drejtim të majës së malit me pyllin e dendur aty pranë duke u ulur në heshtje, pa asnjë koment dhe herë pas here shikonim njëri-tjetrin për t’u çuar mbas një farë kohe përsëri, por me një shtrembërim buzësh kur dëgjuam të zotin e hotelit që nga brenda bërtiti “Essen”...