opinions, analysis and interviews

perparim kabo-philosoph and publicist - (al)

  • pap kabo

Tirana, 12 June 2009

I dashur Piktor i Bulevardit Europa, prano përjetimin tim!


Bulevardi Europa në qytetin liqenor ku poezia duket sikur vjen nga thellësia e ujërave! Të bën të mendohesh kjo zgjedhje!
Nuk mund t’i shmangesh këtij përjetimi që duket se vjen nga detyrimet e mungëtirave atëherë kur njeriu dëshironte të bëhej duke gjetur apo krijuar rrugën!
Bulevardi në një qytet të vogël ku numëri i njerëzve nuk është i tillë që të kërkojë hapsira të gjëra, përse duhet?!

Ai, njeriu hapsirëmbyllur është mësuar me rrugë të ngushta, me rrugica ku çdo gjë është mjaft e afërt dhe intime.
Por ja që një piktor që i mat dimensionet e botës me ngjyrat dhe sensin e kohës e hapsirës e rindërton në një dialektikë krejt ndryshe nga ajo e prekshmja, ky virtual që provokon frymëzim, propozon që “qyteti i vogël i liqenit të madh” të fillojë të eci në një Bulevard të gjërë me emrin Europa.

Duket si devijim nga ëndrra kozmogonike sepse bashkë me udhën do duhet të ndryshojë edhe e ecura. Ajo lypsë tani më një tjetër ritëm dhe muzikë nën një marshë që duket sa i vjetër aq edhe i ri!
Ndoshta ardhja e emrit nga mitologjia është gurrëkyçi që e lejon piktorin të gjej arsye për këtë kombinim.
Duhet filluar rrugëtimi nga gjeneza, nga ajo kohë nistore, kur ne populli i këtyre hapsirave, ishim prezent në fillimin ‘primordial’ të europianeve. Ne vijmë nga parahelenizmi pellazgjik që sillte në jetë “mushtin e mendimit” të ardhshëm gjithkohorë, të atyre që u njohën si banorët e parë të kontinentit "europianët e parë", krijuesit e “gjuhës së perëndive”.
Ç'farë do te eci në atë udhë të piktorit? Njeriu, fati, ëndrra apo të treja së bashku?!

Do të eci e sotmja dhe do të vrapojë drejt së ardhmes, apo do të shohim siluetën e së djeshmes, ashtu të moçme me pamje veshje dhe këngë-fati nga mugëtirat, që afrohet me një lodhje nazike, që në çdo fjalë na duket sikur na sjell edhe logjikën formale të Aristotelit, e bardha = e bardhë,(A=A) por edhe atë të Heraklitit logjiken paradoksale se "njeriu nuk lahet dy herë në të njëjtin lumë", që ndryshe formëzohet në artikulimin ndjellës,"ajo është dhe nuk është","nuk është as kjo,as ajo", por janë të barabarta si të ndryshme dhe kështu gjejmë tolerancën dhe postulatin është më mirë të veprosh drejt! E kështu mbrijmë tek logjika Hegeliane!
I dashur piktor! Ju të racës tuaj na vini në vështirësi në punëtorët e mendimit filozofik, por ja që më ndihmon antropologjia për të vijuar dhe zgjidhur enigmën që lind tek liqeni dhe përfundon në kërthizën e Europës institucionale!
Do të ecin fëmijët në atë bulevard, dhe ëndrra e tyre është embrionale, e bukur në pafajësi, e rrezikuar nga moskujdesi apo perdorimi abuziv!!
Nuk e di shterueshëm por se kam frikë!
Endrra e fëmijëve duhet të jetë fëminore, embrionale dhe udhë-gjatë, sepse brenda saj çdo kush ka "projektet e jetes" si edhe shkruante nje europian i mirë, skandinavi Olaf Palme.
Kujdesi për këtë megaplan antropologjik, nis nga fëmijëria.
Të rritemi me fëmijëri!
O zot sa e bukur, sa spontane, sa romantike, sa frymëzuese, sa e sinqertë, sa përdëllenjëse, sa vetvetja dhe endrrandjellëse, është fëmijëria! Po a riten sot fëmijët tanë me fëmijëri?
-Të gjejmë shokët e fëmijërisë, thotë Olaf Palme!
Ata, femijet tanë sot, ose janë “teknologjizuar”, ose janë bërë obez, ose nuk kanë mundësi për një komoditet normal si vërsinkët në Europë.
Le t'u themi;- Shkoni fëmijë tek bulevardi Europa-, dhe ata do të rendin, do të gulçojnë nga frymë-pengimi, por se kur të mbërijnë atje e të ndalen për të rregulluar frymëmarrjen, ndoshta të habitur nuk do të dinë se ç’farë të thonë!

Do rendin sërisht për të shkuar në fund të bulevardit dhe do të rikthehen ne krye të tij, e sërisht do të rendin deri sa të kuptojnë që e kanë matur atë në çdo cep, por "thesari" ende nuk është gjetur prej tyre!
Ndoshta do të mendojnë se kanë ngatëruar rrugën!
"Bulevardi Europa" do të duhej të zgjatej dhe ti shpinte ata në godina shkollash më të mira, me ngrohje ne dimër, me libra që nuk të bezdisin me gjëra të panevojshme, me mësuesë të devotshëm dhe të pa korruptuar! Të mbërinte kështu bulevardi tek "Tempulli i Dijes", ku njeriu i saj mëson të njohi dhe të ndryshojë progresivisht botën, të njohi më mirë veten dhe ta ndryshojë atë, të mesojë të dojë atdheun, të presi zhvillimin nga dija, të shohi larg dhe qartë dhe të frymëzohet nga historia e vëndit të vet, nga atdhetarët dhe nga njerëzit e shquar të popujëve të tjerë që qëndrojën ende zgjuar për njerëzimin si faret e deteve që nuk kanë frikë nga vetmija dhe dallgët!

“Zgjate bulevardin i dashur piktor”, jo duke shtruar kilometra të tjerë, por duke edukuar me artin tënd njerëzit e ligjit që do të vijnë atje në ditën e inagurimit (ne fakt ata nuk erdhën. Erdhën vetëm miqët e tu nga politka, arti e kultura europiane! ) dhe do të lexojnë shkrimet e përgatitura nga “kalemxhinjtë zanatçinjë”, që kanë me shumë se një variantë në xhepat e tyre të shërbimit. Bulevardi do të bezdiset nga ato fjalë të stisura, të pandjera dhe jo të sinqerta!!!
Ndoshta ndonjë profesori të vjetër filozofie që aty pari do të kalojë, apo strukur atje ku “syri vigjilent i skifterave te pushtetit” nga bezdia nuk shkon, ose vete dhe hiqet sa hap e mbyll sytë, do t’i kujtohen fjalët e një filozofi europian Jean Jack Rousseau se: "Politikanët tanë duhet të denjojnë të pezullojnë llogaritjet e tyre...të mësojnë, më në fund, se me para mund te arrihet gjithçka, përveç zakoneve të mira dhe qytetarë të vërtetë."

“Bulevardi Europa” i piktorit do të shërbejë për të edukuar njeriun me zakone të mira! Kjo është një pikturë surealiste e modernizmit të sotëm. Hedhja e ngjyrave në të, fillimisht vjen bardh e zi.

Deshira realizohet sepse piktorët merren vesh me një gjuhë që vetem ata e njohin. E verdha e piktorit hollandez e pëlqen edhe të verdhën ne kafe të piktorit shqiptar. Bota e ngjyrës nuk është përjashtuese.
Ajo është e paanë dhe plurale, sepse nuk është e fundëme, është brenda logjikës paradoksale ku jeton toleranca.
Ngjyra edukon thotë Oscar Wild sepse: "Ndjenja e ngjyrës ka shumë më tepër rëndësi në zhvillimin e individit, se ajo e së drejtes, apo e të padrejtës"
Minatorët e Pishkashit si në një "kromatorium të komunizmit" do te jenë hijet e së djeshmes në atë bulevard!
Skeletet e tyre do të marshojnë dhe do të luajnë në një bandë instrumentash të pa identifikuar.

Bandia e njerëzve të "krematoriumit të komunizmit" gjallërohet. Muzika e saj tani tingëllon ndryshe. Luhet simfonizmi duam të vërtetën! E vërteta, e vërteta, ku ndodhet ajo?!
Eshte e gatëshme apo ajo ndërtohet nga vlerat?!
Njeriu dhe vlerat! Sa e thjeshtë duket.Ja skema!
Një vizatim fëminor në nje palo konkurs ku ndonjë OJF rrjep ca para nga donatorët e huaj, dhe shpalli fitues vizatimin e “talentit feminor”, "birit të depuetit" të zonës. punimin në akuarel me titull:
"Dyqani i vlerave europiane"! Duartrokitje të zjarrta! Fëmijët tanë europianë po shkurtojnë rrugët drejt saj! Jo,dyqan nuk shkon. Ta shkruajmë, supermarketi, apo hipermarketi më i madh në rajon, se kështu do t'i pëlqejë udhëheqësit! Dhe varet diku në mes të bulevardit vizatimi, që do të "bëjë epokë"! "Dyqan dje, sot supermarketi Europa”, ku tregëtohen vlerat universale"!

Në hyrje të Bulevardit do të shkruajmë me qymyr nëntoke: "E drejta e parë është jeta, ky është bulevardi Europa"!
Fillojnë poetët e rinjë të mendojnë dhe hedhin në bllok rimat e para për jetën! E kishim harruar, ndjehen ata në pendim dhe përgjegjësi!
Piktorët e Bienales së rradhës, diku në një kështjellë mesjetare në një vend balltik, fillojnë të ndryshojnë telajot. Duhet pikturuar jeta!
Nga cila ngjyrë duhet filluar? Nga e bardha sepse në fillim ishte drita. A nuk quhej perëndesha e bukurisë dhe e dashurisë Afërditë? (afër ditës, në agim ylli i mëngjezit ashtu si dhe emri i nënës së piktorit te Bulevardit Europa).

Ps/I dashur Fate Velaj, kështu e përjetova unë Bulevardin Europa në qytetin e liqenit! Faleminderit!