opinions, analysis and interviews

fjala e mbajtur në “sallen e hartave”, në kryeministri - 28 janar 2014

fjala e mbajtur në “sallen e hartave”, në kryeministri, me rastin e marrjes së “kryqi i kalorësit të shkallës i” nga ana e presidentit të austrisë.

 

i nderuar z. kryeminister,

të nderuar zotërinj ambassador,

shumë të nderuara zonja dhe zotërinj!

kanë kaluar gati 10 vjet nga tetori i vitit 2003, kur në një sallë si kjo, salla solemne e kryeministrisë së austrisë, në vjenë; një zonjë nga salzburgu, një “gran dame” e politikës europiane, ministre e punëve të jashtme, benita ferrero waldner, në emër të qeverisë do të më dorëzonte të parën medalje, atë të “nderit të republikës së austrisë”.

dhe sot, 1400 km larg asaj salle, në këtë sallë solemne të kryeministrisë së shqipërisë do të jetë përsëri një djalë nga salzburgu, ambasadori thomas schnoll, që do të më japë një tjetër medalje, “kryqi i kalorësit të shkallës i“, këtë radhë nga presidenti i austrisë dhe kjo, pikërisht sot, në këtë 258 vjetor të lindjes së djalit më të famshëm të salzburgut dhe të historisë së muzikës botërore, wolfgang amadeus mozart.

me këtë rast, une dua të falenderoj nga zemra presidentin e austrisë, dr. heinz fischer, i cili e vlerësoi kaq lart  punën time për austrinë.

kur në vjenë, në vitin 2003 më dorëzuan medaljen e parë, unë kisha pak vite që i isha përkushtuar tërësisht “idesë  dhe shpirtit europa”. deri atëherë kisha organizar një sërë aktivitetesh dhe sapo kisha mbyllur me sukses dy iniciativa, si dhe kisha startuar të tretën.

e para iniciativë ishte “arti përmirëson kohën”, të cilën e organizova në shkup, i dërguar nga ministria e jashtme e austrisë disa muaj pas firmosjes së marrëveshjes së ohrit dhe e dyta, ishte “ndermjet danubit dhe nilit”, organizuar në kairo, me ftesë të ministrisë së jashtme të egjyptit, disa muaj pas ngjarjeve të 11 shtatorit, në new york.

e treta iniciative ishte “mirmëngjes ballkan”, të cilën e startova nga athina që ate kohë, si sot, kishte presidencën e radhes së be-së dhe në axhendat e saj, ashtu si dhe sot, kishte integrimin e plotë të vendeve të ballkanit dhe si e tillë, iniciativa ime e “mirmëngjes ballkan” do të fitonte zemrën e evangellos venizellos, atëhere minister i kulturës, i cili më ftoi dhe gati gjithë kabinetit të kosta simitis.

qysh atëherë, në këto 10 vjet, unë kam ndërmarr shume iniciativa rreth e rrotull europës si edhe përtej kufijve të saj. këto inciativa dhe ky përkushtim i madh imi për europën do të sillte atë që në dhjetor të vitit 2011, presidenti i parlamentit europian të më akordonte medaljen “european citizen”, për merita të veçanta për bashkimin europian.

por, ky përkushtim imi ndaj europës dhe vlerave fondamentale të saj do të më sillte pranë edhe me një tjetër person, me edi ramën, një mik me të cilin së bashku bëmë një pjesë të rrugës për një shqipëri europiane, duke iniciuar e realizuar paraqitjen nëpër kancelaritë europiane të një shqipërie tjetër, shqipërisë së gjeneratës së re, asaj pas 23 qershorit.

në fund të gushtit të kaluar, edi rama do të me thoshte se: së bashku kemi bërë vetëm një pjesë të rrugës drejt europës. eja pranë meje, këtu në tiranë të bëjmë edhe pjesën tjetër që na ka mbetur e kështu, të gjithë ate angazhim e ngazëllim tëndin për austrinë e europën e bashkuar ta vesh e ta vëmë së bashku në shfrytëzim të së ardhmes europiane të shqipërisë. ftesë kjo, të cilën unë e pranova me kënaqësi dhe tashmë jam këtu, në këtë godinë, si këshilltar i tij për diplomacinë kulturore dhe rilindjen europiane shqiptare.

të nderuar zotërinj ambasadorë,

në këtë përiudhë që unë jam këtu, pothuajse jam takuar me të gjithë ju dhe kemi biseduar së bashku mbi strategjitë dhe vizionet e mia e nëpërmjet meje të qeverisë rama, për një rilindje europiane të shqipërisë dhe të integrimit të saj më të shpejtë në familjen europiane.

unë, ju falenderoj ju, miq të vyer, që më keni ofruar bashkëpunimin tuaj për një realizimin sa më të mirë të këtyre koncepteve, mbi të cilat jo vetëm unë, por të gjithë ne së bashku, në fund do të jemi përfitues, pasi unë e shoh këtë si një fitore të madhe jo vetëm të shqiptarëve, por dhe të europianëve gjithashtu.

por, 11 vjet më pas, titulli i iniciatives “good morning, balkan”, tashmë vlen vetëm për një pjesë të këtij rajoni. pjesë kjo, që në shumë kancelari europiane është i koduar me emërtimin “ballkani perëndimor”.

 

pjesa tjetër e të ashtuquajturës “ballkan”, në vitet 2004, 2007 dhe 2013 hyri në familjen europiane dhe tashmë, jashtë saj, kanë mbetur vetëm disa shtete. në fakt, asnjë nga këto shtete nuk do ta fusë veten nën perkufizimin e përgjakshëm të emërtimit gjeografik “ballkan”, përkufizim ky i tejmbushur në histori me urrejtje, paragjykime dhe mosbesim ndaj njëri tjetrit.

dhe me të drejtë, çdonjëri prej nesh, do drejtonte pyetjen se: - po vendin ku fillojnë përgatitjet e paragjykimeve ndaj njëri tjetrit a e dimë? dhe ne me bindje të plotë do t’i përgjigjeshim: - nga mendjet dhe kokat tona, transferohen në zemër e artikulohen nga gjuha, e gjithmonë, pikërisht në ato momente, kur mendojmë se jemi më superior se tjetri e kur mbivlerësojmë “cilësitë” tona, në krahasim me ato të të tjerëve, ku më më vonë kërkojmë t’i legjitimojmë ato, sado që harrojmë se, vijmë nga e njejta hapësirë banimi e kulture dhe ku, fatkeqësisht nga krijimi i këtyre paragjykimeve e “epërsie vlerash e cilësish” kemi rënë shpesh herë pre e nacionalizmave shterpë, që si rrjedhoje kanë spërkatur me gjak e vuajtje periudha të tëra të historisë së përbashkët.

detyra jonë është, që këtë hapësirë banimi ta kthejmë në një hapësirë mirëkuptimi e mbi të gjitha paqeje e tolerance, për të krijuar në këtë mënyrë një unitet në diversitet sië është familja europiane, në të cilën shtetet e ballkanit perëndimor janë akoma jashtë kufijve të saj.

ish-presidenti gjerman, richard von weizsäcker, do të thoshte me të drejtë në berlinin e bashkimit se: "...nuk është evropa brenda kufijve të mureve ajo që mund të pajtohet, por një kontinent i tërë që kufijve ua merr natyrën e tyre ndarëse”.

të respektuar miq,

si një njohës i mirë i juglindjes së evropës dhe si një përjetues i shpeshtë i saj, kam një përvojë që ma ka sjellë eksperienca ime shumë vjeçare në krijimin e forumeve dhe aktiviteteve evropiane në gati të gjitha shtetet e rajonit. unë i shoh gati përditë zhvillimet pozitive të këtij rajoni, i cili në shinat e historisë ka qënë i njohur për instabilitet, por që tashmë me optimizëm ka vënë në sy rrugën e anëtarësimit drejt be-së dhe e mban konsekuent kursin në atë drejtim.

një nga këto vende është edhe shqipëria në të cilën idetë dhe dashuria për evropën lulëzojne më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit, unë ndjehem krenar kur përpara miqve të  mi evropian e cilësoj vendin ku unë u linda  si “vendi i evropianëve”.

shqiptarët e duan evropën dhe në tërë historinë e tyre kanë luftuar për vlerat e saj dhe identitetin e përbashkët europian. kjo ështe ajo që tregon se pse ata në këtë rrugë kanë pasur gjithmonë ndihmën dhe prezencën e miqve të tyre të mëdhenj europianë.

ashtu si dhe më parë edhe sot ata u drejtohen këtyre miqve dhe marrin me kënaqesi nga çdo ndihmesë, këshillë apo vlerësim.

rruga e nisur drejt evropës nuk është  e lehtë dhe shpeshherë mungon dhe eksperienca, por unë jam i bindur të dashur miq se nuk ka forcë natyrore që mund t’a kthejë mbrapa shqipërine nga kjo rrugë e nisur për tek miqtë.

si një europian në bindje dhe në zemer, i cili e di fare mirë se bashkimi evropian pa inkuadrimin e plotë të juglindjes së kontinentit do të mbetej një punë e lënë pergjysmë, më shtyn mua t’ju lutem juve të dashur miq, që këto përpjekje të shqipërisë t’i mbështesni.

unë jam më se i bindur, se shqiptarët një gjë të tillë e meritojnë dhe se nuk kanë bërë më pak reforma evropiane se të tjerët, që tashmë e shijojnë dhe përjetojnë marrjen e statusit për ëndrrën europiane.

mbështetja juaj dhe e qeverive tuaja do të shihet si një shenjë e mirë e asaj që europa nuk e sheh më shqipërinë si “cepin jugor të ballkanit perëdimor”, por si një vend që ka qënë dhe do të jetë gjithmonë një pjesë përbërëse e saj dhe e historisë së saj të lavdishme.

 

 

faleminderit!