opinions, analysis and interviews

interviste me "gazeta shqiptare"

..mbi diplomacine kulturore, brukselin, vjenen, budapestin, pragen..vloren, kaninen

 

intervistoi: fatmira nikolli

 

Një foto e Ismail Qemalit,një pikturë e së bijës, Helenës, dhuratë për 50-vjetorin. Më tutje, tri fotografi nga Vlora, nga cikli "Saga e familjes së peshkatarëve" përkndruall tyre, imazhe të Vjenës, ku ka kaluar 22 vjet. Në tryezën e punës, tri fotografi të tjera, nusja dhe dy fëmijët. Zyra e Fate Velajt është në katin e tretë të godinës kryeministrore. E gjejmë para kompjuterit, diç i shkruan ambasadës së Britanisë së Madhe.

 

E pyesim, kush është në foton e varur në murin sipër kompjuterit? "Franz Vranitzkyi, kancelar i Austrisë në vitin 1991, kur unë mbërrita në Austri si i pashpresë, si i papunë dhe si i paarsimuar, siç thoni ju mediat".

Velaj, sot qesh me këto akuza, por nuk e bënte këtë në shtator, kur fraza të tilla zinin vend të dukshëm në media. Atëherë, qe irrituar më shumë se sa mërzitur, por assesi ai irritim, nuk doli mbi energjitë pozitive që duket se e shoqërojnë. Të mungon Vjena? "Më mungon disi. Por, unë nuk e kam humbur Vjenën brenda vetes. E si për ta shuar mallin, ngado më shoqërojnë kujtimet dhe aq sa ma lejon estetika e zyrës, kam marrë diçka këtu", thotë ai duke treguar me gisht nga fotot. Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk e ka lëshuar nga dora aparatin fotografik, e imazhet e fiksuara i ka ndarë me qindra miq në "Facebook". Por, nga ana tjetër, duket se e ka tradhtuar të dashurën e tij më të parë, atë që ia do më fort zemra, pikturën. "Më merr malli për të, jam disi më larg saj. Megjithatë, në një moment që t'i ngopesh me emocion dhe kur ta kërkon gjendja shpirtërore, pikturon dhe i shpreh të gjitha", - tregon Velaj. Por, (duke dashur t'i rikujtojmë veten e para disa muajve) i themi: megjithatë, ti nuk i ke më gishtat me bojë, nuk i ke fshirë ato mbi bluzë, mbi ballë, duart e tua janë tashmë duart e një zyrtari... "kam kohë që s'i kam ngjyer duart në bojëra..., por edhe kjo që bëj, më sjellë kënaqësi".

 

Intervista nis me angazhimet e fundit, një shpjegim mbi Europa Plaza, vijon me planet për një galeri të vogël në kryeministri dhe një ekspozitë të madhe në portat e kryeqyteteve europiane. Duke mos lënë jashtë vëmendjes komentet për kthimin e eshtrave të Eqrem bej Vlorës, për ç'arsye u la kjo intervistë, ai e sheh të turpshëm debatin mbi kontratën e varrit të beut në Vjenë. Mbas kësaj, Velaj, i përgjigjet interesimit tonë edhe kryeministrin Rama në pritje të një fëmije. Velaj beson (dhe e beson vërtetë) që një fëmijë kryeministror do të sjellë harmoni e lumturi. Në fakt pse jo?! Vetëm fëmijët munden ta bëjnë. Miku i tij Rama? Sërish miq, në kontakt të vazhdueshëm, me besim të ndërsjellë. Velajt, prapë i ka bërë përshtypje qetësia e mikut të tij gjithë këto muaj (me arkën e shtetit bosh). Mendon se në këtë qetësi ka ndikuar zonja Rama, e tani e tutje duket se do të ndikojë pinjolli më i ri.

 

Ke qenë tejet i angazhuar këto kohë. Për se e vizitove Shkupin?

Isha i ftuar nga ministrja e Kulturës së Maqedonisë Elisabeta Kançevska Milevska, në dt.27 mars. Ajo është njohëse e punës sime për Europën. Ideja e bisedës ishte shkëmbimi i ideve mbi dialogun kulturor në rajonin e Ballkanit dhe thellimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Arritëm në disa mendime të përbashkëta dhe shpresojmë që në të ardhmen t'i realizojmë për të pasur një përfaqësim sa më të mirë jo vetëm të artit e kulturës shqiptare, por edhe atë maqedonase, e më vonë të dy shtetet të paraqiten si shtete që i kanë sytë e orientuar drejt së ardhmes së përbashkët europiane. Më pas, pata takime me artistë shqiptarë e maqedonas për të realizuar aktivitete të përbashkëta.

 

A u fol në takimin tuaj me Kançevska-Milevska për çështjen e enciklopedisë maqedonase?

Jo, pasi fokusi i takimit ishte krejt tjetër e axhenda qe përcaktuar dhe nuk mund të tejkalohej. Në vitin 2002, pas marrëveshjes së Ohrit, unë kam qenë i ftuar në Shkup në emër të Qeverisë austriake për të realizuar aktivitetin "Arti përmirëson kohën". Ajo që sot është ministre, atëherë ka qenë sekretare e shtetit dhe qe mbështetësja e aktivitetit. Në aktivitet morën pjesë artistë të huaj, shqiptarë e maqedonas. U quajt aktivitet i jashtëzakonshëm që nxiti dialog mes dy kulturave, pasi deri në atë kohë artistët shqiptarë nuk e tejkalonin urën e gurtë të Vardarit. Për hir të aktivitetin, urën e kaluan 7 shqiptarë e 7 maqedonas. Mediat më kritikuan se i vura 7 me 7, pasi në Maqedoni ka më shumë shqiptarë se maqedonas, por përgjigja ime ishte që unë nuk jam studiues demografik, por artist.

 

Një tjetër aktivitet ku ju morët pjesë së fundmi ishte në Fier. Ç'është Europa Plaza?

Një projekt që unë e kam realizuar në vitin 2012, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Qëllimi i tij është të bëhet Fieri një qendër e rëndësishme për dialogjet dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Vepra e artit është një "deklaratë dashurie" drejtuar Europës, pjesë e së cilës ne jemi. Qëllimi tjetër është që "Europa Plaza" të festojë ditët kombëtare të 28 shteteve anëtare të BE, duke ngritur flamurin e atij shteti që ka festën kombëtare, ndërsa në ditë normale, aty valëvitet flamuri i Europës së Bashkuar. Ftohet ambasadori i vendit, i cili vjen me një delegacion, interpretohen dy himnet dhe ngrihet flamuri i shtetit që feston nga një djalë e një vajzë me veshje popullore të zonës. Pas kësaj, delegacioni shkon në bashki, shkëmbehen mendime se si mund të përmirësohen marrëdhëniet mes vendeve, marrëdhëniet ekono-mike, kërkohen partneritete etj. Kemi festuar sivjet festën Bullgarisë me 3 mars, të Irlandës më 17 mars dhe atë të Greqisë, që ishte para disa ditëve dhe jemi duke u përgatitur për festën kombëtare të Britanisë së Madhe. Ambasadorët e kanë konsideruar këtë ide si një prej më eleganteve në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.

 

Ju ishit në Kaninë këtë fundjavë ku u rivarrosën eshtrat e Eqrem bej Vlorës. Kthimi i tij në atdhe u prit mirë nga kaninjotët, por ka pasur edhe komente negative. Pyetja e shtruar ka qenë: pse Beut të fundit iu rezervua një ceremoni e tillë, pasi ka qenë ministër i qeverisë kuislinge. Si i përgjigjeni kësaj?

Eqerem bej Vlora nuk shikohet vetëm në atë koncept, sepse është një figurë komplekse dhe shumë e gjerë. Pata privilegjin, që si djalë i Kaninës, kryeministri të më linte mua të vendosja kurorën shtetërore në emër të tij. Eqrem bej Vlora u respektua për vlerat e tija kulturore, për vlerat e tija poliedrike. Do të vijë një kohë që do të diskutohet më gjerë figura e tij, pasi ka ende njerëz që preken nga kjo histori. Respektuam fenomenin kulturor të Eqrem bej Vlorës ndërsa me pjesën tjetër, do të merret historia në një kohë që të jetë më e qetë. Atëherë do të gjykohet çdo gjë që ai ka bërë dhe do të dënohet ajo pjesë që mendohet se ka qenë në dëm të vendit.

 

Sa i vështirë ishte kthimi i eshtrave?


Ai ishte varrosur në një nga lagjet më të mira të Vjenës, në atë me nr.19. Sigurisht ka një procedurë që zgjat, duke bërë kërkesa të zyra funeraleve, në bashki, etj. Por, me këtë nuk jam marrë unë.

 

Këto ditë është përfolur se ai u risoll në Shqipëri, pasi kishte mbaruar kontrata e tokës së varrit. Si qëndron kjo çështje?

Të degradojë një proces i tërë i respektit shtetëror për një personalitet, duke nxjerrë fjalë të tilla si mbaroi kontrata, është e rëndë. Njeriu nuk ka kontratë, historia nuk është me kontratë. Eqrem bej Vlora e kishte vendin atje ku e kanë të gjithë Vlorajt e tjerë dhe shumë shqiptarë të famshëm. Ka të tjerë shqiptarë të famshëm që janë tretur larg Shqipërisë për shkak të mbylljes 50-vjeçare të vendit. Kështu që, Edi Rama ishte i mendimit që Eqrem bej Vlora i takonte pjesës së tokës shqiptare, që duhej të prehej këtu, pranë familjes dhe intelektualëve të tjerë shqiptarë. Në dialogje e diskutime mbi marrëdhënie kontraktuale të varreve e të jetës, unë nuk hyj se nuk është e moralshme të flitet për një personalitet të tillë, duke përmendur kontrata varresh.

 

Ju takoni shpesh ambasadorë të shteteve të ndryshme, cilat kanë qenë frytet e punës së suaj shtatë mujore në krye të diplomacisë kulturore?

Kur Edi Rama më kërkoi të lija Vjenën dhe atë që kisha bërë për të, tashmë ta bëja për Shqipërinë, që së bashku me të çonim në fund atë që kishim nisur, e quajta këtë ftesë, sfidë e respekt për punën time. Jam në këtë zyrë që prej 18 shtatorit. Që në fillim krijova strategjinë time se ku do të fokusohet Rilindja Europiane Shqiptare dhe diplomacia kulturore. E ndava në tri hapësira: 1. hapësira vendore; 2. hapësira rajonale dhe 3. hapësira internacionale.

Ajo vendore ka moton "Europa fillon tek pragu i shtëpisë tënde" që do të jetë një cikël debatesh i hapur me studentë, intelektualë e mendimtarë që do të ftohen në këto forume të hapura, do të dialogohet me personalitete të Europës së bashkuar dhe vendimmarrëse mbi të ardhmen europiane të Shqipërisë, por edhe mbi atë të identitetit të përbashkët europian. Europa nuk fillon në Bruksel, as në Strasburg, as në Vjenë, as në Paris. Për mua, Europa fillon sapo hap derën e shtëpisë, ajo fillon në mendjen tonë dhe në zemrën tonë, duke pyetur veten sa të gatshëm jemi ne për Europën, sa të aftë jemi ne për t'u ballafaquar me vlerat e Europës, sa europianë jemi ne? Dialogjet do sjellin ide se si ne t'i bashkohemi e t'i qasemi asaj. Kam takuar ambasadorë të BE-së e më gjerë, kam dialoguar e kemi krijuar ide e koncepte të përbashkëta mbi përshpejtimin e hapave dhe prezantimin e vlerave më të mira e më të ndriçuara shqiptare në vende të ndryshme. Për këtë kam bërë disa ture ndërkombëtare, siç ishte ai i fundit në Vjenë, Budapest, Pulia, Shkup, Prishtinë e ato që do jem javën tjetër në Bruksel, Pragë, Vjenë, etj. I kam dyert e hapura sepse kam 15 vite që merrem me këtë punë. Politikanët europianë vijnë nga hapësira kulturore dhe e njohin statusin e një artisti që përçon artin e kulturën edhe në politikë.

 

Një ekspozitë që titullohet "Shqipëria e parë ndryshe" do bëjë xhiron e Europës. A mund të na e prezantoni me gjerësisht?

"Shqipëria e a parë ndryshe" që do çelet në Budapest, do jetë ekspozitë fotografike e rezultateve të Shqipërisë në art, kulturë, turizëm. Ajo do të ndihmojë në krijimin e një imazhi pozitiv për vendin tonë para Europës. Do të hapet në Ministrinë e Jashtme të Hungarisë e ata marrin përsipër edhe shpenzimet e ekspozitës. Më pas, ekspozita do të dërgohet po prapë me shpenzime të mbuluara prej tyre, në Romë, Berlin, Paris, Vjenë e Londër.

 

Dhe ku do të ekspozohen, nëpër muze?

Hungarezët kanë institutet e tyre kulturore nëpër kryeqytete të ndryshme dhe ai i Vjenës që unë e kam parë është madhështor. Do bëjnë një reklamim të shkëlqyer, sepse ftohen institucionet kryesore shtetërore të këtyre vendeve, duke bërë që e pranishme të jetë elita e shoqërisë.

 

Vetë Kryeministria, do hapet më për artin?

Kam një ide për ketë pjesë. Do hapet për artin dhe kulturën. Në katin e parë, në holl do të hapim një "galeri" për fotografinë bashkëkohore, ku do ftohen 4-5 herë në vit, artistë të huaj dhe vendas që të paraqesin artin e tyre.

 

A nuk mendoni se kështu do "përplaseni" dhe do i "merrni" detyrat drejtorit të GKA-së, Artan Shabani?

Jo, nuk ka të bëjë me atë. Kjo e imja është një tjetër strategji. Shabani drejton institucionin kulturor më të rëndësishëm të artit figurativ në Shqipëri dhe me sa di, është i suksesshëm në atë që po bën, ndërsa kjo ka të bëjë me diplomacinë kulturore. Këtu mund të vijnë ambasadorë, delegacione. Para se një delegacion të hyjë në godinën e Kryeministrisë, mund të hapet një ekspozitë me artistë nga vendi prej ku vjen delegacioni dhe me një artist shqiptar. Pritja do bëhej më interesante, por edhe mikpritëse.

 

Si ka qenë bashkëpunimi juaj me Ministrinë e Kulturës, Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, duke qenë se fokusi juaj dhe i tyre ka të bëjë me artin?

Na lidh puna për ato koncepte, ku kemi të njëjtin drejtim. Nuk kam qenë i lidhur me Ministrinë Kulturës, por ajo informohet dhe jam në rezonancë me zonjën Kumbaro, si edhe me Kernin dhe Shabanin, që me arritjet e tyre na kanë bërë të jemi krenarë. Jemi në koordinim.

 

A këshilloheni me Ramën për diplomacinë kulturore?

Sigurisht! Rama që në fillim, kur e pyeta ku janë kufijtë e mi, më tha je pa kufij, atë që ke bërë për Europën e Austrinë, bëje për Shqipërinë. Para se të filloj një koncept, unë e informoj që të jemi në sintoni. Kemi kontakte pothuaj të përditshme. Marrëdhënia jonë ka qenë e mirë, jemi marrë vesh gjithnjë edhe pa u parë. Ai e di që çdo gjë që bëj për të ardhmen europiane të Shqipërisë. E filloj punën në këtë zyrë në orën 7:45, duke u informuar si fillim me zhvillimet më të fundit të kulturës dhe e mbyll pas orës 20:00 në mbrëmje.

 

Prej ditësh, shumë shqiptarë, socialistët edhe më shumë, janë entuziazmuar nga lajmi që kryeministri pret të bëhet baba. Sa është ndjerë kjo në Kryeministri? Sa e keni ndjerë ju tek Rama? Është më entuziast?

Rama gjatë këtyre 7 muajve ka qenë tejet i qetë. Një qetësi që ia kam zili. E shoh dhe nuk e di se si e përballon me kaq qetësi faktin që e gjeti shtetin në "prag falimentimi". Ka qenë i qetë dhe më ka çuditur, sepse duhej të ishte ndryshe. Tek kjo qetësi, mendoj se ka ndikuar edhe zonja Rama. Unë e kisha vënë re prej kohësh që i rrinte afër, kishin harmoni të përbashkët dhe ajo luan rol të jashtëzakonshëm në këtë harmoni e qetësi.

Dhe një fëmijë, gjithnjë gëzon...

 

Unë e kam lexuar në media këtë. Është një gjë fantastike, që ata të dy të kenë një trashëgimtar në këtë moshë, të bëhen sërish prindër. Kjo, them unë se do të sjellë një lumturi të jashtëzakonshme dhe një kreativitet të madh për të dy personat vetë dhe një harmoni që do të transmetohet edhe tek njerëzit që i rrethojnë. Është gjeniale dhe i uroj sepse një fëmijë kryeministror, është shumë entuziazmues. I uroj përzemërsisht.