opinions, analysis and interviews

“XENOS – të punosh e të jetosh në diversitet”

 

„Europa jeton mbi kontrastet e saj dhe lulëzon nga diversiteti i tyre“ - Albert Camus

Dialogforum në Universitetin e Vlorës

Fate Velaj


Fillimisht ju kërkoj ndjesë që këtë aktivitet, i cili ishte planifikuar të mbahej mbas ngjarjeve të „Charlie Hebdo“ në Paris, por që, për shkak të përmbytjeve në Vlorë, m’u desh ta anuloj. Gjithashtu, më duhet të falenderoj pjesëmarrësit e këtij paneli, që, të gjithë së bashku, erdhëm ne idenë se emergjenca natyrore ka përparesinë kryesore.

Të nderuara zonja, të nderuar zotërinj!
Në vjeshtën e vitit 2001, mbas goditjeve të 11 shtatorit në New York, në Universitetin e Vjenës, unë do të organizoja një dialog-forum me të njëjtin titull. Të ftuar kisha deputetë, eurodeputetë, personalitete të medias e kulturës europiane etj. Shkaku pse duhet t'a organizoja këtë dialog nuk ishte ngjarja, por debatet mbas ngjarjes tragjike. Përpara 14 vjetësh, ju të nderuar studentë,  nuk ishit aq të vetëdijshëm se çfarë ndodhi, por sot, jam i bindur se nuk çuditeni kur, gjate kontrollit nëpër aeroporte, mund të ndodhë që një paste dhëmbësh, një shampo apo një parfum t’jua heqin nga çanta dhe t’i hedhin poshtë…Epra, çdo gjë e ka zanafillën nga data e 11 shtatorit të 2001. Pa hyrë në detajet e asaj ngjarjeje,sepse nuk është ky qëllimi i panelit të sotëm, do të fokusohem tek debatet mbas ngjarjes së 11 shtatorit 2001.
Menjëherë mbas goditjeve në New York, politika, media, shoqëria civile u përfshi në një det e oqean debatesh, të cilat në unison përfaqësonin të njëjtën temë: atë se bota, mbas kësaj dite, nuk do te ishte më siç kishte qenë. Mbaroi shoqëria e qejfit! Mbaroi shoqëria multikulturore! Madje, kishte nga ata që flisnin për luftë mes civilizimeve...deri për luftë fetare.
Mediat raportonin për masa të shtrënguara të sigurisë nëpër rrugë, aeroporte, stacione metrosh e hekurudhash. Më në fund, u tha se në Amerikë, ishte arritur deri aty sa të ndaloheshin edhe filma, pjesë teatrale, libra e deri tek këngët e famshme siç ishin “What a wonderful world“ e Louis Armstrong apo "Bridge over troubled water" e Simon & Garfunkel etj.
Në Europë kishte edhe nga ata që këto akte terrori t’i klasifikonin si kryevepra të jashtëzakonshme arti, siç qe i famshmi kompozitor Karlheiz Stockhausen, apo siç qenë deklaratat e Jorg Haider-leader i partisë së ekstremit të djathtë në Austri. Ky i fundit arriti deri aty sa të fliste për largimin e të huajve nga Europa etj.
Shume vite kanë kaluar nga ajo tragjedi, shumë ngjarje dhe zhvillime kemi përjetuar, për te arritur deri ne orën

11.30 të datës 7 janar 2015, në ngjarjen e „Charlie Hebdo“ në Paris. Tema e debatit te sotëm nuk lidhet drejtpërsëdrejti me vetë ngjarjet, por me ata që i kryhen këto ngjarje. Kush ishin ata, cila ishte e kaluara e tyre, ku ishin lindur dhe arsimuar, cilën pjesë të shoqërisë përfaqësonin ata, nga vinin...???

Perse këta persona qe kryen ndërmorën këto veprime, megjithëse ishin arsimuar ne top universitete, ishin lindur dhe rritur në kryeqytete europiane, të njohura botërisht si shoqëri multikulturore dhe për hapësirat qe ju japin të ardhurve, për të përfaqësuar lirshëm kulturën dhe identitetin e tyre, nuk kishin arritur të gjenin forcën për një dialog e debat në një shoqëri të hapur, siç është ajo europiane e amerikane. Përse ata nuk gjetën armën e dialogut e të argumentonin prejardhjen dhe identitetin e tyre kulturor, apo të debatonin mbi qytetërimet apo civilizimet e paraardhësve të tyre, por kaluan direkt e në terror, duke vrarë mijëra njerëz të pafajshëm. Cilat qenë dallimet midis tyre dhe vendeve pritëse dhe sa te thella ishin këto dallime në mendjet e tyre...?

Në përfundimin të të gjitha debateve, lidhur me këtë temë, qofshin ato që organizova në Vjenë, në Bruksel, në Scheibbs, në Athinë, Shkup etj, kemi ardhur në përfundimin se mospranimi me vetëdije i vlerave fondamentale të shoqërive të vendeve që vetë këta i kanë përzgjedhur për te studiuar e jetuar apo dhe punuar, përqafimi i doktrinës më të errët të shoqërisë nga ata vijnë, doktrinë e një pjese radikale religjioze, që nuk përfaqëson fenë e tyre, atë islame (e cila ka në baze të saj dashurinë dhe mirëkuptimin), i kane bërë këta persona të identifikohen me zinë radikale dhe obskure. 

Nga përvoja ime dhe nga angazhimet e mia interkulturore, që kane pasur si qëllim zhvillimin e dialogut dhe paraqitjen e kulturave të ndryshme europiane dhe jo vetëm, për të cilat kam pasur gjithmonë mbështetjen e qeverive te vendeve ku këto aktivitete i kam zhvilluar, më duhet te kujtoj në veçanti nëntorin e vitit 2002. Në atë vit, me ftesë te ministrisë së jashtme dhe asaj të kulturës së Egjiptit, në muzeun e Kajros, do të paraqisja të plotë iniciativën „midis Danubit dhe Nilit“ që synonte dialogun e kulturave të vendeve përreth këtyre lumenjve. Me kujtohen akoma mirë ato netë në Kajro kur vizitorët e shumtë më pyesnin e interesoheshin për artin dhe kulturën e këtyre vendeve, bile, më kujtohen edhe komentet qe u bënin këtyre veprave. Ata ishin të hapur dhe dialogonin, edhe nëse nuk u pajtohej mendja me ndonjë vepër të realizuar nga një artist austriak, bullgar apo gjerman.

Gjithashtu, në vendet europiane, më ka ndodhur shpeshherë të ballafaqohem me njerëz të ardhur nga hapësira të ndryshme, te cilët, jo vetëm që janë integruar në jetën vendase. por janë bërë shembuj për vetë vendasit. Fjala “integrim”, të nderuar studentë e pedagogë, nuk do të thotë asimilim.

Fakti që vetë këto shtete u japin hapësirën e duhur prezantimit të kulturave të vendeve nga ata vijnë, fakti që këto shtete i lejojnë të ngrenë shoqatat e tyre dhe t’i financojnë ato, tregon për një mundësi që u japin atyre te mos harrojnë kulturën e paraardhësve dhe njëkohësisht ta transmetojnë atë te pasardhësit e tyre. Te gjithë jemi në dijeni të grupimeve të ndryshme artistike, kulturore dhe ndoshta politike të shqiptarëve nëpër botë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se vendet pritëse u kane dhënë mundësinë shqiptareve të përfaqësohen nëpër festivale, takime letrare e kulturore, pa dallim, dhe se e dimë fare mirë se Europa e sotme është pikërisht kështu vetëm e vetëm nga fakti se ka ditur të përfitojë nga diversiteti i saj kulturor.
Albert Camus me të drejtë do të shprehej se „Europa jeton nga diferencat që ka dhe lulëzon nga diversiteti i tyre“.
Mbas viteve 1991, dhe veçanërisht tani, që ne shqiptarët lëvizim lirshëm dhe pa kufij, na ngelet për detyrë që ta vendosim kulturën tonë, trashëgiminë tonë kulturore, veçanërisht atë te bashkëjetesës fetare, në qëndër të debatit mbi fotografinë e identitetit tonë. Të marrësh pjesë në një dialog mbi diversitetin kulturor, duhet të jesh i mirëinformuar mbi kulturën e tjetrit, në mënyrë që të jesh i aftë të debatosh nën frymën e tolerancës dhe dialogut konstruktiv, të gjesh të përbashkëtat dhe anët specifike të secilit. Do të thotë të punosh qe këto dallime t’i kthesh në ura bashkëpunimi.  Të jetosh e të punosh në larmishmëri do të thotë të jesh i aftë ta pranosh tjetrin dhe të jetosh me të, duke e parë tjetrin si rrjedhojë të zhvillimeve të cilat, shpeshherë, historia i ka mbajtur larg vendet tona. Të jetosh në pluralizëm kulturor do te thotë të jesh i aftë të tregosh e të paraqitesh me dinjitet prejardhjen tënde, të ndjehesh krenar për ato cilësi qe ne kemi e qe bota na i ka pranuar. Por, të jetosh e të punosh në diversitet, do të thotë të pranosh edhe rregullat apo vlerat fondamentale te vendeve të cilat ti vetë i ke përzgjedhur për të jetuar.

Ne nuk vemi në këto vende për t'i ndryshuar ato, për te cilat ata kanë punuar me breza të tëra me mijëra vjet. Ne vemë për të përmirësuar jetën tone, për të ndërtuar një të ardhme ndryshe për pasardhësit tanë dhe, në rastin tuaj, për t’u arsimuar në universitetet e tyre qindravjeçare, që dijet e përfituara në to t’i sillni këtu e t'i përdorni për zhvillimin e vendit. Fakti qe sot, shumë të huaj kanë ardhur dhe vijnë te ne për te punuar, investuar apo për të ndërtuar familje dhe të ardhmen e tyre, tregon atë se dhe ata vijnë tek ne pa paragjykime. Ata kërkojnë të gjejnë të përbashkëtat mes nesh dhe vetes së tyre. Ne jemi të bindur se ata vijnë të ne mbasi gjejnë shumë të përbashkëta të grumbulluara nga e kaluara historike e përbashkët europiane.

Faleminderit.