opinions, analysis and interviews

Luan Topçiu - Kreuztanne

Luan Topçiu

Rikrijimi i një jete në kohë

Rreth romanit “Kreuztanne” të Fate Velaj

Origjinaliteti është një e dhënë që karakterizon gjithë krijimtarinë e artistit Fate Velaj. Ai është artisti që nuk e ndal kërshërinë e tij për të zbuluar zona të reja të shprehjes artistike. “Kreuztanne” është libri i tij i parë, botuar së fundi nga Shtëpia Botuese “Saras”, që mund ta klasifikojmë për lehtësi operacionale dhe komoditet të analizës si roman autobiografik. Është një territor i ri që te Velaj shkel-proza e gjatë, një sfidë personale, një provokim për të prekur kufijtë e rinj të njohjes dhe të shprehjes. Në cilësinë e lëçitësit të parë të tekstit, jam i bindur se Velaj nuk ka qënë i interesuar për llojin e prozës që po lëvronte, dhe as për kategorizimin e saj, por, i zhytur në përshkrime të jetës personale, në detaje piktoreske, ndodhi dhe personazhe, në habitatin e tij, që falë kujtesës, talentit dhe magjisë së rrëfimitarit, bëhen dhe më interesantë, në gërshetimin e tyre të natyrshëm, në ndjekjen e logjikës së ngjarjeve, në ndjekje të logjikës së personazheve, mbërrihet në një libër të plotë. Autori/rrëfimtari shikon një pjesë të së kaluarës së vet nga disa vite distancë. Rikrijon, i ndihmuar nga kujtesa, një segment të jetës së tij. Për pasojë, rezultati është një roman autobiografik, jashtë skemave formale letrare, një libër në kufijtë e llojeve letrare, jashtë strukturave skematike dhe sterile, që hera-herës, fatkeqësisht, nuk shpëtojnë as shkrimtarët e mëdhenj.

Si në gjithçka që ndërmerr në fushën e artit, Velaj nuk përfill modelet, as joshet prej tyre, as iu nënshtrohet atyre, as i merr në konsideratë. Kjo duket e rrezikshme, por njëherazi sjell origjinalitet. Dhe origjinaliteti është pika e fortë e romanit të tij “Kreuztanne”. Strukturimi i librit nuk është një qëndrim sfidues për të krijuar një antimodel, as një trill antikonformist, por thjesht ndjekje e rrugës dhe ligjësive të lirisë së krijimit që e kanë shoqëruar Velaj në të gjithë krijimtarinë e tij artistike. Liria fiton mbi modelin. Ndaj proza në fjalë, si shumë prej fotove të tija, pikturave apo manifestimeve të tjera artistike, që mbajnë firmën e tij, janë të proshkëta, plot oksigjen, frymëmarrje dhe të befta. Duke ndjekur intuitën e tij, Velaj ndjek dhe i beson kujtesës, të vërtetës, sinqeritetit, më shumë sesa përvojave intertekstuale, që fatkeqësisht prodhojnë tekste që lindin nga tekste të tjera, tekste që ndjekin modele të gatshme dhe për pasojë janë dhe të mërzitshme. Në këtë kuptim, leximi i librit “Kreuztanne” prodhon kënaqësi estetike, zgjon interesin e lexuesit, është i beftë, i rrjedhshëm, i ndërtuar sipas një logjike të brendshme. Romani ka një strukturë të vetën autonome, me faqe plot ankth, dramatizëm, meditacion, por dhe me shumë humor. Është libri që dëshmon ngritjen e një të panjohuri, një sfiduesi të fatit të tij, që, në një mjedis të përshtatshëm, iu njohën meritat e tij si njeri e si artist. Askurrë heroi i romanit nuk njeh rënie, depresion, demoralizim, por i qartë dhe i kthjellët në qëllimin e tij, njeh ngritje. Por mbi të gjitha, duke pasur parasysh se libri është shkruar nga një autor që punën e tij ia ka besuar syrit, si piktor e fotograf, ai qoftë edhe padashur, përshkruan vizualisht më shumë se një shkrimtar qëi beson fjalës. Në faqet e prozësë Velajt ka skica kroki e silueta njerëzish që popullojnë librin, trajta e forma portretesh, ngjyra e nuanca kromatike në peizazhet dhe atmosferën të përshkruara me talentin e një piktori të fjalës,  një botë plot ngjyra e forma të dala nga paleta e pasur koloristike, nga një shpirt i mprehtë vrojtues, në një formë që lexuesi i tekstit thirret për të bashkëpunuar në përjetimin vizual të viseve dhe personazheve që ai përshkruan. Dekori i ngjarjeve është Austria, malet e saj, qytezat e saj, ndërsa personazhet, përpos austriakëve, janë nga të gjitha vendet e ballkanit. Gjithçka pasqyrohet me talent nga dora e sigurt e një artisti figurativ, aq sa ke ndjesinë se sheh dhe përjeton nga afër ngjarjet dhe natyrën. 

Romani bën pjesë në letërsinë që bazohet në dëshmi, sepse Velaj shkruan ndodhi të jetuara prej tij, duke qenë i pranishëm në tekst, ndërsa lëçitësi, ka, qysh në faqet e para, ndjesinë se ndodhet para një vepre që frymon shumë çiltërsi. Autori/rrëfimtari/heroi, që idenfikohen në një të vetëm, kërkon përmes tekstit të shkruar një çlirim të unit përmes katharsisit të rrëfimit, ndërsa lexuesi, i tejngopur me sajesa letrare, shijon një tekst, në të cilin ngjarjet zhvillohen “si në jetë”. Mungesa e besimit në fiction e lexuesit modern ka motive ontologjike. Ditaret, kujtimet, korrespondenca, relatojnë pa artifice fakte reale, ndonjëherë më tronditëse se letërsia fiksionale. Në këto kushte tundimi i autenticitetit fillon të zëvendësohet me një obsesion të vërtetë të besueshmërisë. Velaj ofron subiekte reale, të marra nga  realiteti, nga jeta e tij, të besueshme, të përshkruara me realizëm. Prozatori dallon për saktësinë e përshkrimit, ngjarjeve, personazheve që kanë ndikuar në jetën e tij. Bota e re popullohet me njerëz të tjerë, me mentalitet tjetër, rrethohet nga peizazhe të reja, me një qytetërim tjetër, por njeriu që hyn në këtë mjedis ka ëndrrën e vet, nuk i tutet asnjë vështirësie të fillimit. Kështu, përjetimet jetësore transformohen në një vepër me ekspresivitet të madh estetik. Ndonëse proza mund të konsiderohet si non-fiction, fakti i jetuar kap një shtjellim të gjerë artistik.

Fate Velaj  është një artist modern, një fotograf modern, një piktor modern dhe teksti i tij është ai që preferon territore që konsiderohen kufitare, një tjetër letërsi, një autobiografi, një segment i jetës së tij, ku ai transferon theksin nga fiksioni drejt rrëfimit real dhe të identifikueshëm, nga thjesht imagjinar në përvojë reale, nga literalitet në autenticitet. Kusht i brendshëm i kësaj lloj letërsie është fakti që ajo është hibride, një përzjerje e reales me fantazinë, duke ndihmuar njëra-tjetrën. Letërsia kufitare është ato lloje letrare ku teoricienët e letërsisë grupojnë: kujtimet, autobiografinë, rrëfimet, ditarin intim dhe letërsinë e udhëtimeve. Por ky klasifikim për prozën “Kreuztanne” nuk është operacional, sepse Velaj zgjeron letërsinë kufitare. Kështu proza në fjalë duhet të trajtohet siç do lloj proze tjetër.

Romani autobiografik zë sot, në peizazhin e letërsisë, një vend të posaçëm, duke zhvilluar përmasat, paradigmat formale. Autori, që rrëfen në vetën e parë, relaton ndodhi unike, interesimi i tij shkon në shtjellimin e personalitetit të tij. Duke iu referuar burimeve të frymëzimit shkrimtari, W. Faulkner shkruan: „Do të thoja se janë tre burime – imagjinata, vëzhgimi dhe përvoja. Ai vetë nuk e di se çfarë përdor më shumë njërën apo tjetrën në një moment të dhënë, sepse asnjëra nga burimet nuk jeton veçmas.  (…) Sigurisht, çdo shkrimtar shkruan biografinë e tij”. Velaj i përdor të treja burimet e frymëzimit në librin e tij, sipas një alkimie personale, por, sipas një rendi, ajo që do të zinte më shumë vend në laboratorin e tij, është kujtesa. Në të bazohet rindërtimi i fabulës, pa harruar mprehtësinë e vëzhgimit, imagjinatën dhe përvojën.

Veta e parë e rrëfimtarit është shenjë e vetëdijes qendrore, që organizon prozën. Por hera-herës, në faqet e prozës, autori i rrëfimit synon të fshihet, duke u zëvendësuar me një personazh-narrator. Ashtu siç ndodh shpesh në prozën autobiografike, kemi të bëjmë me dikotominë e autorit. Velaj ka gjetur një mënyrë vetanake të rrëfimit. Ai herë është brenda ngjarjes dhe herë jashte saj. Herë shikon dhe herën tjetër lë të shihet. Herë analizon dhe herë lë të analizohet. Autori i romanit “Kreuztanne” ka në vetvete edhe rolin e një kronisti, sepse ai në mënyrë të mprehtë përshkruan fenomene dhe zhvillime shoqërore, që u shfaqën në Shqipëri, por edhe nëpër Europë mbas viteve ’90.

Fate Velaj në përshkrimin e një segmenti të jetës së tij, komunikon një përvojë të cilën e konsideron të pazakonshme dhe të konsideruar prej tij të denjë për t’u ndarë me të tjerët. Ai rrëfen për të mos fshehur asgjë, kjo marrëdhënie sinqeriteti midis autorit dhe lexuesit shton mirëbesimin për atë që lexon këtë roman.

Sigurisht, në rindërtimin e së shkuarës, harrimi, deformimi dhe amnezia vullnetare, theksimi i momenteve të caktuara, shpjegohen me arsye estetike. Interpretimi i ngjarjeve, pejsazheve, vendosja e thekseve të rrëfimet në vende të caktuara, humori, grotesku e bëjnë prozën edhe më tërheqëse.

Libri fillon në bazë të kujtimeve, pasi autori viziton vendin ku kaloi vitet e para si emigrant në Austri, vend që në momentin kur e viziton këtë vend, ishte populluar me emigrantë sirianë. Do të duhej vetëm ky impuls për të rindërtuar “puzzle”-in, me çaste, momente, ndodhi të asaj kohe. Velaj përshkruan ngjarje të vërteta për veten, për bashkëshorten e tij, për nënën dhe babain e tij, për Shqipërinë pas rënies së komunizmit, për humbjen e fëmijës së parë, për koincidenca apo predestinacione. Të gjitha këto të parashtruara me talentin e një rrëfimtari inteligjent, që di të ndalet kur duhet, që ia mbërrin të mbajë kureshtjen gjallë të lëçitësit deri në fund të romanit.

Tema e romanit është kaq familjare për shqiptarët e pas viteve ’90, por dhe për mijëra qytetarë nga vise të ndryshme të botës, të kanosura nga lufta, rreziku, pasiguria. Europa, dhe jo vetëm, janë të kanosura sot nga kriza e refugjatëve. Jo vetëm pranimi i tyre në vendet e reja, por integrimi i tyre, konflikti i qytetërimeve dhe i sistemit të vlerave, rezistenca, asimilimi, natyralizimi, janë sot e gjithë ditën më shumë se aktuale. Besoj se nuk ka asnjë shqiptar që të mos jetë prekur prej mërgimit, emigrimit të tij, emigrimit i familjarëve të tij, të miqve të tij etj. Për këtë arsye, romani është pjesë e gjithkujt prej nesh, akëcili mund të idenfikohet me heroin e romanit të Velaj-t. Heroi i romanit largohet nga Shqipëria, duke marrë me vete mallin për vendin dhe duke i dhënë jetë një ëndrre që ai mendonte se do të merrte formë në Austri. Ajo fjalë që sot përdoret aq dendur në jetën e shqiptarëve, por dhe tek shumë popujve të tjerë, si ekzil, mërgim, emigrim, arrati, syrgjyn, largim, zhdukje, zhvendosje nga vendi, merr forma nga më të ndryshmet. Në qoftë se do të kërkojmë motivet e mërgimit e ndeshim si short, si aventurë, si opsion, si shpëtim, si shërim, si dënim, si mërzi, si ndodhi, si bravurë, si fshehje nga bota, si mërgim nga frika, mërgim si guxim, mërgim si arrati, si humbje, si gjetje, si rigjetje, si kuptim, si kotësi, si boshësi shpirtërore, si zili, si trill, si komoditet, si sfidë etj.

Në kërkim të një shorti tjetër, në kërkim të një jete më të mirë, heroi/rrëfimtari është në kërkim të një tjetër horizonti, në kërkim të një realiteti tjetër.

“Kreuztanne/Udhëkryq” është romani me simbolikë dyfishe. Së pari është një përkim rastësor, kështu do të quhet hoteli, ku do të vendoseshin emigrantët e vendeve të Europës Lindore, sepse vendndodhja e tij, ishte në udhëkryqin e tri rrugëve që të çonin në tre fshatra, nga pesë kilometra larg që aty. Nga ana tjetër nuk mund të ketë diçka më domethënëse që të quash udhëkryq romanin që flet për shortin e një emigranti. Mundësia e alternativave, e zgjedhjes së kahut, të udhës, të drejtimet, të dilemave, të ngërçit, është kuptimi metaforik i romanit “Kreuztanne”.

Romani është një dëshmi e një historie suksesi, integrimi, natyralizimi, i një njeriu që i integrohet vlerave më të mira të Europës.