opinions, analysis and interviews

Roland Bimo - Kreutanne

Roland Bimo – Ambasador

 

Të nderuar pjesmarrës,

Është kënaqësi e veçantë për mua si ambasador i Shqipërisë në Austri të marr pjesë dhe të kem mundësinë t’i drejtohem kësaj audience të nderuar.

Romani Kreuztanne i Fate Velaj është një krijim krejt i veçantë. „Të lexosh Faten duhet të jesh i qetë e ta kesh kohën vetëm për Faten“ thotë Edi Rama ndër të tjera në promovimin e librit organizuar në Tiranë. Unë provova ndjesinë se është pak më lehtë se sa kaq. Ka shumë pjesë që kërkojnë përqendrim, por në përgjithësi libri shtjellohet në mënyrë tërheqëse dhe lexohet edhe me ndërprerje.

Si përfaqësues i Shqipërisë do të duhej të kufizohesha në ndikimin që ky libër mund dhe do të ketë në diasporën shqiptare në Austri apo edhe në marrëdhëniet midis të dy vendeve.

A do të kishim një Fate krijues në pikturë, letërsi dhe në art në përgjithësi, me këtë thellësi uvropiane, në rast se nuk do të ishte kuturisja e tij për të ardhur në Austri këtu e 25 vite më parë ?

Them se edhe po, por më shumë jo.

A mund t’i themi një falënderim Austrisë për mikpritjen e saj ndaj bijve të shqipes?

Po të lexosh “Kreuztanne” them se po.

Përpos historisë që na ka lidhur aq shumë me Austrinë dhe austriakët, një vlerësim i veçantë për Faten dhe librin e tij shkon pikërisht për mënyrën indirekte se si ai me shumë mjeshtëri kultivon atë ndjesi mirënjohje dhe dashamirësie për Austrinë dhe austriakët.

A mund t’i themi multikulturalizmit austriak një fjalë përshëndetje?

Them se po, me plot gojën.

Austria mikpritëse, dashamire solidare është në çdo faqe të librit.

Filizat e talentit çajnë tokën e fortë të rrethanave dhe mbijnë.

A ndodh kudo?

Edhe po edhe jo. 

Në këtë kontekst një falënderim i veçantë për pasurinë e popullit austriak, që siç del edhe nga romani, mikpritjen, atë virtyt që ne shqiptarët e duam ta mbajmë vetëm për vete, duket se e mishërojnë më së miri. Të paktën këtë kupton nga Kreuztanne. Të paktën po të lexosh Faten, Fate Velaj nga Kanina.

Në cilësinë e përfaqësuesit politik të vendit mund të isha mjaftuar me kaq. Por, i ftuar në këtë ngjarje, nuk i shpëton tundimit për të rënë në pozitat e kritikut letrar që po e marr përsipër, si moshë dhe si lexues. Jo si ekspert.

 

Si fillim më duhet t’i referohem penave shqiptare më në zë, kritikë letrar si Aleksander Çipa. Ju kërkoj ndjesë për zgjatjen por më duket me rëndësi se çfarë thotë ai për Kreuztanne dhe Faten.

„Në të gjithë nënkapitujt e përsëritjes vazhduese të historisë autobiografike të Velajt, si lexues ndeshesh me personazhe dhe emra që gjallojnë në jetën rrethuese të emigrantit të “Kreuztane”. Janë ndoshta një meritë që në këndvështrimin letrar do të nevojitesh të shihesh posaçërisht si një prurje në këtë prozë. Emrat e bashkëgjendësve të personazhit autobiografik të Velajt, i cili meritshëm ia ka lënë emrin vetvehtes thjesht për tek autorësia e librit, përbëjnë modelet njerëzore të asaj pjese të Europës së dikurshme dhe të sotme që tjetër regjim dhe fetari kanë për solidaritetin dhe mbështetjen e të huajit. Në ato zona aq periferike, pra në fshatra si Gasthaus, Gaming, Scheibbs apo Kienberg etj., ajo që referon filozofi Levinasit, “gjuha, domethënë drejtimi ndaj tjetrit, është në thelbin e vet miqësi dhe mikpritje”. Në këtë qasje, libri “Kreuztane” është plotësisht një sprovë befasuese e dëshmisë origjinale të fenomenit njerëzor të mikpritjes.

Personazhet e peneluar si Soner, Sevdalliu apo zoti Konul, personazhe periferikë të së njëjtës përkatësie etnike, janë rast i shkëlqyer i krijimit të një tabloje të plotë perceptimi për modelet njerëzore të integrimeve të ndryshme në të njëjtin vend emigrimi”.

 

Libri ka një humor të fshehtë, shpesh sarkazëm aty ku autorit i duhet të fshikullojë fenomene penguese të zhvillimit. Pre e sarkazmës, viktima e protagonistë, në shumicën e rasteve në kuptimin pozitiv të fjalës, nuk kursehen as shqiptarët, as austriaket, turqit etj, apo më saktë fenomenet, paragjykimet që ata mbartin. 

I gjithë libri karakterizohet nga pozitivizmi. Edhe në tregimin me shumë elokuencë të ngjarjeve të dhimbshme, ndjen se dhimbja është kalimtare. 

Tragjizmi.

Ndeshen disa episode tragjike në libër. Për aq sa mbaj mend nga mësimet e letërsisë, duken si pjesë nga tragjedia klasike greke. Situata plotësisht të shmangshme por tragjikisht të neglizhuara nga elementi njerëzor. Duket sikur Fatja tërheq vëmëndjen e thotë: njerëz, hapni sytë, tragjedia është pjesë e jetës, por në shumicën e rasteve e shmangshme, hapni sytë nxirni mësime.

Narrativi, përshkrimi.

Është një stil shumë i veçantë. Një fjali a frazë shpesh e gjatë ngërthen shumë probleme, karaktere, supozime, njëkohësisht.

Por lexohet me shumë kënaqësi dhe të bën të mendosh për librin tjetër të Fates.

 

Dëshiroj që edhe në emrin tuaj t’i uroj mikut tim Fate Velaj gjithë të mirat dhe suksese të mëtejshme