opinions, analysis and interviews

Josef Weidenholzer - 28.11.2016

Sot, 28.11.2016, në Kaninë, në një ceremoni të organizuar nga shoqata patriotike "KANINA", u festua 104 vjetori i shpalljes së pavarësisë. Në një atmosferë festive, ishte ministri Damian Gjiknuri që përshëndeti pjesëmarrësit dhe foli për këtë moment kaq domethënës të historisë së Shqipërisë duke e trajtuar atë dhe nën kontekstin e së ardhmes europiane të Shqipërisë. 

Më vonë u lexua përshëndetja që eurodeputeti Josef Weidenholzer – zv.president i Fraksionit S&D në parlamentin europian dërgoi posaçërisht nga Brukseli për këtë ngjarje.

 

I nderuari Zoti Ministër Gjiknuri 

I nderuari kryetari i Komunës, Zoti Alilaj – 

I dashur Fate Velaj  

Të nderuar pjesëmarrës në këtë akt festiv.

 

Kur miku im, Fate Velaj, (kryetar i shoqatës patriotike Kanina) më dërgoi ftesën për të marrë pjesë sot me ju në këtë festim të 104-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, mua m’u kujtua pjesëmarrja ime katër vite më parë, në 100-vjetorin e kësaj ngjarjeje dhe, kujtimet më morën me vete e më çuan tek ajo festë e pashoqe që u organizua atë ditë, në fshatin që siç thotë Fate Velaj, është me historinë më të lavdishme në hapësirën shqipfolëse nga ku kanë dalë disa nga figurat më të shquara të kombit shqiptar.

 

Mua më kujtohet shumë mirë atmosfera që mbizotëroi atë ditë dhe pjesëmarrja e jashtëzakonshme me njerëzit e moshave të ndryshme që kishin pushtuar rrugët dhe qendrën e fshatit.

Atë ditë, me sa më kujtohet, në fjalën time përshëndetëse unë thashë se Kombi Shqiptar dhe veçanërisht Kanina, duhet të ndihen krenarë për djalin e saj, Ismail Qemalin, këtë europian të madh që, në momentet më delikate të kohës, diti të gjejë miqtë e vërtetë dhe t’u drejtohet atyre për ndihmë. Dhe, nuk ishte rastësi që atë ai e kërkoi në Vjenë ku, ministri i Jashtëm, Bertoldi, i tha: 

- Nisu përpara se ushtria e perandorit Franz Jozef do të të vijë pas dhe, nëse nuk gjen vend për ta ngritur flamurin, ushtat e pushkëve tona, do të jenë shtizat e flamurit tuaj.

 

Miq të nderuar, 

ashtu siç ju premtova, flamuri i Kaninës që ju atë ditë më dhuruat, është vendosur në zyrën time në Parlamentin Europian, krah atij të Austrisë, Europës së Bashkuar dhe Linz-it, qytetit tim.

Unë e imagjinoj sesi do të jetë zbukuruar Kanina sot, por nga thellësia e zemrës, dëshiroj që vitin tjetër, në 105-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, të vij pranë jush dhe ta riprovoj atë ndjenjë aq të bukur dhe ato emocione aq të thella që ju, katër vite më parë, më dhuruat.

Ju uroj ta mbani thellë në zemrat tuaja këtë festë kaq domethënëse, e cila ishte fillesa e Shqipërisë europiane dhe uroj me gjithë zemër që Shqipëria, t’i bashkohet sa më shpejt familjes së saj europiane.

 

Josef Weidenholzer – Eurodeputet dhe Zv.President i Fraksionit S&D 

Bruksel, 27 Nëntor 2016