opinions, analysis and interviews

GRAMOZ RUÇI - 100 HAPA BRENDA EUROPËS

 

Gramoz Ruçi – Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë

 

“Fate Velaj, ky shqiptar europian”

 

Mbi Librin e Fate Velaj’t

“100 Hapa Brenda Europës”

 

Muzeu Historik Kombëtar

12 qershor 2018

 

Në njëqind hapat e Fate Velaj’t, secili prej nesh gjen një ose disa hapa të vetat drejt Europës, destinacionit të natyrshëm, të pandryshueshëm të Shqipërisë.

Dy dekada, për jetën e një ndividi, të një artisti e një legjislatori, nuk janë pak. Janë diçka më pak se kufijtë e një brezi njerëzor.

Ndërkohë, për historinë e një vendi, shtatëmbëdhjetë vjet janë vetëm një çast i historisë.

Por vitet 2000-2017, në kontekstin kohor të historisë së Shqipërisë, formojnë dy dekada ngjarjesh intensive, kritike, themelore për shqiptarët.

Mendoj se këto vite përbëjnë fillimin më intensiv e më të bukur të njëzetë e një shekujve, por edhe nisjen më premtuese të tre mijëvjeçarëve të erës sonë.

E them këtë duke pasur parasysh dy momente:

I pari, artikulimin e qartë të rikthimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në familjen së cilës i kanë përkitur  historikisht, kulturalisht dhe për nga vlerat e tyre.

I dyti, çlirimi i Kosovës dhe fillimi i rikthimit të saj, si popull dhe shtet i lirë e sovran, drejt familjes europiane.

Edhe pse me një identitet të qartë europian, fati na vonoi në rrugën tonë drejt Europës.

Por Fate Velaj, me 100 hapat e vet, na tregon sesi kjo rrugë mund të bëhet edhe më e shkurtër, edhe më e lehtë, edhe më rezultative.

Lexuesi shqiptar mund të marrë mjaft mësime nga ky libër. Unë po përmend disa prej tyre. 

100 hapat e Fate Velaj’t na tregojnë se numri 100 mund të rritet, por edhe mund të zvogëlohet. Pra, Europës mund t’i afrohemi më shpejt, por edhe mund t’i largohemi.

Afrimi ose largimi varen nga ne, si komb, si popull, si klasë politike, si qeverisje, si opozitë, por edhe si qytetarë.

Proceset integruese janë karakterizuar me një, dy dhe së fundi edhe me tre shpejtësi. Por shpejtësia mund të ishte e njëjtë për të gjithë europianët, të cilët fati politik i gjeti të rraskapitur jashtë portave të Europës në fillim të viteve 1990.

Mund të ishte një shpejtësi unike, nëse popujt, kombet, qeveritë, opozitat, klasat politike dhe elitat do të kishin arritur të njëjtën performancë në proceset integruese.

Me librin e tij Fate Velaj na rikujton se rrugëtimi drejt Europës nuk është rrugëtim drejt një destinacioni, por një ndryshim brenda vetes.

Europa nuk është vetëm në Bruksel, Vienë Berlin, Romë, Paris, Amsterdam. Europa është edhe në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Podgoricë, Sarajevë apo Beograd. Europa është te shqiptarët, serbët, maqedonasit, malazestë e boshnjakët.

Kur të zbulojmë Europën brenda vetes, atëherë kemi arritur Europën e Brukselit dhe të kryeqendrave të tjera europiane.

100 hapat e Fate’s janë një thirrje se Europa ndërtohet politikisht, ekonomikisht, diplomatikisht, gjeopolitikisht apo si Europë e Euros. Por Europën mund dhe duhet ta ndërtojmë më së pari dhe kryesisht si Europën e qytetarëve.

Fate Velaj është një shqiptar europian. Jo thjesht nga pasaporta, por nga identiteti, struktura e ambicjeve dhe vlerat e tij.

Fate Velaj nuk është i vetmi shqiptar që ndodhet në Europë para Shqipërisë zyrtare.  Janë mbi një milion emigrantë shqiptarë, që kanë trokitur, hyrë, punuar, studjuar, jetuar dhe merituar “pasaportën” e vlerave, standarteve dhe identitetit europian.

Që punojnë dhe kontribojnë në tregjet e punës, zhvillimin ekonomik dhe sistemet e mirëqenies të vendeve europiane, jo si përfitues, por si sponsor të tyre.

Fate na bën të besojmë se tashmë Europa tregohet skeptike jo për shkak të varfërisë sonë, por për shkak të pavendosmërisë së saj.

Ne kemi dëshmuar se kemi qenë europianë, pavarësisht varfërisë sonë. Kemi qenë europianë, me bukë, kripë e zemër.

Ne kemi provuar se dimë të mbijetojmë, më mirë se çdo popull europian, midis qytetërimeve që përplasen.

Pavarësisht besimeve tona fetare të ndryshme, kufijtë fetarë nuk kanë funksionuar si kufij për shqiptarët. Por përkundrazi, si ura diversiteti, bashkimi e mirëkuptimi.

Për nga kjo përmasë mirëkuptimi kemi shërbyer e shërbejmë edhe si një model për popujt e tjerë të Europës. Madje edhe për institucionet e saj.  

100 hapat e Fate Velaj’t na bindin se secili prej nesh mund t’i afrohet Europës në mënyrë autonome, pavarësisht fatitt të shoqërisë dhe shtetit të vet. Dhe Europa na pranon si individë dhe qytetarë të saj.  

Si të tillë na pranojnë edhe institucionet.  Madje edhe krerët e tyre. Një pjesë të tyre i gjejmë në librin e Fate’s.

Presidentë, kryeministra, kancelarë, nobelistë, deputetë dhe eurodeputetë, komisionerë e kryekomisionerë, bankierë, shtetarë e disidentë tregojnë se kanë bërë disa hapa rrugëtim me Faten tonë.

Me shqiptarin Fate Velaj. Me europianin Fate Velaj. Ashtu si me shumë shqiptarë europianë të tjerë. Me miliona, që i kanë në vendet e tyre, si emigrantë, studentë, artistë, poetë, sipërmarrës, bankierë, akademikë.

Libri i Fate’s, edhe pse një histori individuale, përmban një mesazh domethënës për kancelaritë europiane.

U tregon atyre cila është Shqipëria dhe cilët janë shqiptarët europianë.

Përgëzime, Fate’s!