opinions, analysis and interviews

Giusi Giaracuni

Rastësorja e qëllimshme.

 

Fotografia, që prej shpikjes së saj, mundësoi një shprehje të re ekspresive duke e bërë akoma dhe më konkrete sintezën midis dimensionit estetik dhe atij artistik. 

Në klimën piktoreske franceze dhe atë angleze të gjysmës së shekullit XIX, fotografia nuk ishte vetëm rezultati i një kërkimi tekniko-shkencor, por një përpunim i kulturës estetike. Pra, ishte jo vetëm një zbulim por një revolucion i mirëfilltë, konfirmim i një shpirti të ri observues, ndoshta edhe më shumë, hulumtues dhe për rrjedhojë, një paraqitje ndryshe e botës. Nje triumf tërësisht estetik mbasi pamjet, formohen nëpërmjet syve dhe në këtë mënyrë, të jepet mundësia të shohësh përtej të dukshmes dhe të padukshmes së realitetit.

Të shkosh përtej realitetit për të rikuperuar një dimension 'moral' të vështrimit, është qasja që gjejmë në portretet fotografike të Fate Velaj të cilat, nuk janë vetmë ‘shkrepje’ aparati por një sintezë unike ndjenje, mendimi dhe aksioni. 

Ajo që të impresionon më shumë në realizimet e tij fotografike, është shprehja e dukshme e shkëputjes së një klick’u ekzaktësisht në çastin vendimtar, e që do të rezultojë identifikues për çdo subjekt të fotografuar.

Të zhytur në një palëvizshmëri të nevojshme, të përqendruar në vetvete, personazhet e selektuara nga Fate Velaj, kontribuojnë në kërkimin e një ndjesie e të një thellësie natyrale. Shpesh, ai përqendrohet tek fytyra, tek vështrimi i drejtpërdrejtë dhe krenar i tyre duke kompozuar me ambietin përreth, përshkrime e tregime të mirëfillta. 

Fate Velaj shkrihet në një simbiozë perfekte me protagonistët e përzgjedhur duke e ndaluar kohën pikërisht në momentin më shumë të tensionuar, duke treguar në pamje rastësinë normale e të përhershme të tyre, fragmente realiteti, të afta këto për të transmetuar tek shikuesi pjesë të karakterit të tyre, të botës së tyre të brendshme, fytyrës - përtej identitetit të tyre. 

Fotografitë e Fate Velaj nuk janë thjeshtë pamje por piktura fotografike mbasi brenda tyre gjenden elemente të ngjyrosura edhe kur ato vetë janë bardh e zi.  Ato rrëfejnë aspektin e padukshëm të realitetit të personave, peisazheve dhe objekteve përreth tyre. Ato gjenden edhe të pashfaqura në detaje duke na intriguer neve, shikuesve, për të zbuluar një të vërtetë, një skenë të veçantë, qoftë ajo e karakterizuar nga një mori e tepruar ngjyrash, nga tonalitete të kuqe, portokalli e të verdha, qoftë duke arritur në një monokromatizëm total, ku del në pah një aspekt më misterioz e që shkon përtej asaj që ndodhet brenda dhe asaj që ndodhet jashtë fushës së shikimit. 

Skenat fotografike janë të pushtuara nga një atmosferë e kristaltë, tipike e veprimtarisë së Fate Velaj dhe disa ‘prerje’ ose lënie mënjanë e objekteve të panevojshme për syrin analitik të tij, realizohen vetëm për t'i dhënë një ekuilibër subjektit ku ndriçimi mbi të, mund të bëhet gjithmonë e më i gjallë ose një hije trishtimi gjithmonë e më e errët. 

Veprat artistike dhe letrare të Fate Velaj janë ftesa për të parë e për të lexuar nëpërmjet tyre pjesë të një historie që rrëfen një raport special të një artisti që në të njëjtën kohë është piktor, fotograf, shkrimtar edhe politikan. Fate Velaj nuk është rastësor në art por, i thirrur për ta kryer atë. Atdheu i tij, Shqipëria, i gjendur midis Lindjes dhe Perëndimit, midis ndjenjës për të kaluarën, vetëdijes për të tashmen dhe dëshirën për të ardhmen e detryrojnë atë  të realizoj një art pa artifica dhe polemika. Gjithmonë, me një realitet që duhet vështruar e lexuar për t'u kuptuar. 

 

Giusi Giaracuni

Studiuese e artit dhe kuratore e ekspozitave “FACE – beyond the identity” të Fate Velaj nëpër Itali