opinions, analysis and interviews

Valbona Kalo - NILKON

NILKON - një prurje origjinale që përcjell një kulturë të fuqishme dhe emancipim

Dr. Valbona Kalo 
Universiteti i Elbasanit, 25.4.2019

Mund të thuhet se romani sot luhatet mes kufinjve të paqartë të ndjeshmërisë verbale dhe emocionale, dhe si i tillë rezulton i frutshëm në plotësimin e nevojave të lexuesit për politikë, histori, gazetari, sociologji etj., përmes një cilësie të konsiderueshme artistike.
Nga një këndvështrim i tillë, duhet analizuar edhe romani NILKON, i autorit Fate Velaj, i cili shkonë përtej kufijve të "zhanrit", duke krijuar struktura hibride, gjysmë romani dhe gjysmë ese filozofike, politike, kulturologjike. Kjo i jep tekstit të tij veçantinë, duke e shmangur nga “letërsia tradicionale e zhanrit” apo veprave në seri, (pra nga klasifikimi i tij thjesht si një roman policesk, historik etj..) 
Në rrafshin zhanror teksti i NILKON paraqetet si një ndërthurje mes autobiografisë , pasi në të tregohen faktet -ato që kanë ndodhur", me romanin, pasi faktet e rrëfyera në të "kanë kuptim". Më gjërë, mund të themi se ai paraqet një ndërthurje mes fiksionit dhe jofiksionit, pra midis artit dhe jetës.
Letërsia e përbotshme, në fakt, ka disa dekada që po zhvillohet drejt përzierjes së ngjarjeve personale dhe reflektimit mbi rrëfimin e tyre dhe, në të njejtën kohë, priret drejt vetërrëfimit (shembujt të tillë paraqesin veprat e Milan Kunderës, John Maxwell Coetzee, Philip Roth, etj). 
Në romanin NILKON, autori Fate Velaj është protagonist i ngjarjeve të rrëfyera prej tij, në vetën e parë dhe përshkallëzon vetëdijësinë e tij përmes kujtimeve të ngjarjeve të rëndësishme në planin jetësor, social, psikologjik, artistik, kulturor e historik. Në fakt mund të flasim për një një ndërlidhje mes autobiografisë dhe autoideografisë, pasi autori bart në rrëfim ato situata dhe ide, që hedhin dritë mbi raportin e tij me rrethin social, kulturor, artistik dhe më gjërë. Autori identifikohet me narratorin dhe referencë bën jetën e tij. Kemi një barazim të jetës me shkrimin, përsa, autori-narrator i sheh, përjeton dhe përshkruan faktet jetësore me syrin e artistit.
Dhe nëse na duhet të bëjmë një përcaktim më të ngushtë dhe më të saktë zhanror do të ndaleshim tek lloji i romanit autobiografik, i cili ngërthen në vetvete, që në emërtim kontradiktën mes faktit dhe fiksionit. 
Nisur nga një marrëdhënie e tillë, mund të themi që teksti i NILKON është ndërtuar si një rikujtesë e fakteve autobiografike të autorit, duke i aktivizuar apo inkuadruar ato përmes një strukture artistike, që bazohet në një estetikë të rrjedhës së ngjarjeve, fakteve. Fiksioni bartet në jetëshkrim, ku vizioni i vërtetësisë arrihet përmes shënjuesve të shumtë gjeografikë, kohorë, socialë etj..
Ndërthurja e mësipërme (mes vërtetësisë, të mundshmes, gjasës dhe trillimit) realizohet në rrafshin ligjërimor përmes disa teknikave si: shkrirja e tekstit letrar me llojet e teksteve të ndërmjetme apo joletrare, si ai argumentues, kulturologjik, eseistik, që karakterizojnë tekstin e NILKON. 
Loja me konvencionet e realizmit letrar dhe me konvencionet e gazetarisë shenjon një nga karakteristikat e tekstit postmodern, ashtu sikundër mund të cilësohen në këtë tekst edhe kufinjtë e luhatshëm mes jetës dhe artit si dhe ndërthurjet ndërzhanrore të formave të artit, pikturës, skulpturës dhe muzikës, subjektiviteti i dukshëm, leximi i kohës në hapësirë dhe anasjelltas, etj..
-Diversiteti kulturor në shoqërinë e sotme dhe roli artit në krijimin e dialogut dhe bashkëjetesës mes popujve.
Nga një lexim linear i romanit NILKON, lexuesi mund të ndjekë fragmentet kryesore jetësore (që autori i përzgjedh si më të rëndësishmet) në një periudhë kohore pothuajse njëvjeçare - Nga janari i thëllimtë vjenez në vjeshtën e ndryshkur vjeneze-periudhë përgjatë së cilës rrëfimtari-personazh ndërmerr edhe udhëtimet për realizimin e ideve dhe projekteve të tij kulturore, hapjen e ekspozitave të pikturës, në Vjenë, Shkup dhe Kajro (si dhe udhëtimin në Vlorë).
Duke qenë se arti në çdo epokë pasqyron mentalitetin e shoqërisë njerëzore, epoka e sotme globaliste kushtëzon shkrirjen në një të vetme të formave letrare dhe atyre joletrare, në kufinj të tillë, sa lexuesi e ka të vështirë të kuptojë, ku mbaron realiteti dhe ku fillon fiksioni.
Paktin e besueshmërisë së lexuesit mbi vërtetësinë e gjithçkaje të rrëfyer në romanin NILKON, autori-personazh me një status të trefishtë, (piktor, fotograf e shkrimtar) e fiton lehtë, duke i’u referuar ngjarjeve të njohura aktuale, duke përshkruar me saktësi personazhet – njerëz të kohës sonë, të cilët ai i gdhend të gjallë në mjediset e tyre autentike. Mjaftojnë të kujtojmë Ahmedin-shërbëtorin arab të Insitutit Egjiptian të Kulturës:
…Përpara m’u shfaq një burrë aty te të 50-tat, shumë më zeshkan se Dr Omran, veshur me rroba tradicionale, një gallabiya ngjyrë hiri, e ku sytë e mij do të ndaleshin te një njollë akoma dhe më e errët në mes të ballit…
Nuk ja ndava sytë fytyrës së tij, veçanërisht rrudhave të thella si dunat e rërës së shkretëtirave të palagura nga Nili….
Ahmedi hyri me një tabaka të madhe argjendi e me një përulje plot reverancë shumë elegante, për pamjen e tij, si ato në filmat me 1001 net.”

Aliazhi mes të vërtetës dhe fiksionit, krijon strukturën funksionale të romanit, e cila vihet në shërbim të ideve, mesazheve, refleksioneve të thella, ndër të cilat spikat ideja e diversitetit kulturor si dhe ajo e ndërveprimit sociokulturor që ndodh gjatë kontaktit të grupeve të ndryshme që ndërveprojnë brenda strukturës së sotme shoqërore (me gjithë fenomenet që e karakterizojnë atë si: lëvizja e lirë, emigracioni, globalizimi apo dhe fenomenet negative si luftrat etnike, terrorizmi..etj..
Ideja se kultura dhe arti janë boshti pa të cilët nuk mund të realizohet asnjë ndërveprim ose aktivitet shoqëror e përshkon gjithë romanin. Të paraqitura në kuadrin e diversitetit, kultura austriake, egjiptiane, shqiptare, bizantine (apo turko-sllave) mbartin në vetvete modele, të cilat paqyrohen në vlerat, normat, traditat e kulturës brenda secilës strukturë shoqërore. 
Në roman ato shfaqen si modele kulturore, që kristalizojnë eksperiencën historike të popujve, kombeve apo grupeve etnike. Në një model të tillë paraqitet edhe vetë forumi “Weltoffen Internacional”, që përfaqësohet nga rrëfimtari-personazh. Në autorrëfimin e tij përfshihen një sërë aktivitetesh që nisin me ekspozitën “Kujtime nga e ardhmja”, në Universitetin e Arteve të Aplikuara, në Vjenë e që ndiqet nga një sërë aktivitetesh të tjera, që do të kulmojnë me realizimin e projektit kulturor sfidues me temë “Midis Danubit dhe Nilit “të realizuar në Kajro (Egjipt), e cila do të shpalosë edhe filozofinë e “Arti - përmirëson kohën”.
Autori i përball modelet me njëra –tjetrën, duke vënë në dukje dallimet e mëdha, kontrastetet e fuqishme mes kulturës perëndimore, lindore si dhe asaj ballkanike.
“Josefine Hawelka më solli gotën e madhe të birrës. E ndoqa me sy atë plakë të dashur, që, sado në moshë të thyer e me trup të kërrusur, u shërbente akoma klientëve të saj dhe mendja më shkoi te kafenetë e shumta që ishin hapur cdo 10 metra nëpër Shqipëri, ku kamarierët ishin o çunakër, o çupëlina të veshura allasoj, pasi të mëparshmit ishin bërë kambista valute. Fillova të vrisja mendjen se cfarë ndryshimi kishin kafenetë vjeneze me ato të Tiranës, Vlorës dhe qyteteve të tjera dhe erdha në përfundimin se ato vjeneze kishin histori brenda. Nëpër to, përveç njerëzve të thjeshtë, kishin pirë kafe e biseduar shkrimtarë, piktorë kompozitorë e filozofë të mëdhenj,ndërsa ato tonat, sado që ishin munduar t’i mobilonin shtrenjtë,ishin pa kujtesë, pa jetë, pa shpirt e ndriçim, pa mendje e mendim brenda…”( fq 193)
Në përballjen mes qytetërimit mijëravjeçar të lindjes me atë të kryeqendrës maqedonase Shkupit (vendi i shumë qytetërimeve qendër e rëndësishme e shumë etnive dhe kombeve, feve dhe i konfliketeve, luftrave, debateve), rrëfimtari ve në dukje:
“Zgjimin do të ma bënte zëri tejet melodioz, që vinte nga xhamia pranë hotelit. Nuk më kishte rastisur më parë të dëgjoja një myezin të tillë. Ai i xhamisë në çarshinë e Shkupit kishte një zë si ta kishte kapur njeri prej fyti, mbasi hera-herësi dilte i çjerrë, si gërvishtjet e shiritit të magnetofonit.Vetëm dy ditë para se të larghesha andej e kuptova që zëri tij vinte nga artopolanti, që kishte montuar në majë të minares dhe këtë, rastësisht, kur me ikjen e energjië elektrike pushoi së kënduari dhe filloi përsëri kur dritat erdhën..
Ndërsa ky i xhamisë pranë piramidave i kishte futur pipizanet në gojë. Ky e kishte montuar orkestrën simfonike nën gjuhë, e kishte ngrënë pentagramin me dhëmbë. Hapa grilat dhe derën e ballkonit. Përballë meje u shfaqën ballëlarta piramidat, krenaria e qytetit, e gjithë Egjipti. Myezini, në majë të minares kishte kapur veshët me duart që i mbante si hinkë për të futur në vesh ato që i thoshte profeti.Këndonte e këndonte, jepte e merrte lajme nga Meka, duke e rrotulluar gojën nëpër kupolën e minares, që t’u shpërndante mesazhet e ditës së re banorët e lagjes e akoma më tutje, fshatarëve, arave buzë Nilit…”
Autori e shpreh hapur simpatinë jo vetëm për qytetërimin austriak (Vjena kryeqendër e artit, kulturës, pikturës, muzikës, etc) por edhe për qytetërimin arab…Si shumë të tjerë atë e magjeps misticizmi lindor…perënditë okulte si Nefertiti, kultura, piramidat e faraonëve, besimi fetar i bazuar te njohuritë e thella dhe jo tek detyrimi apo injektimi i doktrinës, ashtu sikundër edhe virtytet e mikpritjes e ndershmërisë së njerëzve që takon, Dr Omran, Dr Magdy, Mohamedi etj…(kujtojmë ngjarjen e humbjes së aparatit fotografik Nikon..)
Sigurisht, që në rrafshin përmbajtësor këto ide si dhe ideja filozofike themelore që e prin rrëfimtarin-protagonist në veprimet e tij (ato që quhen të ndodhurat) bëhen më se të qarta për lexuesin.
Por, ajo që duhet theksuar dhe që ja shton vlerat tekstit është domosdoshmëria e një leximi tjetër, tashmë në rrafshin vërtikal, përmes të cilit lexuesi të mund të rindërtojë kuptimin e tij duke iu referuar një rrjeti simbolesh të lidhura e të ngjeshura në kuptim, ku sigurisht, kryesori për t’u dekodifikuar mbetet titulli-çelës i romanit NILKON. 
Në studimin e tij “Simbolet kulturore dhe pushteti i kulturës”, (Cultural symbols and power of culture), Omar Lizardo argumenton se manifestimi i jashtëm (ndijor) i një simboli, sikundër shënjojnë në roman lumenjtë, shtetet, qytetërimet, fotografia, pikturat, etj.. është poli i tij objektiv, ndërsa aspekti kuptimplotë i tij është poli semantik. Sipas Lizardos kjo është në analogji të plotë me konceptimin që i bën Ferdinand de Saussure apo Claude Lévi-Strauss simboleve gjuhësore si dhe me zgjerimin e këtij modeli në antropologjinë kulturore dhe simbolike.
Nga ky lexim vertikal, duke ndjekur rrjetin e simboleve të tilla, lexuesi ideal por edhe ai i kujdesshëm rrok semantikën domethënëse të udhëtimeve të protogonistit nëpër vende të ndryshme, ku Vjena( Austria) përfaqëson atdheun fizik, natyror të tij, si vendi që i plotëson kërkesat materiale, kulturore, dhe më gjërë; Shqipëria, atdheun shpirtëror, atë të origjinës, ku prehen eshtrat e atit e paraardhësve, (me plot problematika sigurisht), e për më shumë, një Itakë, ku njeriu rreket të rikthehet vazhdimisht, në përfundim të luftrave e përpjekjeve të tij; Egjipti atdheun e ëndrrës, të misterit e magjisë, me ekzotizmin e tij, një atdhe të përmasave multikulturore të mëdha ( autori nuk harron të na japë detaje mbi nr e popullsisë të secilit prej kryeqyteteve, njohjen e gjuhëve të huaja si gjemanishtja etj) dhe Shkupi një atdhe të copëtuar apo të munguar si rezultat i dyndjes se politikave shoviniste etnike..etc..
Vetë titulli i tekstit “NILKON” është ai që e fton apo e sfidon lexuesin të kapë kuptimin themelor që gjeneron nga kjo tërësi simbolike.
Dhe cili mund të ishte një interpretim i mundshëm i kësaj simbolike? Nisur nga semantika e emrit të lumit më të madh..Nil, në përbërje të kësaj kompozite sugjerohet apo përcillet simbolika e rrjedhës së pandërprerë të jetës, ideja e udhëtimit, e përshkimit, e ndryshimit, që duke u bashkuar me pjesën e dytë të emrit të aparatit fotografik Nikon…,sugjeron idenë se arti është ai që përjetëson mbresat, kujtimet, duke i bërë ato të pavdekshme, të përjetshme. Arti pra, mbetet mënyra e vetme dhe më e qëndrueshme që përjetëson historinë, kulturën e vendeve të ndryshme dhe që i lidh ngushtë ato mes tyre. Ashtu siç rrjedh Nili i përjetshëm në shtratin e tij përmes shkretëtirës, edhe arti përshkon të njejtën rrugë, duke përmirësuar kohët, njerëzit dhe duke krijuar e sjellë vlerat e vërteta. Ai bashkon ndjenjat e njejta të njerëzve, pavarësisht nga përkatësia etnike apo sociale e tyre.
- Origjinaliteti i stilit
Në aspektin stilistikor e ligjërimor spikat tendenca e autorit drejt origjinalitetit, i cili është atribut i procedeve të tilla në tekst, si : 
- Shkrirja e kufinjve dhe konvencave ndërmjet artit letrar dhe artit vizual (pikturës, fotografisë) por edhe atij muzikor.
Shembull: “Vjeshta e kishte ndryshkur Vjenën. Kudo, rrugëve, lulishteve, bulevardeve dhe parqeve shihje gjethe të rrëzuara, të lagura, të plevitosura, të kafta..Nuk kaloi shumë dhe ketrat humbën mes bardhësisë që dërgoi qielli e që zgjati shumë, sepse ai atë ngjyrë e kishte me bollëk. Jo si tubetat e bardha, që herë pas here përdorja për të zbutur pigmentet e forta të ngjyrave, kur pikturoja “ Kujtime nga e ardhmja”, por kva të tëra, që I derdhi njëra pas tjetrës rrugëve, bulevardeve dhe parqeve të qytetit…” ( fq, 343)
Duket si një vizion, si një pikturë natyre, që i ka mbetur në kujtesë e shpirt poetit nga mbresat e kohëve të shkuara. Tablo të tilla i paraprijnë shpesh ngjarjeve të rrëfyera, duke krijuar edhe kontraste si p.sh. mes tablosë së dimrit në Vjenë me këtë të vjeshtës, tablove të Vjenës e të Shkupit me ato të Kajros…
“Me sytë mes pemëve kërkoja zogjtë, si ata që e kishin marrë rrugën drejt qiellit, ashtu edhe ata pa krahë, “Flügellos”, zogjtë e poetit, që kërkojnë të ngrihen në qiell e të marrin ffluturimin për larg. Si unë, që sapo kisha filluar të merrja krahët për t’u ngritur sipër, qiejve të panjohur, rrugëve ku nuk kam qenë ndonjëherë më parë. Hapa librin dhe pashë në që në faqen e parë poeti më kishte shkruar diçka. Fillova ta lexoj.
Ka dy mënyra për të mos ndenjur në errësirë:
1. Bën dritë aty ku je 
Ose 
2. Del në diell..
Unë mendoj se ti, si artist, e bën me kënaqësi dritën” ( fq 97)

Elemente të tjera stilistikore, origjinale të romanit mund të veçojmë:
-Ndërthurjen e shtresave të ndryshme në rrëfim, ku përshkrimi, dialogu dhe refleksioni krijojnë një ndërthurje interesante që i jep rrëfimit gjallëri dhe dinamikë. Autori priret drejt një stili të veçantë, pothuajse një monologu-dialog, në aspektin ligjërimor, ku shtresa dialoguese zë një vënd më të vogël në raport me refleksionet personale të protagonistit-rrëfimtar. Kjo nxjerr në plan të parë vetërrëfimin-si elementin kryesor të tekstit autobiografik.
Rrëfimi dhe përshkrimi, të ndërthurura ngushtë karakterizohen nga një larmi detajesh, që krijojnë efekte ndijore e emocionale. Lexuesi duket sikur i sheh dhe i prek me dorë objektet, mjediset, tablotë, personazhet e përshkruara. Nuk mungojnë frazat apo fjalitë e gjata në pasazhet reflektuese e sidomos ato përshkruese por ajo që përbën një tipar origjinal të rrëfimit në rrafshin ligjërimor mbetet prirja e autorit drejt strukturave të ngjeshura gramatikore, të cilat shpesh tentojnë drejt frazave sintetike, poetike, që i japin zhdërvjelltësi dhe ritëm rrëfimit :
“Të nesërmen u takuam përsëri. Shqetësimi na ishte qepur pas rrobave, nëpër sy dhe fytyrë…
“Vjena nuk ankohejmë nga dhimbjet e reumatizmit .Qytetin, që deri përpara pak kohëve e kishte mbërthyer çapoku e mezi hiqte këmbën zvarrë nga dhimbja, tashmë, nën diellin pranveror, e shihje të ecte me elegancën e tij aristokrate, me atë ndriçimin e tij vezullues, përplasur fort fasadave të godinave, skulpturave nëpër parqet plot lule, kravatave të zotërinjve, si dhe gjerdanëve e vathëve të floririt plot gurë smeraldi të zonjave… ( fq 167)…
Në përfundim, mund të themi se romani NILKON sjell një befasi për lexuesin shqiptar, si një prurje origjinale, si një nga eksperiencat e reja të lëvrimit të prozës aktuale, që përcjell një kulturë të fuqishme dhe emancipim.