poetry, essays and narrativas (copyright ©)

Një intervistë e pakuptimtë

Një intervistë e pakuptimtë

Këtë fundvit vendosa ta kaloj pranë nënës sime në Vlorë. Në një nga ditët e fundit të vitit, më marrin në telefon nga një stacion televiziv dhe më ftojnë për të zhvilluar një intervistë, qëllimi i së cilës ishte të flisja për jetën time në Vjenë dhe Vjenën në përgjithësi.

Sigurisht, nuk hezitova dhe thashë po.

Shkova. Fola për Vjenën, artin, kulturën dhe historinë e saj.

Pa e mbaruar akoma mirë mendimin, moderatori ndërhyri dhe më pyeti:

- Meqë është edhe koha e krishtlindjeve, çfarë do t’u sugjeronit gjithë atyre që duan ta kalojnë këtë fundvit në Vjenë?

Tërë kënaqësi fillova të tregoja një pjesë të mirë të atyre që ofronte metropoli austriak në këtë fundvit, kur moderatori ndërhyri përsëri duke më pyetur:

- Po Fatos Nanon, e keni takuar ndonjëherë në Vjenë?

- Jo, nuk e kam takuar ndonjëherë, - iu përgjigja dhe vazhdova aty ku e kisha lënë.

Ndoshta atij iu duk e shkurtër kjo përgjigje, sepse vazhdoi përsëri:

- Po shtëpinë në Vjenë, dini gjë ku e ka Fatosi?

Duke mos e kuptuar atë dëshirë të pakuptimtë të moderatorit për ta lidhur Vjenën me Fatos Nanon, iu ktheva duke i thënë:

- Fatos Nano nuk është pjesë e historisë dhe kulturës botërore që të më interesojë se çfarë ka bërë, çfarë po bën dhe ku jeton. Fatos Nano është pjesë e historisë së Partisë Socialiste. Nëse dëshironi të dini se ku ka jetuar Ludwig van Beethoven dhe se ku e kompozoi simfoninë e tij nr. 9, pjesë e së cilës është edhe Himni i Europës, po u them se ka banuar në Ungargasse nr. 5 të lagjes 3 të Vjenës. Nëse dëshironi të dini se ku ka jetuar Sigmund Freud dhe ku e ka pasur klinikën e tij, po ju them se e ka pasur në Berggasse nr. 19 të lagjes 9 të Vjenës dhe kështu me radhë...


 Vlorë,

e martë, 22 dhjetor 2010