poetry, essays and narrativas (copyright ©)
Ali Bay Këlcyra
Ali bej Këlcyra
Pas gati 70 vjetësh, u rikthye në shtëpi një tjetër shqiptar i madh: Ali bej Këlcyra. Ishte Hana, vajza e tij, që ma dha lajmin të dielën e kaluar aty te Sheshi i Teqesë në Kaninë gjatë ceremonisë së rivarrimit të një tjetri shqiptari të madh, Eqrem bej Vlorës.
Dëgjoja Hana-n dhe me shikimin varur poshtë ullinjve që zbrisnin për Vlorë, kujtoja tregimet e nënës sime Afro, e cila shpeshherë humbiste në kujtimet e fëmijërisë dhe na tregonte kur lozte te sarajet e Ali beut. Për bibliotekën e madhe të xhaxha Aliut, siç e quanin. Sesi Shega, vajza tjetër e Aliut, rrinte gati tërë ditën te shtëpia e tyre në lagjen “Guri” dhe lexonte libra pafund me Sanien, tezen time të dashur.
Tregonte nëna ime historitë e Këlcyrës së saj të dashur që i mungonte aq shumë dhe që, njëherë, më la amanet t’i sillja një pllakë guri nga ato që kishin ngelur nga rrënojat e shtëpisë së tyre në Këlcyrë.
Ia solla nënës sime dhe e mbajti te koka derisa mbylli sytë. Ditën e varrimit ia vendosa poshtë arkivolit si jastëk, së bashku me atë nga Kanina, vendosur poshtë kokës së tim eti ditën që vendosa t’i bashkoj përsëri pranë njëri-tjetrit prindërit e mi.
Vlorë,
e diel, 6 prill 2014