poetry, essays and narrativas (copyright ©)
MELO
Melo
Sot, më 4 korrik, mbushen 20 vjet nga largimi nga kjo jetë i babait tim Melo Velaj.
Duke kërkuar kujtime nëpër fotografi, aty në etazherin ku ai mbante dokumente e sende me vlerë, më ra në sy diploma e tij dhe vlerësime të ndryshme. Fillova t’i shoh dhe t’i lexoj.
Nuk e di pse atë moment më shkoi mendja tek ajo se çfarë kanë të përbashkët im atë dhe miliarderi rus Roman Abramovič. Që të dy janë (ishin, se im atë vdiq 5 vjet mbasi Abramovič mbaroi studimet) inxhinierë nafte dhe që të dy studiuan në të njëjtin universitet, në prestigjiozin “Gubkin”, për naftë e gaz, në Moskë. Vetëm se im atë studioi dhe përfundoi me medalje në vitet 1951-1956 dhe më pas, për 35 vjet punë, sado që zbuloi vendburime të tëra nafte e gazi, u vlerësua vetëm me disa kilogramë ilaçe për zemrën dhe hipertensionin, ndërsa Roman Abramovič studioi në vitet 1985-1990 dhe brenda 5 vjetëve u “vlerësua” me miliarda dollarë.
Por, nëse Roman Abramovič “fatin” e jetës ia dedikon një takimi në vitin 1992 me miliarderin Boris Beresovski, im atë “fatin” e shkollës në Moskë ia dedikon Hysni Kapos i cili në vitin 1951, kur lexoi kërkesat për studime, hasi në emrin e tim eti dhe iu kujtua Melo kur ishte i vogël, aty në Ujë të Ftohtë, kur Hysniu shkonte tek të afërmit, fqinjë me Velajt, dhe ku një mbrëmje dimri të vitit 1942, kur italianët rrethuan lagjen për ta kapur, xhaxhallarët e mi, sado që kishin bindje të ndryshme politike, e ndihmuan duke e nxjerrë shëndoshë matanë.
Shihja fotografitë e kohës së studimeve, diku shesheve të Moskës e pushimeve në Sotschi, dhe m’u përsërit pengu që nuk arrita dot ta çoja aty ku ai studioi, në të dashurin universitet “Gubkin” në Moskë, për të cilin kujtimet e merrnin rrokullimë.
Vlorë,
e hënë, 4 korrik 2016